“Pafytyrësia politike”/ Deputetët e Kosovës marrin paga pa punuar për muaj të tërë

Politika

“Pafytyrësia politike”/ Deputetët e Kosovës marrin paga pa punuar për muaj të tërë

Arife Morina Nga Arife Morina Më 10 korrik 2025 Në ora: 10:05
Deputetët e Kuvendit të Kosovës

Tash e pesë muaj, Kosova është pa Kuvend funksional dhe kjo e gjitha si pasojë e moskonstituimit të tij, nga legjislatura e zgjedhur nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Për javë të tëra, deputetët e zgjedhur të partive politike, po dështojnë të formojnë institucionet e reja dhe kontributi i tyre i vetëm është paraqitja prej disa minutave në Kuvend, çdo të dytën ditë.

Megjithatë, mosfunksionimi i Kuvendit, nuk po iu kushton financiarisht deputëve të zgjedhur, pasi ata vazhdojnë të marrin pagat e njëjta, ndonëse produktiviteti i tyre është gati i barabartë me 0.

Madje, pa kryer asnjë punë, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës dhe asistentët e tyre po i kushtojnë buxhetit të shtetit qindra mijëra euro.

Tashmë, kanë dështuar gjithsej 44 përpjekje për të konstituar Kuvendi.

Që nga 15 prilli, kur edhe ka filluar seanca konstituive, ata kanë përfituar dy paga e gjysmë, edhe pse shumica e seancave vazhduese kanë zgjatur vetëm disa minuta, për shkak të mosmarrëveshjeve për mënyrën e votimit dhe zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Deri tani, 103 deputetë kanë marrë dy paga e gjysmë, ndërsa 17 të tjerë, që kanë mandatin e deputetit, por vazhdojnë të mbajnë funksione në Qeverinë në detyrë të Kosovës, janë paguar nga ekzekutivi.

E gjithë kosto totale për pagat e deputetëve, nga 15 prilli deri më 30 qershor, ka arritur në 478.692 euro.

Përveç pagave të tyre, buxheti i shtetit mbulon edhe pagat e zyrtarëve të lartë personalë të deputetëve, që ndryshe njihen si asistentë.

Mirëpo, sa i meritojnë këto paga për moskryerjen e detyrave të tyre të zgjedhurit e popullit, folën njohësit e çështjeve politike.

Zogaj: Deputetët marrin në mënyrë të pamerituar, pra e keqpërdorin buxhetin e shtetit

Së pari, publicisti Skënder Zogaj në një bashkëbisedim me “Bota sot” u tregua i ashpër me deputetët, derisa tha se është pafytyrësi moskonstituimi i Kuvendit për kaq shumë muaj.

Madje, sjelljet e deputetëve i cilësoi si “rrugaçëri shokuese”.

Image
Skender Zogaj

“Pa asnjë hamendje legjislatura aktuale e Kuvendit të Kosovës është një garniturë marroqe, pabesueshëm e mjerë, sepse, po ta kishte një pike njerzillëku nuk do të sillej kaq brutalisht nda fatit të vendit dhe të popullit të Kosovës. Me keqardhje të thellë them se, deputetët e Kuvendit të Kosovës po sillen më keq se ata të kohës së okupimit serb! Mos konstituimi i Kuvendit tashmë është pafytyrësia skandaloze, që po e fut Kosovën në Librin e Ginesit për faqezezëllëk!

Mënyra e sjelljes së deputetëve në Kuvend është rrugaçëri shokuese, sepse në vend të keqardhjes dhe turpit, deputetët pozojnë krenari me seanca 5 minutëshe dhe dalin e zgërdhihen me triumfalitet para medieve, duke akuzuar njëri tjetrin”, u shpreh Zogaj.

Krahas kësaj, publicisti tha se po të kishin deputetët, ndërgjegje nuk do i merrnin as pagat dhe as që do duhej të kishin asistentë.

Madje, për koston e shpenzuar për këto paga, e vlerësoi si abuzim dhe keqpërdorim të buxhetit.

“Po të kishin ndërgjegje, këta deputetë nuk do të pranonin që të marrin pagat pa bërë asnjë punë, madje prapa papunësisë së tyre janë edhe asistentët - "strajcagjinjtë" që janë krejt strukturë koti, derisa deputetët ende nuk kryejnë asnjë punë. Informata se, nga 15 prilli deri më 30 qershor kostoja totale për paga ka arritur shumën prej 478. 692 euro, është abuzim me besimin që ua ka dhënë populli, sepse, deputetët marrin në mënyrë të pamerituar, pra e keqpërdorin buxhetin e shtetit. Ky veprim mendoj unë, duhet të ndiqet penalisht dhe, marrësit t'i kthejnë paratë e marruna, ndërsa drejtësua të peshoj dhe dënoj shkeljet kolektivisht veç e veç. Në një vend demokratik, më e vogla që do të duhej të ndodhte është që, 120 deputetët aktualë t’u hiqet e drejta për t’u kandiduar të paktën për 8 vitet e ardhshme” – përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Halimi: Shumica aty nuk e meritojnë me qenë pjesë e Kuvendit Kosovës

Ndërsa, edhe analisti politik, Jeton Halimi u shpreh kritik ndaj deputetëve, derisa tha se po trgohen të pandërgjegjshëm me moskonstituimin e Kuvendit.

Ai në një prononcim për “Bota sot” shpreson që ndërkombëtarët t’iu bëjnë presion për formim të institucioneve.

Image
Jeton Halimi

“Deputetët e Kuvendit Kosovës, po marrin paga pa kryer as edhe një punë të vetëm shkoj vetum sa për sy e faqe. Unë mendoj që deputetë po tregohen shumë të pafytyrë dhe të pandërgjegjshëm në lidhje me mosthemelimin e instuticioneve të Republikës Kosovës, kjo është shumë e keqe dhe shumë e dëmshme.

Shpresoj shumë që SHBA dhe BE, t’u bëjnë presion maksimal deputetëve që pa fije trupi dalin nëpër mediume dhe mundohen t’i arsyetojnë mjetet që i marrin pa kyer as më të vogël punë për çka edhe janë votu nga sovrani”.

Madje, ai vlerësoi se shumica nuk e meritojnë të jenë as deputetë, e lërë më të kenë asistentë dhe të paguhen nga taksat e qytetarëve.

“Definitivisht shumica aty nuk e meritojnë me qenë pjesë e Kuvendit Kosovës, i keqpërdorin taksat e të gjithë qytetarëve të Kosovës, Vetëm në Republikën tonë mundesh me marr para pa kryer as edhe një punë.

Shpresoj shumë që me themelimin e Kuvendit Kosovës, të hiqet kjo rregullore, mos të paguajnë kinse asistent/e, pasi po e dëmtojnë shumë buxhetin e Kosovës, nëse dojnë le t’u japin para nga buxheti i tyre personal dhe jo nga buxheti i shtetit”, përfundoi Jeton Halimi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat