Ngërçi politik/ Njohësit tregojnë pritjet nga vizitat e ndërkombëtarëve: Shpresa e fundit për zhbllokimin e krizës!

Politika

Ngërçi politik/ Njohësit tregojnë pritjet nga vizitat e ndërkombëtarëve: Shpresa e fundit për zhbllokimin e krizës!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 15 korrik 2025 Në ora: 20:00
Foto ilustrim

Në një moment delikat për institucionet e Kosovës, ku procesi i konstituimit të Kuvendit vazhdon të mbetet i bllokuar, partitë politike kanë pritur në takime përfaqësuesit ndërkombëtarë.

Së fundmi, diplomatët ndërkombëtarë kanë rritur angazhimin e tyre në përpjekje për të lehtësuar një zgjidhje të mundshme.

Z. Brendan Hanrahan, përfaqësues i Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, është takuar me liderët politikë për të diskutuar rrugëdaljet nga kriza aktuale.

Hanrahan në takim me liderët politikë ka kërkuar që sa më shpejt të gjendet një zgjidhje dhe të dilet nga ky ngërç politik.

Ndërsa ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, u ka bërë thirrje liderëve politikë të Kosovës që të gjejnë rrugën drejt kompromisit dhe të sigurojnë funksionimin e institucioneve shtetërore.

Ndër të tjera ambasadori Guerot theksoi se për të nënshkruar dhe ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare që janë në interes të Kosovës, vendi ka nevojë për një Kuvend funksional dhe një Qeveri të mbështetur nga ai Kuvend.

E të gjendur përballë këtyre vizitave a mund të ofrojë faktori ndërkombëtar një rrugëdalje të qëndrueshme në kushtet kur mungon vullneti i brendshëm për bashkëpunim politik?

Zogaj: Kriza politike – pasojë e mungesës së vizionit dhe përgjegjësisë

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur publicisti Skënder Zogaj.

Ai thotë se pavarësisht bllokadës politike në Kosovë, bashkësia ndërkombëtare po qëndron aktive dhe e angazhuar në mbështetje të stabilitetit dhe dialogut ndërmjet palëve vendore, duke përdorur takime diplomatike dhe ngjarje simbolike si mjete për të nxitur zgjidhjen e krizës institucionale.

“Takimi i partive politike të Kosovës me diplomatin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, z. Brendan Hanrahan, është një sinjal i rëndësishëm që tregon se bashkësia ndërkombëtare është ende e interesuar dhe e angazhuar për ta ndihmuar Kosovën.

Këtë e vërtetojnë edhe zyrat diplomatike në Kosovë, që shumicën e aktiviteteve ua kushtojnë situatës në Kosovë, duke dhënë sugjerime miqësore të vullnetit të mirë, siç është rasti  i Ambasadori i Francës në Kosovë, z. Olivier Guerot, me pritjen solemne me rastin e Ditës Kombëtare të Francës. Ky event pritet të shërbejë si një platformë për nxitjen e dialogut ndërmjet përfaqësuesve politikë të për tejkalimin e krizës institucionale”, u shpreh ai.

Image
Skënder Zogaj

Ndër të tjera publicisti shton që bashkësia ndërkombëtare mbetet thelbësore për të ardhmen e Kosovës, por klasa politike vendore po dështon turpshëm ta vlerësojë dhe shfrytëzojë këtë mbështetje për të ndërtuar një shtet demokratik, duke e zhytur vendin në krizë për shkak të interesave personale dhe luftës për pushtet.

“Pra, Bashkësia ndërkombëtare ende është jetikisht e lidhur me Kosovën dhe, klasa politike e Kosovës nuk duget të tregohet çorre por të mirëkuptojë vullnetin e mirë të diplomacisë botërore dhe ta shfrytëzoj për ndërtimin e shtetit të lirë dhe të pavarur me kritere demokratike dhe assesi me inate dhe luftë politike për pushtet, siç është duke ndodhur!

Mungesa e vullnetit politik vendor është turp atak historik! ngërçi institucional i llojit që po ndodh madje është i përmasës së krimit, sepse, fjala vjen, po kalojnë muaj dhe legjislatura parlamentare po sillet armiqësisht ndaj vendit dhe popullit! Si ka mundësi që të zgjedhurit e popullit, pa u zyrtarizuar, të gëzojnë pagat pa punuar!?!? Si ka mundësi që deputetit të pajtohen me dukuritë negative që ata janë të thirrun ti luftojnë!

Mendoj se shkëputja nga  interesimi i miqve ndërkombëtar, pa të cilët, mbetët e parealizuar liria, pavarësia dhe vlera e shtetit të Kosovës”, shtoi Zogaj për “Bota sot”.

Mehazi: Diplomacia evropiane mbetet simbolike në krizën politike të Kosovës

Ndërsa profesori Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se dështimi i Presidentes për të zgjidhur ngërçin institucional në vend e ka shtyrë atë të kërkojë mbështetje diplomatike nga SHBA-të, për të ushtruar presion ndaj partive politike që të zhbllokojnë procesin e konstituimit të Kuvendit.

“Takimi i krerëve të partive politike të Kosovës me diplomatin e Departamentit Amerikan për Çështje Evropiane dhe Aziatike, z.Brendan Hanrahan, për zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës është ndikuar  nga shkuarja e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, në SHBA, që gjatë takimit me partitë parlamentare ishte e pasukseshme për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe ishte e detyruar të vizitonte krerët e SHBA-ve për të dhënë shtypje diplomatike partive opozitare për të dalë nga ky ngërç instotucional”, shprehet ai.

Image
Sulejman Mehazi

Sipas profesorit vetëm ndërhyrja direkte e diplomacisë amerikane, dhe jo ajo evropiane, mund të zbusë inatet politike mes partive në Kosovë dhe të zhbllokojë procesin e konstituimit të Kuvendit.

“Mendojmë s'e takimi i drejtpërdrejtë i diplomatit amerikanë, Hanrahan, me partitë politike parlamentare të Kosovës do japin rezultate pozitive ndaj zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, nëse krerët e partive opozitare gjatë takimit me presidentet e Kosovës, Vjosa Osmanin, ishin të padëgjueshëm, besojmë se në takimin e radhës me diplomatin amerikan për Çështje Evropiane-Aziatike, Hanrahan, inatet politike me rastin e zgjedhjes së kryetares së Kuvendit, Haxhiun, do zbuten për të ecur para institucionet e reja të Kosovës.

Në fakt situatën e bllokuar të institucioneve të Kosovës mund ta zhbllokojnë vetëm diplomacia e Presidentit të SHBA-ve Trump, kurrsesi BE-ja apo Franca. Ftesa e Ambasadorit të Francës në Kosovë, z.Olivier Guerot, është një pritje festive për krerët e partive të Kosovës me rastin e Ditës Kombëtare të Francës, në këtë ditë të madhe të Francës, ambasadori Francës nuk do merret aspak me krizën institucionale të Kosovës”, përfundoi Mehazi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat