Përplasja e Kurtit me PDK-në pas deklaratës për Thaçin e Veselin – çfarë po e nxit këtë debat të ashpër publik?

Politika

Përplasja e Kurtit me PDK-në pas deklaratës për Thaçin e Veselin – çfarë po e nxit këtë debat të ashpër publik?

Arife Morina Mulaku Nga Arife Morina Mulaku Më 6 korrik 2025 Në ora: 13:01
Albin Kurti dhe Memli Krasniqi

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një intervistë televizive, së fundi foli mbi zhvillimet politike dhe ngërçin në vend, derisa potencoi faktin se nuk e sheh mundësinë e bashkëpunimin me Partinë Demokratike të Kosovës dhe renditi disa arsyeve se pse ka një vendim të tillë.

Kurti thotë mes tjerash se PDK nuk është reformuar dhe se aty janë deri në 5 kryetarë partie dhe se i kanë dy ish kryetarë në Hagë që i konsultojnë për instruksione politike.

“Unë prej përvojës politike dhe prej lajmeve dhe krejt çfarë dihet publikisht, e kam të qartë që PDK nuk është reformuar. Në PDK ekzistojnë ose 4, ose 5 kryetarë. Nuk e di a i ka 4 a 5, por jam i sigurtë që nuk i ka 3, nuk i ka as 2, as 1” – tha Albin Kurti në Tëvë1.

“Janë edhe dy ish-kryetarët në Hagë, të cilët duhet t’i vizitojnë shpesh edhe për instruksione politike” – tha tutje Kurti.

Për këtë deklaratë, Kurtit i kanë reaguar disa zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, madje kanë dhënë kritika dhe akuza se po i ‘godet’ ish-krerët që gjenden në Hagë.

Megjithatë, për ndikimin që kanë ende dy ish-udhëheqësit e kësaj partie, është folur tash e sa kohë në opnion publik dhe nuk është se vetëm Kurti ka potencuar një gjë të tillë.

E për këtë debat publik folën njohësit.

Gacaferi: Kurti kishte shumë të drejt kur tha se PDK i ka 4-5 kryetarë, sepse vërtet i ka

E për këtë temë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli anëtari i Listës ‘Guxo’, Luan Gacaferi.

Image
Luan Gacaferi.

Së pari, ai konsideron se ajo çka ka thënë Kurti qëndron dhe se të gjithë e dijnë se për PDK-në vendosin Thaçi, Veseli dhe disa të tjerë që janë në Kosovë.

“Unë nuk besoj që z. Kurti ka thënë diçka që nuk e dinë secili! Secili e dijmë, bile edhe zogjtë e malit e dijnë se në PDK vendosin ata dy në Hagë dhe dy a tre këtu në Kosovë!

Dihet botërisht se gjykata Hagës e ka publikuar një përgjim të z. Thaçi duke iu jep instruksione njerëzve të tij që i kishin shkuar në vizitë, si te veprohet”, u shpreh anëtari i “Guxo”.

Krahas kësaj, ai vlerëson se Krasniqi është vetëm kryetar në letër, jo që mund të marrë ndonjë vendim.

“Z. Kurti kishte shumë të drejt kur tha se PDK i ka 4-5 kryetarë, sepse vërtet i ka!

Kryetari aktual në letër është vetëm kukull aty dhe ai nuk pyetet as për borën e parvjetme aty”, përfundoi Luan Gacaferi për “Bota sot”.

Mehmeti: Sami Lushtaku ka më tepër ndikim në PDK se Memli Krasniqi

Kurse, edhe analisti politik, Faton Mehmeti vlerëson se ish-pjesëtarët e UÇK-së ende kanë ndikim në PDK dhe mbështeti deklaratën e Kurtit.

Image
Faton Mehmeti

Në këtë pikë, ai përmendi edhe ndikimin e Sami Lushtakut në parti, si dhe kujtoi një deklaratë të djalit të Jakup Krasniqi.

“Po është e vërtetë qe Kurti i ka përmend krerët e luftës, po nuk i ka përmend si pjesëtarë të luftës, por vetëm si ish-kryetar të PDK-së. Ai kur u pyet për koalicionin me PDK-në me të drejt tha që kjo parti nuk ka një kryetar legjitim, legjitim në kuptim të elektoratit, jo në kuptimin e procesit zgjedhor. Pra, kjo është shumë e vërtetë ne e shohim se Sami Lushtaku ka më tepër ndikim në PDK se Memli Krasniqi, pastaj djali i Jakup Krasniqit tha se e ka marrë në Hagë ‘aminin’ për t’u kandidu për deputet”.

Krahas kësaj, analisti tha se Kurti po gjykohet pa të drejt për këtë deklaratë, derisa tha se nuk tha asgjë për Veselin e Thaçin si liderë të luftës, por si ish-udhëheqës të PDK-së.

“Pra, po shihet që direktivat vijnë nga krerët e luftës që kanë qenë udhëheqës të PDK-së, pra ata kanë ndikim në proceset e brendshme politike në këtë parti. Kurti nuk i ka gjyku pse atapo japin direktiva thjeshtë ka shpejgu se ne kemi vështirë të merremi vesh me PDK, sepse ata që kanë legjitimitet të elektoratit janë në Hagë dhe kryetari aktual nuk ka legjitimtet. Pavarësisht kësaj, disa janë mundu me i dhanë konotacion që kinse ka dasht me i akuzu krerët e luftës, kjo nuk qëndron absolutisht, pasi ai nuk i ka gjyku si krerë të luftës, thjeshtë ka fol për ta si ish-kryetarë të PDK-së”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat