Osmani konfirmoi rrezikun serb që e parandaloi Trump – ja kërkesa urgjente për Kosovën

Politika

Osmani konfirmoi rrezikun serb që e parandaloi Trump – ja kërkesa urgjente për Kosovën

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 12 korrik 2025 Në ora: 16:04
Donald Trump dhe Vjosa Osmani

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar deklaratat që i dha së fundmi presidenti amerikan, Donald Trump, se kohëve të fundit ka parandaluar një sulm të Serbisë ndaj Kosovës.

Sipas Osmanit, bëhet fjalë për diçka shumë të afërt në kohë.

“Presidenti Trump e ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm së fundmi. S’po flasim për vitin 2023 apo 2020. Po flasim për zhvillimet shumë të fundit. Por KFOR-i është aty dhe ne po bëjmë punë të mrekullueshme në parandalim e mbrojtje,” ka thënë Osmani në diskutimin e mbajtur në Universitetin Johns Hopkins në Uashington.

Kjo deklaratë e Presidentes Osmani, nga analistë dhe njohës të zhvillimeve politike, po shihet si një alarm serioz.

Sipas tyre, pavarësisht ndërhyrjes amerikane, rreziku nga Serbia vazhdon edhe sot.

Ata thonë se Serbia dhe Vuçiq synojnë të shfrytëzojnë zhvillimet gjeopolitike në botë për të shkaktuar një konflikt të ri në Ballkan.

Rreziku serb

Sipas njohësit të çështjeve për integrime evropiane, Mirsad Voca, deklarata e bërë nga Presidentja Osmani kërkon sqarime të mëtejshme, pasi është e një rëndësie të madhe.

Image
Mirsad Voca

“Deklarata e Presidentes Vjosa Osmani, se presidenti amerikan Donald Trump ka ndihmuar në parandalimin e një përshkallëzimi të mundshëm të sigurisë nga ana e Serbisë, është shumë e rëndësishme dhe kërkon sqarim të mëtejshëm. Në çështjet e sigurisë kombëtare dhe diplomacisë, ndonjëherë informatat mbahen diskrete për të shmangur panikun, për të ruajtur burimet e inteligjencës dhe për të mos rritur tensionet rajonale. Megjithatë, nëse ka pasur një rrezik real dhe ndërhyrje të tillë ndërkombëtare, qytetarët dhe institucionet duhet të jenë të informuara në mënyrë të përgjegjshme,” shprehet Voca.

“Nuk është e qartë nëse institucionet e tjera të sigurisë në Kosovë, si AKI, MPB apo Forca e Sigurisë, kanë qenë të përfshira në këtë koordinim. Nëse jo, kemi të bëjmë me një mungesë serioze të bashkëpunimit institucional, e cila mund ta dobësojë reagimin e shtetit në situata të ngjashme,” nënvizon Voca.

Më tej, ai thotë se mungesa e institucioneve të reja padyshim që përbën një rrezik serioz për Kosovën.

“Për më tepër, fakti që Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit përbën një rrezik serioz për funksionalitetin demokratik. Pa një Kuvend aktiv, vendi nuk ka kontroll parlamentar të rregullt mbi politikat e sigurisë dhe të jashtme, çka e bën më të brishtë përballë kërcënimeve. Në çdo shtet demokratik, siguria kombëtare kërkon koordinim të plotë mes institucioneve dhe komunikim të matur me publikun. Transparenca e balancuar ndërton besim, forcon kohezionin shoqëror dhe ndihmon shtetin të veprojë me përgjegjësi,” thekson Voca.

Për fund, Voca i bën thirrje skenës politike që sa më parë të konstituohen institucionet e reja në Kosovë.

“Prandaj, deklarata e Presidentes duhet të merret seriozisht, por edhe të sqarohet më tej nëse ka pasur bashkërendim institucional të brendshëm dhe me aleatët ndërkombëtarë. Kjo është edhe një arsye më shumë për të përshpejtuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Vendi nuk mund të përballojë njëkohësisht krizë të brendshme politike dhe kërcënime të jashtme për sigurinë,” përfundon njohësi i çështjeve për integrime evropiane, Mirsad Voca.

Urgjentisht të formohen institucionet e reja

Image
Dr. Gurakuç Kuçi

Kurse Dr. Gurakuç Kuçi – hulumtues i lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” dhe profesor, për “Bota sot” thotë se synimi serb ishte që të shfrytëzonte luftën Izrael-Iran dhe luftën në Ukrainë, në mënyrë që ta sulmonte Kosovën.

“Në momentin kur vëmendja globale ishte e përqendruar në dy vatra të mëdha krize, lufta mes Izraelit dhe Iranit, si dhe agresioni i vazhdueshëm rus në Ukrainë, Serbia ka tentuar të shfrytëzojë boshllëkun diplomatik dhe informativ për të ndërmarrë hapa destabilizues ndaj Kosovës. Kjo nuk është risi. Është pjesë e modelit të saj të veprimit: të sulmojë kur vëmendja është gjetkë,” thekson Kuçi, sipas të cilit, Osmani po e konfirmon se Trump e parandaloi një gjë të tillë.

“Deklarata e Presidentes Osmani, që konfirmon ndërhyrjen e presidentit Trump për të parandaluar përshkallëzimin nga ana e Serbisë, është një sinjal i qartë se rreziku ishte i afërt dhe serioz dhe vazhdon të mbetet. Serbia nuk ka tentuar apo tenton të bëjë një invazion të drejtpërdrejtë kundër Kosovës, por një destabilizim në veri që do të krijonte përplasje dhe reaksione të forta, sa do të shtynte reagimin e KFOR-it për të krijuar një kordon të ri sigurie si më 1999, dhe veriu do të rikontrollohej përsëri nga bandat serbe. Kjo de facto do të ishte ndarje, që më vonë do të legjitimohej me përdorimin e koncepteve të ‘aktit të kryer (fait accompli),’” shprehet Kuçi.

“Instituti për Studime të Luftës Hibride ‘OCTOPUS’ ka identifikuar këtë rrezik në kohë reale. Ne kemi dokumentuar me fakte dhe analiza mënyrën se si Serbia ka aktivizuar rrjetet e saj informative, propagandën në rrjetet sociale, narrativat destabilizuese dhe përgatitjen psikologjike të terrenit. Për më tepër, kemi informuar publikun për këtë strategji, madje para se të bëhej publike nga aktorët politikë,” shton doktor Kuçi.

Ashtu si Voca, edhe Kuçi shprehet se Kosova urgjentisht duhet të formojë institucionet e reja, në mënyrë që të jetë e përgatitur për çdo skenar.

“Diskrecioni rreth ndërhyrjes amerikane është i kuptueshëm – shumë operacione parandaluese ndodhin pa bujë publike, për arsye të ndjeshmërisë diplomatike dhe të sigurisë. Por ajo që nuk guxon të mbetet në heshtje është nevoja për konsolidim urgjent të institucioneve të Kosovës, sidomos pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Mungesa e qeverisjes efektive dhe e një zinxhiri të qartë komandimi e ekspozon Kosovën ndaj këtyre rreziqeve. Dhe Serbia e di këtë. Prandaj lëviz në këto momente,” përfundon doktor Gurakuç Kuçi – Hulumtues i lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” dhe profesor.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat