A duhet të kërkohet hetim ndërkombëtar për kërcënimin në Kuvend, flasin juristët

Politika

A duhet të kërkohet hetim ndërkombëtar për kërcënimin në Kuvend, flasin juristët

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 8 korrik 2025 Në ora: 11:56
Foto ilustrim

Të shtunën në orët e paradites, në objektin shtetëror të Republikës së Kosovës, u raportua për një kërcënim me mjet shpërthyes. Menjëherë pas alarmit, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me institucionet e tjera të sigurisë, nisi hetime intensive me qëllim ndriçimin dhe zbulimin e burimit të kërcënimit.

Sipas të dhënave preliminare nga hetimet, dyshohet se kërcënimi ka ardhur përmes një numri telefonik që mendohet të jetë nga territori i Serbisë. Kjo pistë është duke u trajtuar me seriozitet nga autoritetet hetuese.

Ndërkohë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi publikisht se numri nga i cili është bërë thirrja kërcënuese për sulm me bombë në Kuvendin e Kosovës lidhet me emrin e Ratko Mlladiqit – ish-gjeneralit serb të dënuar për krime lufte gjatë luftës në Bosnje.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa institucionet e sigurisë po trajtojnë rastin si çështje serioze që mund të lidhet me përpjekje për destabilizim politik dhe institucional në Kosovë.

Por, a duhet të kërkohet hetim ndërkombëtar?

Kelmendi: Kosova gjendet në sulme të vazhdueshme të shtetit serb

Image
Muhamet Kelmendi

Profesori Muhamet Kelmendi në në përgjigje për “Bota sot”, thotë se Kosova është nën sulme të vazhdueshme nga shteti serb, me mjete kriminale e luftarake.

Ai thotë se edhe kërcënimi me bombë ndaj Kuvendit vjen prej tij. Këto veprime thellojnë konfliktet e brendshme dhe i shërbejnë vetëm Serbisë.

“Kosova është nën sulmet e vazhdueshme luftarake. Ato sulme janë me mjete të ndryshme kriminale dhe organizohen nga shteti serb. Sulmet kriminale janë të formave të ndryshme dhe kryhen me mjete luftarake.

Edhe kërcënimi me bombë ndaj Kuvendit të Kosovës vjen nga shteti serb. Në kohën që po e kalon vendi, një kërcënim i tillë është një mjet tjetër që i thellon konfliktet dhe akuzat midis subjekteve në Kuvendin e Kosovës. S’ka dilemë se kjo gjendje i shkon për shtat vetëm shtetit serb”, thotë ai.

Tutje, ai nënvizon se Serbia synon ta bëjë Kosovën jofunksionale, duke nxitur tensione në Kuvend dhe duke përgatitur veprime kriminale në gjithë territorin, jo vetëm në veri. Priten sulme ndaj objekteve vitale të shtetit. Kosova duhet të rrisë gatishmërinë ndaj aksioneve guerile, sepse asnjë vend apo qytetar nuk është i sigurt.

“Serbia angazhohet për mosfunksionim të shtetit të Kosovës. Beogradit i shkon përshtati gjendja konfliktuoze në Kuvend dhe akuzat e raportet e rënda midis përfaqësuesve të vendit në Kuvend.

Duhet të priten veprime të rënda dhe shumë të rrezikshme në Kosovë. Shteti serb nuk përqendrohet vetëm në veri të Kosovës. Ai, shteti serb, do të bëjë veprime kriminale me sulme e shpërthime edhe në brendësi të Kosovës.

Mjetet i ka Serbia. Me siguri se edhe njerëz veç ekzistojnë. Priten veprime kriminale, duke sulmuar organet dhe objektet vitale të shtetit.

Kosova kërkohet të përgatitet dhe të rritë gatishmërinë kundër aksioneve guerile serbe. Çdo objekt vital i vendit duhet të ruhet me forca të shumëfishuara. Edhe njerëzit kërkohet të mbahen nën përkujdesje.

Nga Serbia priten veprime të ndryshme dhe të rënda kriminale. Asnjë vend, objektet dhe njeri nuk është i sigurt.

Aksionet luftarake serbe nuk do të zgjidhen në luftë kundër Republikës”, shprehet Kelmendi.

Burjani: Politika të fokusohet në zgjidhjen e ngërçit 

Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani thotë se kriza politike në Kosovë buron nga paaftësia e partive për të themeluar institucione, jo nga Serbia.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, kërcënimet si ato me telefonata janë çështje sigurie dhe nuk duhet të përdoren për të fshehur dështimet politike.

Ai thekson se Serbia ka problemet e saj të brendshme dhe nuk ka ndikim në konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Politika kosovare duhet të fokusohet në zgjidhjen e ngërçit dhe formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Politika kosovare është në krizë, tek mbretëron jo serioziteti për të themeluar institucione, pa zotësi dhe abuzim me qytetarët e Kosovës. Problem nuk është Serbia, problem janë partitë kosovare që nuk janë në gjendje me gjetë zgjidhje për të themeluar institucione, e jo me u marrë me kërcënime koti. Pra, Serbisë aspak nuk i intereson se a themelohen institucionet e shtetit të Kosovës. Mos-aftësia për të themeluar institucione nga partitë në Kosovë nuk duhet të fshihet prapa gjërave koti, siç është telefonata të kësaj natyre.

Në fund të fundit, kjo çështje është policore dhe e sigurisë. Politika shtetërore e Kosovës duhet të orientohet në drejtim të themelimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Serbia nuk ka çka bën asgjë në këtë drejtim për konstituim apo moskonstituim të Kuvendit. Serbia për momentin ka probleme shumë serioze, atje mbretëron një gjendje pasigurie dhe kaotizmi. Ata kanë telashe të veta, janë buzë konfliktit civil”, potencon Burjani.

Burjani thotë për “Bota sot” se, ndonëse Serbia mund të përpiqet ta destabilizojë Kosovën, problemi kryesor mbetet mungesa e funksionalitetit të shtetit dhe paaftësia për të formuar institucione.

Ai kritikon ngërçin politik, shpenzimet e panevojshme dhe 25 vjet përballje me korrupsion e ikje të qytetarëve.

“Serbia mund të tentojë të destabilizojë Kosovën, dhe kjo gjithmonë është e mundshme që përmes kërcënimeve dhe veprimeve të tjera të ndikojë në politikën dhe rrjedhat në Kosovë, por shteti i Kosovës duhet të jetë funksional, serioz dhe të mos mbetet pa institucione.

Ne po ballafaqohemi me një ngërç absurd, me shpenzime të milionave për zgjedhje dhe në fund të dështojnë të gjitha, përderisa pagat e deputetëve dhe rekrutimi i asistentëve koti për deputetë krijojnë vetëm shpenzime.

25 vjet ballafaqohet me parapolitikën, korrupsionin, ikjen e qytetarëve” – përfundon ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat