Të mërkurën më 9 korrik janë bërë plotë 4 muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Këto zgjedhje ndonëse nxorën një fitues, nuk sollën një rezultat drejt formimit të institucioneve të reja.
Pozitë dhe opozitë nuk po bien dakord për të zgjedhur Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit të Kosovës.
Kësisoj, vendi është tash e katër muaj në një krizë politike. Kosova ka mbetur mbrapa në rrugën e saj evropiane, e nëse kjo krizë vazhdon do të thellojë edhe më tutje problemet brenda vendit.
Është përmendur mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, në të njëjtën kohë me ato lokale, ndonëse këto të fundit kanë afat deri në fund të këtij viti.
Por, kjo krizë politike a ka shkaktuar probleme edhe tek qeverisjet lokale?
Lidhur me këtë çështje ka folur këshilltarja Përparim Ramës, kryetarit të Komunës së Prishtinës, Fiknete Bejta. Ajo thekson se, kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejtë tek qeverisja e Prishtinës.
Bejta: Disa ministri kanë ndërhyrë duke ndalur projekte të miratuara më herët
“Po, ngërçi politik në nivel qendror ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në qeverisjen e Komunës së Prishtinës. Për fat të keq, përplasjet institucionale dhe mungesa e bashkëpunimit nga ana e Qeverisë kanë shkaktuar vonesa serioze, si në miratimin e buxhetit, ashtu edhe në zbatimin e projekteve kapitale”, vlerëson ajo.
Bejta thekson se qysh nga dita e parë, Komuna e Prishtinës është përballur me bllokada sistematike, fillimisht përmes mosfunksionimit të OSHP-së, pastaj me vonesat në alokimin e buxhetit dhe tentativat për të centralizuar të hyrat vetanake të komunave.
“Për më tepër, edhe disa ministri kanë ndërhyrë duke ndalur projekte të miratuara më herët, duke u thirrur në justifikime burokratike, shpesh të pabaza. Prandaj, po – ngërçi politik ka reflektuar drejtpërdrejt në punën e përditshme të Komunës, duke ndikuar në ritmin e investimeve, në ofrimin e shërbimeve dhe në zbatimin e projekteve që prekin qytetarët tanë”, theksoi ajo.
Ibrahimi: Komunave po u mohohet buxheti dhe funksionaliteti ligjor
Po ashtu, për këtë çështje ka folur edhe Drejtor Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi. Ai thekson se, kjo situatë po reflektohet në disa forma dhe konkrete për komunat e Republikës së Kosovës.
“Tri komuna; Prishtina, Gjilani dhe Zubin Potoku, nuk kanë buxhet të miratuar për vitin 2025, për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ligjet kyçe për funksionimin e pushtetit lokal si ai për Financat Lokale, Tatimin në Pronë dhe Prokurimin Publik, nuk po mund të amendamentohen, duke e bllokuar një pjesë të reformimit dhe funksionalizimit të duhur të nivelit lokal”, vlerëson ai.
Drejtori Ibrahimi thotë tutje se, komunat po humbin fondet e Bashkimit Evropian nga plani për rritje, pasi që marrëveshjen me BE duhet ta ratifikojë Kuvendi i Republikës së Kosovës.
“Dhe mbi të gjitha, mungesa e një zgjidhjeje të problemit nga niveli qendror për zbatimin e kontratës kolektive, po i shkakton komunave dëme të jashtëzakonshme financiare. Vetëm gjatë vitit 2024, komunave iu morën mbi 86 milionë euro, ndërsa deri në fund të qershorit 2025, mbi 46 milionë euro të tjera përmes vendimeve gjyqësore të cilat në të shumtën e rasteve janë të lidhura me kontratat kolektive, të cilat qeveria refuzon t’i adresojë”, thotë ai.
Ai thotë për ‘Bota sot’ se, me këtë situatë të krijuar, komunat po dëmtohen dyfish.
“Komunat po dëmtohen dyfish: nga njëra anë po u mohohet buxheti dhe funksionaliteti ligjor, e nga ana tjetër po detyrohen të paguajnë miliona euro nga buxhetet e tyre për kontrata të cilat janë të nivelit qendror”, vlerëson drejtori Ibrahimi.
Kujtojmë se zgjedhjet e reja lokale do të mbahen më datën 12 tetor të këtij viti.