Kuvendi po vazhdon të jetë i bllokuar, derisa partitë politike nuk po arrijnë një marrëveshje politike për konstituim të tij.
Të zgjedhurit e popullit po dështojnë tash e sa herë që të formojnë një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.
Çështja e votimit të fshehtë – që u propozua më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post – është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Ato thonë se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë, dhe i kanë kërkuar Kushtetueses të marrë “një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim”.
E në lidhje me ngërçin në Kuvend dhe votimin e fshehtë, për “Bota sot” foli veprimtari nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.
Së pari, tha se bllokada është faktike dhe kjo ka një arsye, e që këtu përmendi themelimin e Vettingut dhe Byrosë për verifikimin e pasurive të paligjshme.
Sipas tij, kjo i frikëson partitë ish-opozitare dhe ato janë të gatshme të bllokojnë dhe ta dështojnë çdo skenar për konstituim të Kuvendit.
“Për ndryshim nga "kriza" që është e stisur, bllokada është faktike. Arsyeja bazë është kërkesa juridike për bërjen e Vetting-ut dhe të Byrosë për verifikimin e pasurive të paligjshme. Kjo i prekë, pashmangshmërisht, subjektet politike PDK-AAK-NISMA, të strehuara në akronimin PAN, përkatësisht, eksponentët e tyre, të zhytur në krime vrastare dhe hajni zyrtare e private. Andaj, rezistenca për pengimin e veprimit ligjor, është e madhe sa bjeshka! Sepse zbatimi i Vetting-ut dhe Byrosë në fjalë, i lakuriqëson "komandantët" dhe eksponentët e partive-banda të koalicionuara në PAN, si kriminelë vrastarë e hajna zyrtarë, deri te rrezikimit të zhbërjes të shtetit, duke tjetërsuar pjesë të tokave, për tri shtetet fqinjë.
Prandaj bllokada është e çimentuar, e korracuar rëndshëm, ngaqë koalicioni i madh është i çeliktë: Serbia me aleatët sllavë; disa shtete nga BE-ja dhe opozita aktuale PAN, janë të gatshëm të bllokojnë dhe ta dështojnë çdo skenar, që do të provojë zhbllokimin e punës normale të Kuvendit të Kosovës”, shpjegoi publicisti.
Më tej, Zeqiraj kritikoi kreun e PDK-së dhe deklarimin e tij për vendimin me votë të fshehtë.
Sipas tij, zbatimi i Kushtetutës, është skenari i vetëm për dalje nga kriza.
“Citojmë falsifikimin e Kushtetutës, nga kreu zyrtar i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili thotë: ...të bie poshtë insistimi i turpshëm dhe jo kushtetues për votim të fshehtë...", shpërfaqë frikën e partisë së tij, nga votimi i fshehtë! Skenari bazë, madje i vetëm, për daljen nga kjo bllokadë, është zbatimi i Kushtetutës të Republikës të Kosovës, ku shkruhet se "zgjedhja e kryetarit të Kuvendit bëhet me votim të hapur, të fshehtë dhe në forma të tjera". Dhe, përqendrimi i LVV, në zbatimin e Kushtetutës, përfshi edhe të votimit të fshehtë, është tërësisht, i drejtë dhe ligjor, andaj duhet të jetë skenari i vetëm, që, në asnjë rast e rrethanë, nuk duhet anashkaluar dhe as braktisur”.
Ndër të tjera, veprimtari nga Gjermania mbështeti votimin e fshehtë, ku vlerësoi se ai është kupolë e demokracisë.
“Shqiptarët nuk mund të krenohen për sinqeritet, aq më pak, për ta shprehur mendimin e vetë publik, për të qenë sovran dhe me integritet. Pra, ta thotë mendimin hapur në sallën e Kuvendit. Prandaj, është votimi i fshehtë, me mendje dhe votë të lirë e demokratike. Votimi i hapur, që përjashton votimin e fshehtë, si në rastin bllokues në Kuvendin e Kosovës, është huazuar nga mendësia kriminale e diktatorëve: Stalin, Hitler, Enver Hoxha, Pol Poti dhe soji i tyre kriminelë e rrugaçerorë.
i fshehtë është kupolë dhe shenjtëri e Demokracisë. Me këtë sentencë, absolutisht të saktë dhe të provuar në praktikë, madje katërçipërisht, pajtohen mendjet e ndritura të njerëzimit dhe bota demokratike.
Anakronisht dhe tupërisht votimin e fshehtë e kundërshton bota obskure, e errët, e cila i pengon në mbijetesën pushtetare të përjetshme”, përmbylli Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.