Akuza dhe kundër akuza Kurti dhe Vuçiq, ish- ambasadori “godet”: Bëhet me qëllim që të...

Politika

Akuza dhe kundër akuza Kurti dhe Vuçiq, ish- ambasadori “godet”: Bëhet me qëllim që të...

Nga: N.E Më: 22 korrik 2025 Në ora: 17:55
Albin Kurti- Aleksander Vuciq

Serbia dhe presidenti i saj, Aleksandër Vuçiq, nuk po i ndalë kërcënimet ndaj Kosovës.

Vuçiq së fundmi ka deklaruar për “pasoja të paparashikueshme” për Kosovën pas arrestimit të Igor Popoviqit, ndërsa një reagim ndërkombëtar për deklarimin e tij nuk ka pasur.

Në anën tjetër, nga Kosova i janë kundërpërgjigjur kërcënimeve të tij, duke u shprehur të përgatitur për sfidat që mund të ndodhin.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, pas kërcënimeve të Vuçiqit ka mbajtur një konferencë për media, duke thënë se Policia është e përgatitur për të gjitha sfidat që mund të ndodhin në vend në aspektin e sigurisë.

Drejtori Hoxha, e ka cilësuar situatën të qetë dhe stabile, përveç pjesës së veriut të vendit, ku sipas tij, vazhdon të jetë e brishtë, shkak i grupeve kriminale serbe.

Në një konferencë për media në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave (AME), Hoxha u pyet nga gazetarët për këto kërcënime, ku tha se nuk ka se çka të shtoj më shumë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pasi që dihen qëllimet politike të Serbisë.

“Ne i dimë qëllimet e politikës së Serbisë, nuk është që gjithmonë kanë qenë apo fare herë kanë qenë në përkrahje të paqes dhe sigurisë në vendin tonë. Ne jemi të përgatitur për të gjitha sfidat që mund të ndodhin në vendin tonë edhe po ashtu situata e sigurisë së Kosovës është e qetë dhe stabile përveç pjesës së Veriut, ku vazhdon të jetë e brishtë për shkak të veprimeve të politikës që shpeshherë qeveria e Serbisë, përveç grupeve të ndryshme kriminale, ekstremiste e terroriste i shkakton në pjesën veriore të Kosovës”, tha Hoxha.

Këto kërcënime erdhën pas arrestimit të zyrtarit serb në Kosovë, Igor Popoviq, i cili u arrestua javën e kaluar për deklaratat e tij nxitëse të dhëna në Hoçë të Rahovecit kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë të hënën se deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë kërcënuese, destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme.

Duke komentuar përplasjen Kurti- Vuçiq, ish- ambasadori Avni Arifi, thotë se kjo bëhet për të larguar vëmendjen nga problemet reale.

Sipas Arifit, konfrontimi mediatiko- patriotik u bën mirë të dyve.

“Të dyve, edhe Vuçiqit edhe Kurtit, u shkojnë në këtë fazë “konfrontimet patriotike nga distanca”, sepse ua tërheq vëmendjen njerëzve nga problemet reale që të dy i kanë shkaktuar në vendet e tyre. Vuçiqi ka problemet reale me protesta masive e Kurti e ka bllokuar Kuvendin se dëshiron Lenën Kryetare të Kuvendit. Konfrontimi mediatiko-patriotik u bën mirë të dyve”, deklaron Arifi për “Bota sot”.

Image
Avni Arifi

Tutje, ai thotë se dialogu është në vdekje klinike.

“Sa i përket dialogut, ai është në vdekje klinike dhe nuk luan asnjë rol këtu, siç nuk luan rol as bashkësia ndërkombëtare’, shton Arifi.

Nga 14 shtatori i vitit 2023 deri më 26 qershor 2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk shkuan në Bruksel për një rund bisedimesh, ndërsa ndërkombëtarët bëjnë thirrje që ai të rifillojë dhe palët të ulen në tavolinën e bisedimeve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat