Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan, do të nisë një vizitë në Kosovë dhe dy vende tjera të Ballkanit, Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë.
Ky u cilësua si sinjal i rikthimit të vëmendjes amerikane në Kosovë dhe në shtetet e Ballkanit në përgjithësi.
E në lidhje me këtë temë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, prof. Sylë Ukshini.
Fillimisht, ai potencoi se vizita e zyrtarti amerikan është sinjal që SHBA pavarësisht angazhimeve të mëdha në konfliktet e shteteve të tjera, Ballkanin ende e cilëson si rajon me rëndësi strategjike/
Sipas tij, kjo gjithashtu tregon përkushtimin e diplomacisë amerikane për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për Ballkanin.
“Vizita e zyrtarit të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan, në Bosnjë e Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë, është një sinjal i qartë se administrata amerikane, pavarësisht angazhimeve të mëdha në Lindjen e Mesme, në luftën në Gaza dhe në konfliktin ruso-ukrainas, po rikthen dhe ruan një vijimësi institucionale në angazhimin e saj në Ballkanin Perëndimor. Ky rajon mbetet me rëndësi strategjike për SHBA-të dhe për Bashkimin Evropian, edhe pse BE-ja, si në dekadat e kaluara, po dështon të sjellë përparim të qëndrueshëm.
Edhe kësaj radhe po dëshmohet se vëmendja dhe angazhimi i SHBA-ve janë të pazëvendësueshme për paqen dhe stabilitetin në rajon. Kjo tregon se diplomacia amerikane, pavarësisht ndryshimeve të administratave në Uashington, mbetet e përkushtuar ndaj gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme për Ballkanin. Ashtu siç Lindja e Mesme turbullohet nga Irani dhe organizatat terroriste, edhe Ballkani vazhdon të destabilizohet nga Serbia – një shtet që përgjatë shekullit XX ka sjellë katër luftëra në rajon, duke vepruar si levë e politikës pansllaviste të Rusisë”, deklaroi ai.
Po ashtu, Ukshini përmendi dhe komentoi faktin se si shteti serb nuk I ndëshkua kurrë për vrasjet dhe luftërat e shkaktuara në shtetet e tjera të Ballkanit.
Në këtë pikë, vlerëson se ndërkombëtarët duhet ta çarmatosin Serbinë nga mitet nacionaliste dhe ta ndihmojë këtë shtet të shërohet nga sëmundja kolektive e mohimit dhe justifikimit të krimeve.
“Fatkeqësisht, megjithëse Serbia u ndëshkua nga NATO në mars të vitit 1999, doktrina hegjemoniste e “Serbisë së Madhe” kurrë nuk u dënua në mënyrë të qartë dhe të plotë. Serbia është i vetmi shtet në Ballkan që është zgjeruar katër herë territorialisht dhe ende nuk heq dorë nga ambicia e saj ekspansioniste. Kjo vjen nga një sindromë e thellë e pakënaqësisë nga “vogëlsia”, e cila shpesh ka gjeneruar sjellje agresive dhe destabilizuese.
Prandaj, Perëndimi duhet të ndihmojë Serbinë duke e çarmatosur nga mitet nacionaliste dhe hegjemoniste – qoftë përmes një transformimi të thellë, siç ndodhi me Gjermaninë pas-Hitleriane, ose përmes fuqizimit ushtarak të fqinjëve të saj, që kanë qenë vazhdimisht objekt i agresionit serb. Serbia nuk është një shtet normal: sjellja e saj është e sëmurë nga hegjemonizmi dhe narcizmi historik. Ajo e kupton vetëm gjuhën e forcës, sepse në thelb ende glorifikon të keqen, masakrat dhe gjenocidin si “heroizëm”. Perëndimi duhet të ndihmojë shoqërinë serbe të shërohet nga pasojat e ideologjisë fashiste dhe nga sëmundja kolektive e mohimit dhe justifikimit të krimeve”, shpjegoi ai.
Më tej, profesori konsideron se këtë gjë mund ta bëj vetëm SHBA.
Kësisoj, tregoi edhe tri aspektet e vizitës së Hanrahan në Ballkan.
“Këtë rol transformues mund ta luajnë realisht vetëm Shtetet e Bashkuara, të cilat nuk kanë interesa klienteliste në Ballkan. Në këtë dritë duhet parë edhe vizita aktuale e Brendan Hanrahan – në disa plane:
Së pari, ajo sinjalizon një përpjekje për të matur nga afër pozicionet e palëve pas tensioneve të vazhdueshme Kosovë–Serbi dhe pas ngecjes së dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Angazhimi i drejtpërdrejtë amerikan mund të shërbejë si katalizator për një dialog më të thelluar dhe të fokusuar në rezultate konkrete.
Së dyti, përfshirja e Bosnjë e Hercegovinës në itinerar është tregues i qartë se SHBA-të janë të shqetësuara për qëndrueshmërinë e institucioneve në atë shtet, përballë retorikës separatiste të liderëve të entitetit serb dhe ndikimit në rritje të Rusisë dhe Kinës në rajon.
Së treti, kjo vizitë mund të shihet edhe si përpjekje për të rivendosur një balancë ndaj diplomacisë evropiane në rajon, duke dëshmuar se SHBA-të nuk e kanë lënë Ballkanin në kujdesin ekskluziv të BE-së. Mesazhi është i qartë: Uashingtoni mbetet i pranishëm, aktiv dhe i përkushtuar”, nënvizoi Ukshini.
Ndër të tjera, ai shtoi se për shtetin tone kjo vizitë do të thotë mundësi për të riafrimuar partneritetin me SHBA-në dhe kësisoj nga elita politike kërkoi që të tregojnë pjekuri dhe vizion për të tejkaluar ngërçin aktual institucional
“Për Kosovën, kjo vizitë është një mundësi për të riafirmuar partneritetin me SHBA-të, për të kërkuar mbështetje më të fuqishme në proceset ndërkombëtare – si anëtarësimi në organizata të rëndësishme – dhe për të theksuar nevojën e një qasjeje më të prerë ndaj destabilizimit që vjen nga Serbia.
Megjithatë, elitat politike në Kosovë duhet të tregojnë pjekuri dhe vizion për të tejkaluar ngërçin aktual institucional. Nuk ka rëndësi se kush ka të drejtë apo gabim në nivel të brendshëm – situata aktuale vetëm sa e dëmton pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Prandaj, Kosova duhet të dalë sa më shpejt nga kjo gjendje e bllokimit institucional dhe të rikthejë dinamizmin në funksionimin e shtetit”, pëmbylli Sylë Ukshini për “Bota sot”.