Oferta për koalicion / Analisti tregon çka po e bllokon marrëveshjen Kurti–Limaj

Politika

Oferta për koalicion / Analisti tregon çka po e bllokon marrëveshjen Kurti–Limaj

Nga: P.R. Më: 22 korrik 2025 Në ora: 10:06
Albin Kurti dhe Fatmir Limaj

Teksa Kuvendi dështoi për herë të pesëdhjetë të konstituohet, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se beson që me Nismën Socialdemokrate, e cila udhëhiqet nga Fatmir Limaj, mund t’i bëjnë 61 votat e nevojshme për konstituimin e Kuvendit e më pas formimin e Qeverisë.

“Ndërkohë, ne duhet të qeverisim sepse i kemi kompetencat e kufizuara, por punët i kemi të shumta. Nuk jemi duke punuar më pak, ndonëse kemi më pak kompetenca, dhe në përputhje me nenin 31 të Ligjit për Qeverinë po punojmë vazhdimisht me gjithë ministrat në detyrë. Por, paralelisht me këtë, po japim shansin këtyre bisedimeve me Nismën Socialdemokrate që ta arrijmë numrin 61. Unë besoj që kjo është e mundshme dhe nevojitet të vazhdojnë bisedimet dhe vullneti politik, natyrisht. Unë kam bërë një ofertë për Nismën Socialdemokrate dhe nuk mund të diskutoj elementet përbërëse para se të finalizohen ato biseda. Unë uroj e shpresoj, sepse po punoj që kjo të bëhet këtë javë, të përmbyllet, e kësisoj ju kërkoj edhe pak durim, sepse në këtë fundjavë ose do ta kemi lajmin për marrëveshjen e arritur ose mungesën e tij”, tha Kurti, duke mos dhënë më shumë detaje të tjera.

E lidhur me mundësinë e një koalicioni mes Vetëvendosjes dhe Nismës, si dhe marrëveshjen Kurti–Limaj, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti Zejnullah Jakupi.

Image
Zejnullah Jakupi.

“Deklarata e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për mundësinë e bashkëpunimit me Nismën për të arritur shumicën prej 61 votash për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë është zhvillim domethënës në skenën politike të Kosovës. Kjo ngre disa skenarë të mundshëm dhe pyetje kyçe për ecurinë e negociatave. Ka disa skenarë të mundshëm: marrëveshje me Nismën për shumicë të thjeshtë (61 vota). Kjo do të mundësonte konstituimin e Kuvendit dhe më pas formimin e Qeverisë nga VV. Në këtë rast, Nisma do të shndërrohej në një partner të domosdoshëm, ndoshta edhe me ndonjë rol në qeveri apo drejtimin e ndonjë komisioni parlamentar”, shprehet Jakupi.

Një skenar tjetër që mund të ndodhë, sipas tij, është edhe dështimi në sigurimin e votave – bllokim institucional.

“Nëse VV nuk arrin të sigurojë 61 vota, mund të ndodhë bllokimi i konstituimit të Kuvendit, që do ta fuste vendin në një krizë politike dhe rrezik për zgjedhje të reja”, thekson Jakupi.

Por a mund të kemi një marrëveshje Limaj–Kurti?

“Po, është e mundur, por jo pa vështirësi. Kjo marrëveshje do të ishte marrëveshje pragmatike, jo ideologjike. VV dhe Nisma kanë dallime të dukshme në shumë çështje, por në politikën kosovare janë parë shpesh bashkëpunime të papritura kur e dikton nevoja e numrave. Limaj mund të jetë i hapur për negociata nëse i ofrohet një peshë reale në vendimmarrje — por gjithashtu nuk do të dëshirojë të shihet si ‘shërbëtor i VV-së’ pas zgjedhjeve ku VV doli forca dominuese”, deklaron Jakupi për “Bota sot”.

Por çfarë po e bllokon deri më tani një koalicion mes VV-së dhe Nismës?

"Mosbesimi i ndërsjellë – Kurti dhe Limaj nuk kanë pasur një marrëdhënie të mirë politike në të kaluarën. Nisma është parë si pjesë e “establishmentit të vjetër”, që VV e ka kritikuar vazhdimisht. Presioni publik mbi VV-në – Një pjesë e elektoratit të VV-së do ta shihte si kontradiktë nëse Kurti hyn në aleancë me Nismën, të cilën më parë e ka akuzuar për afera dhe klientelizëm. Kushtet e Nismës – Nisma mund të kërkojë më shumë sesa VV është e gatshme të japë (poste, garanci politike apo ndonjë “veto” në çështje të caktuara). Taktika negociuese – Është gjithashtu e mundur që Kurti të përmendë Nismën për të ushtruar presion mbi PDK-në apo LDK-në, në kuadër të negociatave më të gjera politike", shpjegon Jakupi.

“Një marrëveshje VV–Nisma nuk përjashtohet, por është e vështirë dhe kërkon kompromis nga të dy palët. Nëse Kurti arrin t’i sigurojë votat pa lëshuar shumë në parime, do ta shihte si fitore strategjike. Por, nëse negociatat dështojnë, vendi mund të përballet me një ngërç të ri politik, që mund të çojë në zvarritje të konstituimit të institucioneve apo edhe në një proces të ri zgjedhor”, përfundon analisti Zejnullah Jakupi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat