Voca: Kosova në rrezik nga ngërçi politik — thekson nevojën për maturi dhe dialog institucional!

Politika

Voca: Kosova në rrezik nga ngërçi politik — thekson nevojën për maturi dhe dialog institucional!

Nga: M.H Më: 13 korrik 2025 Në ora: 09:58
Kuvendi i Kosovës

Kosova po përballet me një ngërç të thellë politik që ka bllokuar funksionimin e Kuvendit dhe po e shtyn vendin drejt një krize serioze.

Ani pse janë mbledhur 45 herë, deputëtët nuk kanë arritur të dalin në një zgjidhje.

Procesi i konstituimit ka mbetur i bllokuar pasi Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por kjo kandidaturë nuk ka gjetur përkrahje nga partitë e tjera parlamentare.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur doktori për çështje ndërkombëtare, Mirsad Voca.

Doktori thekson nevojën urgjente për një klimë politike konstruktive dhe bashkëpunuese, ku shumica dhe opozita veprojnë me përgjegjësi për të ruajtur funksionimin e shtetit dhe besimin e qytetarëve.

Ai paralajmëron se keqinterpretimi i procedurave si mjet bllokimi dhe shkelja e ligjit dëmtojnë rendin institucional dhe kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës.

“Në këto kohë të ndjeshme për rajonin dhe për vetë shtetin tonë, më shumë se kurrë ndjehet mungesa e një klime politike konstruktive, ku shumica dhe opozita luajnë rolin e tyre në mënyrë funksionale dhe me përgjegjësi institucionale. Demokracia nuk është vetëm pushtet por është edhe përgjegjësi e përbashkët për ta ruajtur funksionalitetin e shtetit dhe besimin e qytetarëve në institucionet e tyre.

Kosova nuk mund të lejojë më që procedura të keqinterpretohet si mjet për bllokim, apo që institucionet të mbahen peng nga logjika e përplasjeve politike. Respektimi i rregullave, i ligjit dhe i Kushtetutës është themeli i çdo shteti demokratik, dhe çdo devijim nga kjo kornizë dëmton jo vetëm rendin institucional, por edhe kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës”, thotë ai.

Image
Mirsad Voca

Voca tutje kërkon që shumica dhe opozita të tregojnë maturi dhe përgjegjësi duke bashkëpunuar në dialog institucional për të vendosur interesin shtetëror mbi atë partiak.

“Po aq e rëndësishme është që shumica të tregojë maturi politike, të dëgjojë shqetësimet dhe të jetë e hapur për dialog. Dialogu institucional nuk është dobësi por është fuqi e shteteve të pjekura.

Sot, Kosova ka nevojë për një klasë politike që e vendos interesin shtetëror mbi interesin afatshkurtër partiak. Për një opozitë që propozon dhe sfidon me ide, jo me bllokada, dhe për një shumicë që udhëheq me përgjegjësi, jo me përjashtim”, shtoi doktori.

Në fund, ai thekson nevojën për etikë, përgjegjësi dhe përkushtim të përbashkët ndaj stabilitetit demokratik, duke paralajmëruar se çdo veprim që dobëson bashkëjetesën institucionale i dëmton interesat e shtetit.

“Në këtë moment kritik për zhvillimet e brendshme dhe për ambiciet ndërkombëtare të Kosovës, kërkohet më shumë etikë publike, më shumë përgjegjësi institucionale dhe më shumë përkushtim ndaj stabilitetit demokratik.

Demokracia është një marrëveshje për bashkëjetesë institucionale dhe ajo kërkon përkushtim të përbashkët. Kushdo që e dobëson këtë përbashkim, nuk i shërben shtetit, por e vë në rrezik atë”, përfundoi Voca për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat