Parashikimi për Thaçin, Veselin, Selimin e Krasniqin: Vendimi i Speciales sinjal tepër i fuqishëm, priten dënime të rënda

Politika

Parashikimi për Thaçin, Veselin, Selimin e Krasniqin: Vendimi i Speciales sinjal tepër i fuqishëm, priten dënime të rënda

Nga: P.R. Më: 18 korrik 2025 Në ora: 20:06
Ilustrim/ Bota sot

Mocioni i mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, i cili kishte për qëllim të sfidonte përfshirjen e ngjarjeve që kanë ndodhur para majit të vitit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999, u refuzua plotësisht nga Gjykata Speciale.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130. Trupi gjykues nuk është bindur që ka autoritet sipas Rregullës 130 për të rrëzuar pjesë të akuzave ose materiale që formojnë pjesë të aktakuzës, qoftë për arsye kohore apo të tjera”, tha Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, duke bërë të ditur se mocioni u rrëzua në tërësinë e vet.

E sipas analistit dhe njohësit të zhvillimeve në vend, Gani Qarri, e gjithë përpjekja e mbrojtjes ishte që të hiqet periudha e vrasjeve politike që kanë ndodhur në Kosovë.

Image
Gani Qarri

“Gjykata Speciale është krijuar me miratimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të hetojë krimet e pretenduara të disa anëtarëve të UÇK-së kundër rivalëve politikë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000, andaj me vendimin e fundit, Gjykata Speciale lë të nënkuptohet se arsyeja kryesore e hedhjes poshtë të kërkesës së mbrojtjes për rrëzimin e një pike të aktakuzës duhet të ketë qenë pikërisht padia penale për vrasjet politike që kanë ndodhur pas lufte”, thotë Qarri.

Ai shton se ky vendim i Speciales është edhe një dëshmi e fuqishme e funksionimit të drejtësisë në Hagë.

“Është mjaft irrituese të lexohen në retrospektivën e shkurtër komentet habitore të falltarëve ‘super-profesionistë’ të partive të inkriminuara, veçanërisht të ‘jurish’-juristëve të PDK-së, se si vetëm pak ditë më parë, duke e menduar edhe Gjyqësinë Evropiane si drejtësinë e kapur në Kosovë, që ata për më tepër se një dekadë e kanë futur tërësisht nën diktatin e vet, se edhe Haga merr vendime jo në bazë të ligjit, por sipas urdhrave dhe diktateve të tyre! Vendimi i fundit i Gjykatës Speciale dëshmoi se falli i specialistëve të gjithëdijshëm fiktiv të PDK-së nuk u vërtetua as me 1% dhe për rrjedhojë, përveçse është goditje për Thaçin, Selimin, Veselin e të tjerët, është edhe një zhgënjim i vështirë për familjarët, që e bën edhe më të rëndë parashikimet e falltarëve politikë, duke zgjedhur kohën e gabuar dhe momentin më të papërshtatshëm për të folur me kaq kapriçiozitet mbi vendime ‘liruese’, vetëm pak ditë para vendimit të kundërt të Gjykatës Speciale, sikur të vepronin qëllimisht për t’ua shtuar vuajtjet dhe për ta bërë jetën edhe më të vështirë të akuzuarve në Hagë dhe familjarëve në Kosovë”, shton Qarri.

Më tej, Qarri thotë se gjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit pritet të zgjasë edhe shumë vite deri në vendimin final.

“Kështu që, marrë parasysh dënimet shumëvjeçare për raste më të ‘lehta’ dhe numerikisht shumë më të vogla penale, si dënimi fillestar me 26 vite burg i Salih Mustafës për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë, të cilin trupi gjykues e urdhëroi të paguante edhe një shumë të lartë prej 207.000 euro kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj tetë viktimave; dënimi po ashtu fillestar ndaj Pjetër Shalës me 18 vite burg, pasi u gjet fajtor nga gjykata për ndalim arbitrar, torturë e vrasje të paligjshme në Fabrikën e Metalit në Kukës etj., gjykime që zgjatën përafërsisht rreth dy vite, dënimet e të akuzuarve kryesorë, gjykimi i të cilëve po zgjat tash e mëse pesë vite, pritet të jenë edhe shumë më të gjata”, shprehet Qarri.

“Shto kësaj faktin se Sabit Januzi, Haxhi Shala dhe Ismet Bahtijari kanë pranuar edhe para Gjykatës Speciale fajësinë për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe aktet e kundërligjshme të frikësimit të dëshmitarëve, për të cilat në nëntor të vitit 2024, Haxhi Shala u dënua me tri vite burg, Sabit Januzi me dy vite e gjysmë, ndërsa Ismet Bahtijari me dy vite burgim. Madje, Bahtijari dhe Januzi ishin shprehur edhe të penduar për krimet e kryera. Me pranimin e fajësisë nga të lartcekurit, Dhomave të Specializuara në Hagë u shtohet edhe gjykimi për aktakuzat kundër pengimit të drejtësisë me insistimin e Thaçit. Ndaj, Gjykata Speciale ndodhet para një vendimi mjaft të koklavitur dhe me lëndë tepër voluminoze penale, që përfshin shumë akuza, për të cilat priten dënime të shumëfishta dhe mjaft drakonike”, shpjegon Gani Qarri.

Për fund, Qarri paralajmëron se vendimi i fundit nga Gjykata Speciale është një mesazh i rëndë për Thaçin, Veselin, Selimin e Krasniqin.

“Megjithëse Gjykata Speciale funksionon sipas ligjeve të Kosovës, ajo, siç dihet mirëfilli, nuk do t’ia lejojë vetes të bëhet shembull i drejtësisë së kalbur në Kosovë, që edhe sot merr vendime nën diktatet politike. Hedhja poshtë e kërkesës së mbrojtjes për rrëzimin e një pike të aktakuzës është edhe një sinjal tepër i fuqishëm se të akuzuarit për 105 raste penale, gjykimi i të cilëve po vijon tash e mëse 5 vite në Gjykatën Speciale në Hagë — veçanërisht për Thaçin, i cili ngarkohet edhe me aktakuzën e dytë për pengim të drejtësisë, tanimë të pranuar publikisht edhe para Gjykatës Speciale nga Haxhi Shala, Sabit Januzi e Ismet Bahtijari — pothuajse është e sigurt se do të përballen me një dënim mjaft të rëndë. Dënime të shumëfishta që, me vendime të njësuara, do të jenë tepër tronditëse për të akuzuarit kryesorë në Gjykatën Speciale”, përfundon analisti Gani Qarri për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat