Agon Zejnullahu, 27 vjeçar nga Lipjani ka vdekur në orët e para të së hënës (7 korrik).
Fillimisht lajmi u kumtua nga kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, i cili e konsideroi si ngjarje të rëndë.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për humbjen e parakohshme të më të dashurit tuaj Agon Zejnullahu, Kjo ngjarje e rëndë ka prekur thellë jo vetëm familjen tuaj, por edhe gjithë qytetarët e Komunës së Lipjanit. Në këto momente të dhimbshme, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Zejnullahu, të afërmit, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin Agonin. Zoti e mëshiroftë!”, ka shkruar Ahmeti.
Sipas policisë, Zejnullahu ishte nën ndikimin e alkoolit dhe sulmonte automjete e kalimtarë, për atë edhe u ndalua nga autoritetet e rendit.
Në anën tjetër, në mbrëmje Inspektorati Policor njoftoi për arrestimin e pesë zyrtarëve policorë, nën dyshimet për kryerje të veprës penale “vrasje nga pakujdesia”.
Emrat e të arrestuarve janë Ibrahim Nela, rreshter në Stacionin Policor Lipjan, Liridon Rrahmani, Artidon Konxheli dhe Albian Raktoceri, zyrtarë policorë të këtij stacioni, si dhe Endrit Beqiri, zyrtar në Stacionin Policor Ferizaj.
Të mërkurën, Gjykata Themelore e Prishtinës, dega në Lipjan ka marrë vendim që të ua caktoj masën e paraburgimit prej 30 ditësh, 5 policëve të dyshuar për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
Ndërsa, në media filluan të qarkullonin video nga përpjekja për ndalimin e Zejnullahut (27 vjeç), fillimisht me sprej, pastaj pesë policë duke tentuar t’i vinin pranga, madje njëri kishte vendosur gjurin në qafë të tij.
Krerët e shtetit kanë reaguar njëzëri duke kërkuar që rasti të zbardhet dhe kushdo që rezulton fajtor të marrë dënimin e merituar. Vëllai i viktimës, duke folur për disa media në Prishtinë më 8 korrik, ka thënë se familjarët nuk kanë marrë asnjë sqarim nga policia, ndërsa trupi i të ndjerit “ka pasur shumë shenja dhe thyerje”.
Policia e Kosovës të martën ka shpjeguar në detaje rastin tragjik, duke thënë se informacionin për të dyshuarin e morën përmes gjashtë thirrjeve telefonike nga qytetarët, që raportuan se personi në fjalë kishte sjellje agresive dhe paraqiste rrezik për kalimtarët, duke i sulmuar.
“Sjelljet e njëjta sipas raportimit të qytetarëve janë shfaqur edhe në prani të zyrtarëve policorë, të cilët me qëllim të vënies së situatës nën kontroll dhe shoqërimit të tij në stacion policor, për shkak të sjelljeve të pakontrollueshme e të rrezikshme, rezistencës aktive dhe vërsuljes për sulm ndaj zyrtarëve policorë, zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin sprejin policor” thuhet në njoftim.
Mes të tjerash, policia shtjellon telefonatën e bërë në emergjencë, gjetjen e një substance të dyshuar narkotike te viktima, si dhe konstatimin mbi vdekjen e tij.
“Para arrestimit të personit, zyrtarët policorë kanë komunikuar dhe negociuar me të njëjtin për 5-6 minuta, me qëllim të bindjes së tij për shoqërim në stacion policor. Po ashtu gjatë kësaj kohe mbikëqyrësi i ndërrimit ka telefonuar ndihmën e shpejtë për ti ofruar ndihmë mjekësore personit, pasi gjatë gjithë kohës ka vërejtur gjendjen e tij shëndetësore dhe psikologjike. Në këtë rrjedhë, i njëjti ka qenë jo bashkëpunues dhe ka tentuar të ikë, por zyrtarët policorë kanë arritur ta arrestojnë. Autoambulanca me ekipin mjekësor emergjent, kanë arritur në vendin e ngjarjes brenda një kohe shumë të shpejtë (3 min), për ti dhënë ndihmën e parë personit në fjalë, ku më pas njësia emergjente ka konstatuar vdekjen e tij. Në vendngjarje te personi janë gjetur në posedim gjësende personale dhe substancë pluhur që dyshohet të jetë narkotike, e cila është dërguar për ekzaminim.
Sipas procedurave të parapara ligjore, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante hetimore, Prokurori për krime të rënda si dhe Inspektorati Policor i Kosovës”, thuhet tutje në njoftim
Ngulfatje apo…?
Avokati i njërit prej policëve të arrestuar, Urim Vokshi, ka mohuar se vdekja e Zejnullahut ka ardhur si rezultat i veprimeve të zyrtarëve policorë dhe theksoi se viktima kishte sjellje agresive si ndaj qytetarëve ashtu edhe ndaj policisë, pa ndonjë arsye të qartë.
“Përveç që ka sulmuar shumë qytetarë, ka sulmuar edhe policinë, pa qenë i preokupuar, pa pasur asnjë arsye. Edhe derisa policia ishte duke vozitur veturën, ai reagonte me sprej. Kur ndalet vetura, ai përsëri tenton ta sulmojë policinë,” ka thënë Vokshi.
Ai shtoi se pas incidentit fillestar, Zejnullahu ishte futur vetë në veturën e policisë dhe kishte qëndruar aty për më shumë se tetë minuta, pa ndonjë dhunë apo presion nga zyrtarët policorë.
“Sipas deklaratave të policëve, ata vetëm kanë biseduar me të dhe i kanë thënë se autoambulanca ishte në rrugë. Duket se i ndjeri ka qenë nën ndikimin e substancave të caktuara. Më pas, ai del vetë nga vetura dhe tenton të ikë. Zyrtarët e ndalojnë për ta prangosur dhe qëndrojnë mbi të vetëm për kohën sa po e prangonin. Nuk ka pasur presion të zgjatur,” ka deklaruar Vokshi.
Tejkalim kompentencash dhe hapat që duhet të ndërmarr Policia e Kosovës
Bedri Elezi, ekspert sigurie thotë se ka pasur tejkalim të kompentencave nga Policia e Kosovës.
Ai përmend indikacionet e tejkalimit të kompentencave.
“A kishte tejkalim të kompetencave nga Policia e Kosovës? Po, ka indikacione serioze për tejkalim të kompetencave, dhe kjo bazohet në disa elemente: 1. Vdekja nën mbikëqyrje policore – çdo rast ku një person humb jetën në paraburgim ose gjatë një ndërhyrjeje të forcave të sigurisë, ngre automatikisht dyshime për përgjegjësi dhe tejkalim të kompetencave. 2. Mosraportimi i menjëhershëm dhe transparenca e ulët – nëse informacioni për rastin është mbajtur i fshehtë ose ka pasur mospërputhje në raportet zyrtare dhe ato mediatike, kjo është tregues i mungesës së përgjegjësisë institucionale. 3. Përdorimi i forcës fizike – nëse është aplikuar forcë e panevojshme ose joproporcionale gjatë ndalimit apo shoqërimit, kjo përbën shkelje të standardeve profesionale dhe ligjore”, shprehet Elezi.
Ai kërkon masa të menjëhershme nga policia e Kosovës për rastin e Agon Zejnullahut.
Sipas tij, nëse nuk adresohet me vendosmëri dhe drejtësi, atëherë rrezikohet minimi i besimit të qytetarëve në Policinë e Kosovës.
“Për të mos rrëshqitur në një krizë të thellë besimi publik, Policia e Kosovës duhet të ndërmarrë masa të menjëhershme dhe strukturore: 1. Transparencë e plotë dhe hetim i pavarur Rasti duhet menjëherë të hetohet nga Prokuroria, me përfshirjen aktive të IPK-së (Inspektorati Policor), dhe monitorim nga organizatat e të drejtave të njeriut. Të publikohen pamjet e kamerave trupore (nëse ekzistojnë) dhe raportet e autopsisë pa vonesa. Përdorimi i dhunës apo pakujdesia që sjell pasoja fatale duhet të ketë pasoja disiplinore dhe penale. 3. Auditim profesional dhe reformim i brendshëm Të rishikohen protokollet e përdorimit të forcës dhe trajnimi për ndërhyrje. Të vendoset një sistem i detyrueshëm i pajisjes me kamera trupore për të gjithë zyrtarët operativë. 4. Forcimi i mekanizmave të mbikëqyrjes civile Shoqëria civile dhe mediat duhet të kenë qasje në raportet vjetore, dhe të përfshihen në monitorimin e rasteve të dhunës. 5. Ndërtimi i besimit me komunitetin Takime publike, polici komunitare aktive, dhe fushata të ndërgjegjësimit, për të dëshmuar se policia nuk është forcë represive, por në shërbim të qytetarit Rasti i Agon Zejnullahut nuk është vetëm një tragjedi personale, por një thirrje alarmi për institucionet e sigurisë. Nëse nuk adresohet me vendosmëri dhe drejtësi, rrezikon të minojë tërësisht besimin e qytetarëve në Policinë e Kosovës. Në demokraci, forca pa përgjegjësi është dhunë – jo rend”, shton eksperti.
Autopsia e Agon Zejnullahut i është bërë menjëherë. Instituti për Mjekësinë Ligjore ka njoftuar se autopsia është bërë nga një ekip i udhëhequr nga eksperti mjeko ligjor kujdestar, dhe me pjesëmarrjen e zyrtarëve policor të caktuar nga Policia e Kosovës.
”Me urdhëresë nga Prokuroria e Shtetit, dje në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) është kryer autopsia për të ndjerin Agon Zejnullahu. Autopsia është kryer nga ekipi i udhëhequr nga eksperti mjeko ligjor kujdestar dhe me pjesëmarrjen edhe të zyrtarëve policor të caktuar nga Policia e Kosovës.” thuhet në reagimin e bërë.
Tutje Instituti tregon se janë duke bërë përpjekje maksimale që rezultatet e autopsisë të dalin sa më shpejtë.
”Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Prokurorin e Shtetit që e ka rastin dhe jemi duke bërë përpjekje maksimale për të kryer sa më shpejt edhe analizimin histopatologjik dhe toksikologjik të mostrave indore të cilat janë marrë gjatë autopsisë në mënyrë që të hartohet sa më shpejt raporti i autopsisë.” thuhet tutje në njoftim.
Nga ana tjetër ky institucion ka bërë të ditur se Laboratori i Toksikologjisë është jashtë funksionit për shkak të procesit të renovimit në te gjitha hapësirat e brendshme të objektit të IML-së, përfshirë dhe hapësirën e laboratoreve.
Në një njoftim të lëshuar për media sot thuhet se menjëherë pas përfundimit të këtij procesi në shtator, do të bëhet servisimi dhe kalibrimi i pajisjeve dhe aparaturave laboratorike, në mënyrë që të sigurohet analizimi i mostrave sipas standardeve të kërkuara.
‘Duke marrë parasysh natyrën jashtëzakonisht të ndjeshme të pajisjeve, si dhe kompleksitetin teknik të sistemit të gazrave i cili përdoret në këtë laborator, zhvendosja e tyre në një hapësirë tjetër gjatë kësaj periudhe ka qenë e pamundur”.
“Gjithsesi, gjatë kësaj periudhe kohore të mosfunksionimit të laboratorit, me urdhëresë të prokurorëve përkatës, një numër i caktuar i mostrave janë dërguar dhe do të dërgohen për analizim toksikologjik në vendet e rajonit dhe Evropës”, thuhet në njoftim.
IML-ja shtoi se kjo deklaratë erdhi sot pas një mori pyetjesh që morën për funksionimin e Laboratorit të Toksikologjisë, pasi u raportua se rasti i Agon Zejnullahut është dëguar për në shtetet e BE-së.
Siç merret vesh mostrat e të ndjerit Agon Zejnullahu janë dërguar për ekzaminim në Maqedoninë e Veriut
Pritja, durimi dhe pistat e hetimit
Juristi Blerim Burjani thotë se duhet të pritet raporti zyrtar.
Ai kërkon hetim më të gjerë.
“Duhet pritur raporti zyrtar përfundimtar, pastaj faktet që do të mbledhë prokurori i rastit, duke përfshirë këtu edhe raportin e IPK-së. Pra, duhet një dimension i gjerë i hetimit. Pas një hetimi të gjerë dhe të detajuar, prokuroria mund të ngrejë aktakuzë. Pra, tash procesi është nën hetim të plotë, madje edhe Ombudspersoni i Kosovës ka nisur hetimet. Pra, deri tash çka mund të thuhet janë vetëm disa pamje dhe video. Pra, duhet pritur raporti i autopsies”, shprehet Burjani.
Ai thotë se në rastin e 27 vjeçarit të gjithë duhet të jenë të durueshëm, gjersa përmend dy pista hetimi real.
“Pra, duhet vlerësuar a kanë tejkaluar kompetencat policia gjatë tentativës për arrestim. Përdorimi i dhunës joproporcionale është në kundërshtim me rregullat dhe Kodin e Sjelljes së Policisë. Për këtë rast, duhet të gjithë të jenë të durueshëm derisa të vijnë raportet e shumta që kanë nisur të shkruhen nga Policia, IPK. Pra, deri më tash mund të dyshohet në disa drejtime: përdorimi i dhunës joproporcionale nga Policia, që duhet verifikuar nga IPK, pastaj dyshimet se ka pasur neglizhencë në ofrimin e shpejtë dhe efikase të ndihmës së parë. Vonesa në trajtim ka mundur të çojë deri te vdekja e personit. Pra, janë dy pista hetimi reale: kompetencat reaguse të tejkaluara dhe neglizhenca që të ofrohet ndihma e parë para se personi të ketë probleme të tjera. Pra, neglizhenca për të ftuar sa më parë ambulancën e ndihmës së parë ka mundur të jetë fatale për personin tashmë të ndjerë”, përfundon Burjani.