Kërcënimi i rremë me bombë në Kuvend – gjurmët çojnë drejt Serbisë, paralajmërohet rreziku i provokimeve të reja

Politika

Kërcënimi i rremë me bombë në Kuvend – gjurmët çojnë drejt Serbisë, paralajmërohet rreziku i provokimeve të reja

Nga: A.M. Më: 7 korrik 2025 Në ora: 15:31
Kuvendi

Kërcënimi me bombë të shtunën në institucionin më të lartë ligjvënës të Kosovës - që detyroi evakuimin e deputetëve dhe shtyrjen e seancës konstituive për në mbrëmje - ishte i rrejshëm, këtë e konfirmuan edhe autoritetet vendore.

E më shumë detaje, dha ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, ku bëri të ditur se autoritetet e kanë identifikuar përdoruesin e numrit telefonik nga i cili u bë një kërcënim për sulm me bombë në Kuvendin e Kosovës të shtunën.

“Shfrytëzuesi i numrit ka qenë ose është shtetasi serb Lazar Zhivkoviq. Në disa profile të lidhura me këtë numër është gjetur fotografia e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq”, tha Sveçla pa dhënë ndonjë hollësi për këtë.

E në lidhje me përfshirjen e shtetit serb dhe ndikimet që mund të ketë, foli për “Bota sot” eksperti i sigurisë, Lutfi Bilalli.

Së pari, tha e duhet të sqarohet se ky akt terrorist është i mbështetur direkt nga shteti serb apo nga individ apo grupe që janë të lidhura me BIA-n serbe.

Image
Lutfi Bilalli.

“Duke u nisur nga deklarimet e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme z. Sveçla, që besoj që ai mund të ketë fakte dhe burime se kërcnimi me një mjet shpërthyes ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës ka ardhur nga Serbia. Së pari duhet sqaruar se ky akt provokues dhe terrorist është i mbështetur nga strukturat shtetërore të shtetit serb apo grupe dhe individ nga qarqet nacionaliste që kanë mbështetje nga strukturat e inteligjencës serbe (BIA)”.

Krahas kësaj, Bilalli paralajmëroi se mund të kemi edhe provokime nga shërbimet ruse, të cilat bashkë me shërbimet serbe do tentojnë të destabilizojnë Kosovën.

Në këtë rast, ai kërkoi nga Kosova kujdes, pasi këtë brishtësinë për formim të institucioneve, po mundohet ta shfrytëzojë Serbia.

“Mund të kemi provokim e shantazhe edhe nga shërbime ruse që operojnë në Serbi që mund të kenë në menaxhim grupe dhe formacione që merren me aktivitete subverzive dhe terroriste për të destabilizuar sigurinë në shtetin e Kosovës. Kjo formë dhe lufta speciale-hibride që Serbia planifikon ndaj Kosovës nuk është ndonjë risi, ngase momentumi dhe brishtësia rreth formimit të institucioneve shtetërore në Kosovë mund të shfrytëzohet nga Serbia me shantazhe, pasiguri, aktivitete subverzive dhe mundësisht edhe me kaos-destabilizim të përgjithëshëm me efeke shumëdimensionale”, shpjegoi ai.

Ndër të tjera, eksperti paralajmëroi institucione e tona që të kenë kujdes, kur kërkojnë ndihmë nga ndërkombëtarët për këtë rast, pasi mund të bijnë në dy “kurtha”.

Për fund, bëri thirrje që të punohet më shumë në fushën e sigurisë.

“Sa i përket pyetjes se a do të kërkojë Kosova hetim ndërkombëtar rreth këtij rasti, sipas mendimit tim duhet të kemi kujdes nga dy "kurtha":

1.Duhet të kemi fakte dhe argumente të forta se e tëra kjo ka ardhur nga establishmenti zyrtar i shtetit të Serbisë, pra të jemi serioz rreth këti rasti!

2. A mundet kjo të merret me prioritet nga hetuesit ndërkombëtarë (volumit të problemeve të shumta me të cilat sot përballet Evropa), ngase me email-et dhe telefonatat kërcënuese apo alarmet e rrejshme për vendosje bombe apo eksplozivi është e mbushur bota.

Pa u futur në debatet konspirative se kush lozi dhe kush përfitoi, një është e sigurt, Kosova duhet të punojë shumë në fushën e sigurisë, ngase rreziku është dhe do vijë edhe në të ardhmen nga fqinji verior – Serbia”, përmbylli Lutfi Bilalli për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat