Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në qeverinë serbe, ka shkaktuar reagime të forta politike dhe shoqërore në Kosovë pas një deklarate skandaloze gjatë një vizite në territorin kosovar. Gjatë një fjalimi të mbajtur të premten në fshatin Hoqë e Madhe, Popoviq e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si “organizatë terroriste” – një deklaratë provokuese që bie ndesh me realitetin historik të luftës çlirimtare dhe përpjekjet e Kosovës për paqe dhe stabilitet.
Deklarata e tij, e bërë në një zonë të ndjeshme dhe në një moment delikat për marrëdhëniet Kosovë–Serbi, është interpretuar nga shumë si një provokim i qëllimshëm dhe pjesë e një fushate hibride të vazhdueshme të Serbisë për të zhvlerësuar sakrificën e popullit të Kosovës dhe për të sfiduar sovranitetin e shtetit.
Policia bën të ditur se me këto deklarata, Popoviq dyshohet se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe e mos durimit”.
“Në PKK Bërnjak është arrestuar i dyshuari shtetas i Serbisë për shkak se i njëjti dyshohet se gjatë një fjalimi në fshatin Hoqë e Madhe ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste duke i krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare. Me këto veprime i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale të lartcekur”, ka njoftuar policia.
Policia e Kosovës ka njoftuar se Popoviq është dërguar në mbajtje prej 48-orësh dhe i njëjti dyshohet për veprën “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se Policia e Kosovës ka vepruar me të drejtë duke ndaluar Igor Popoviqin, ndihmësdrejtor në Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, pas një fjalimi provokues në Rahovec kundër UÇK-së.
Ai thotë se ky është një tjetër provokim i qëllimshëm nga Beogradi për të sfiduar sovranitetin e Kosovës, veçanërisht në zonat e ndjeshme, duke shtuar se reagimi i institucioneve ishte i menjëhershëm dhe i domosdoshëm për të parandaluar nxitjen e urrejtjes dhe për të mbrojtur rendin kushtetues të shtetit.
“Policia e Kosovës me të drejtë mendoj unë ka ndaluar edhe më përpara zyrtarë serbë të ngarkuar tepër në frymën e tyre nacionaliste kundrejt luftës së lavdishme të UÇK-së dhe përsëri të Premten ka ndaluar ndihmësdrejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, sepse fjalimi i tij nuk ështtë për zbutje tensionesh ose harmoni në Kosovë Shtetë të Pavarur dhe Sovranë sepse pas një fjalimi provokues që ka mbajtur gjatë ditës në Rahovec kundër UÇK-së normalisht që reagohet menjëherë dhe dënohesh me ligjet në fuqi.
Është ky një provokim i radhës dhe i qëllimshëm nga ana e Beogradit për të testuar kufijtë e autoritetit të Kosovës në jugperëndim të vendit tonë.
Reagimin e institucioneve duhet përshëndetur si masë imediate për parandalimin e provokimeve konstante që vjen direkt nga Serbia dhe zyrtarët e establishmentit të kontaminuar atje”, thotë ai.
Tutje, ai shton se provokimet si ai i Igor Popoviq nuk kanë asnjë ndikim real në sigurinë e Kosovës, derisa e vërteta për luftën e lavdishme të UÇK-së është e pakontestueshme, ndërsa përpjekjet e Serbisë përmes propagandës hibride janë të dështuara dhe të destinuara për konsum të brendshëm. Në Kosovë nuk ka krizë etnike dhe asnjë narrativë e rreme nuk gjen më terren.
“Këto provokime nuk luajnë asnjë rol të vetëm në aspekt sigurie mendoj unë sepse nuk mund të shkaktojnë asnjë incident të vetëm për krijimin ose tensionimin ose shpikjen e narrativave historike për UÇK-në dhe luftën në Kosovën.
E vërteta e UÇK- së së lavdishme është e pastër si uji i kristalët dhe përpjekjet e Serbisë në këtë luftë të egër hibride që e zhvillon kundrejt Republikës së Kosovës janë të kota për konsumin e tyre të brendshëm, u shërbejnë për zhvendosje të vëmendjes, propagandë dhe dezinformatë por suksesin e kanë zero.
Nuk mund të krijosh agjendë të sigurisë në Kosovë kur nuk ke asnjë problem etnik, dhe thjeshtë nuk pinë ujë më në Kosovë asnjë gënjeshtër e asnjë zyrtari serb.
Dhe normalisht si në çdo vend demokratik dhe bashkëkohor përgjigjet para organeve të drejtësisë ky dhe të gjithë ata si ky zyrtarë i një shteti krejt tjetër” – përfundon ai.