Ndarja e posteve vendos fatin e koalicionit LVV-Nisma Socialdemokrate

Politika

Ndarja e posteve vendos fatin e koalicionit LVV-Nisma Socialdemokrate

 Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 23 korrik 2025 Në ora: 16:01
Limaj, Kurti

Afati i fundit i Gjykatës Kushtetuese, i cili obligon deputetët të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh, ka aktivizuar skenën politike.

Negociatat mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës Socialdemokrate po vazhdojnë për të arritur një marrëveshje për qeverisje.

Këtë e ka konfirmuar edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëkohësisht edhe fituesi i zgjedhjeve të 9 shkurtit, Albin Kurti. Ai në një konferencë për media ka deklaruar se i ka bërë një ofertë kreut të Nismës, Fatmir Limajt.

“Lëvizja Vetëvendosje, unë si kryeministër në detyrë dhe si kryetar i subjektit fitues të zgjedhjeve, kemi shprehur tashmë jo vetëm interesimin, por edhe gatishmërinë për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate. Në përputhje me këtë, unë kam bërë pak a shumë edhe një ofertë konkrete për Nismën Socialdemokrate, në mënyrë që gjithçka të përmbyllet sa më shpejt e sa më mirë, dhe ta kemi konstituimin e Kuvendit, si dhe qeverinë e re. Mirëpo, kur këto bisedime të përmbyllen me rezultatin final, atëherë do të mund të flasim për hollësitë e përmbajtjes së saj”, tha ai në konferencën për media.

Kjo nuk është hera e parë që këto parti tentojnë të arrijnë një marrëveshje.

Por, këtë herë, a do të ketë marrëveshje mes tyre, dhe cila do të jetë ndarja e posteve?

Ekspertët shprehin skepticizëm nëse Kurti do t’i plotësojë kësaj here kërkesat e Limajt.

Majkovci: Kurti nuk ofron pozitën e Kryetarit të Kuvendit, por kërkon bashkëpunim në ekzekutiv

Politologu Fahredin Majkovci, në një prononcim për “Bota sot”, ka shprehur keqardhje që ende nuk është arritur një epilog, ndërsa ka theksuar se përballë presionit kohor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, palët janë të detyruara të gjejnë një zgjidhje, pasi qytetarët janë lodhur nga seancat e dështuara.

“Lajmi se Kryeministri Kurti i ka bërë një ofertë z. Fatmir Limaj, është tregues i përpjekjeve për të dalë nga bllokada politike në të cilën ndodhet vendi.

Image
Fahredin Majkovci

Megjithatë, përtej ofertës dhe kërkesave të partive, mbetet për keqardhje që kjo çështje nuk ka marrë ende epilog, ndërkohë që jemi dëshmitarë të dështimit të seancës së 50-të të Kuvendit të Kosovës.

Në bindjen time, përballë presionit kohor të përcaktuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, palët janë të detyruara të arrijnë një marrëveshje. Fundja, qytetarët janë lodhur nga seanca të dështuara”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Majkovci ka deklaruar se nëse diskutohet ndarja e posteve qeveritare, gjithçka do të varet nga pesha politike e secilës palë.

Ai ka shtuar se sipas deklarimeve publike, duket se Limaj është më i interesuar për një bashkëpunim në Kuvend.

“Nëse flasim për ndarjen e posteve qeveritare, gjithçka do të varet nga pesha politike e palëve. Deri tani, nga ajo që është artikuluar në publik, duket se z.Limaj është i interesuar për një partneritet në Kuvend, me theks të veçantë në reformën zgjedhore, përkatësisht uljen e pragut zgjedhor. Kjo mbase do t’i mundësonte partisë së tij një të ardhme parlamentare pa qenë e detyruar të lidhë koalicione parazgjedhore”, ka deklaruar ai.

Tutje, ai ka potencuar se Kurti nuk është i gatshëm të ofrojë pozitën e Kryetarit të Kuvendit, por preferon një bashkëpunim në ekzekutiv.

Majkovci ka folur edhe për çështjen e Presidentit, ku thekson se nuk mund të jetë pjesë e këtyre negociatave.

“Në anën tjetër, Kryeministri Kurti nuk duket i gatshëm të ofrojë pozitën e Kryetarit të Kuvendit, por është më i interesuar për një bashkëpunim në ekzekutiv. Si do të përmbyllet ky proces, mbetet për t’u parë, por unë mbetem optimist se marrëveshja do të arrihet.

Sa i përket çështjes së Presidentit, ajo nuk mund të jetë pjesë e këtyre diskutimeve, për faktin se zgjedhja e Presidentit kërkon 80 vota në Kuvend dhe për këtë nevojitet një marrëveshje shumë më e gjerë politike.

Në fund, përtej pozicioneve të partive, ajo që ka më shumë rëndësi sot për qytetarët është që Kosova të ketë një qeveri funksionale dhe institucione stabile”, ka përfunduar Majkovci.

Ramadani paralajmëron bllokadë për ndarjen e posteve në qeveri

Ndërkaq, opinionisti Albert Ramadani ka theksuar se çdo marrëveshje mes LVV-së dhe Nismës Social-Demokrate, pa sigurimin e 61 votave bashkë me deputetët e komuniteteve pakicë, nuk ka efekt real.

Sipas tij, ofertat dhe propozimet mes liderëve Albin Kurti dhe Fatmir Limaj janë të pavlefshme pa një marrëveshje të gjerë që përfshin edhe pakicat

Image
Albert Ramadani

“Po si do që të jetë, para dhe pas prononcimit të liderit të LVV-së, lidhur me ndonjë marrëveshje me liderin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, asnjë marrëveshje apo ofertë – pavarësisht se çfarë kërkon Limaj dhe çfarë i ofron Albin Kurti – nuk ka efekt pa i siguruar bashkë LVV-ja dhe Nisma 61 vota. Propozimet apo ofertat janë të pavlefshme.

Lideri i LVV-së dhe ai i Nismës duhet t’i thërrasin deputetët e partive të pakicave, fillimisht për të bërë një marrëveshje LVV–Nisma–Pakicat, që të sigurohet një marrëveshje parimore për votim, e më pas të krijojnë marrëveshje për ndarjen e posteve, nëse LVV mendon se i ka votat për krijimin e qeverisë.

Pa një marrëveshje parimore mes LVV-së, Nismës dhe deputetëve të pakicave, nuk ka vlerë se çfarë i ofron Albin Kurti liderit të Nismës, Fatmir Limaj, sepse nuk krijon asnjë rezultat.

Por si LVV-ja, ashtu edhe të gjitha partitë politike në Kuvend, duhet më në fund që ngerçi të tejkalohet vetëm me një marrëveshje të përbashkët për qeverisje deri në një datë të caktuar, kur partitë politike do të merren vesh që do të qeverisin deri atëherë, duke shtyrë përpara disa procese që e nxjerrin Kosovën nga ky kollaps institucional”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, Ramadani ka vlerësuar se pakicat kanë kërkesa të ndryshme për poste kyçe si zëvendëskryeministër dhe ministra, dhe për shkak të mos-harmonizimit të tyre, ndarja e posteve në qeveri mes LVV-së, Nismës dhe pakicave është e vështirë.

“Po në qoftë se Kurti i ka 10 deputetë të pakicave që i japin siguri qeverisjes, postet i ndajnë shumë shpejt.

Shtrohet pyetja: a i ka ai votat e minoriteteve?

Shtrohet pyetja se sa mund të mbijetojë kjo qeveri dhe nëse ka jetëgjatësi deri në prill të vitit 2026.

Unë nuk shoh dritë në këtë "tunel të bllokuar", as me pakicat në situatën ku gjendet Kosova.

Nuk mendoj që deputetët minoritarë janë të lehtë për t’ua plotësuar kërkesat, sepse janë 10, por secili ka 3-4 kushte. Mundësitë janë zero që të dilet nga kriza me tre deputetët e Nismës dhe të pakicave.

Pakicat kanë kërkesa për postin e zëvendëskryeministrit, ministra kyç, dhe për më tepër, minoritetet kanë qëndrime të ndryshme.

Në fund, nuk mendoj se do të krijohet qeveria e re vetëm me LVV, Nismën dhe pakicat.

Duke ditur që deputetët minoritarë kanë kërkesat e ndara veç e veç, ata nuk janë grup i harmonizuar, sepse vijnë nga shumë parti.

Unë them se 61 vota krijojnë institucione, por nuk krijojnë qëndrueshmëri institucionale.

Me 61 vota nuk kalohen marrëveshjet e rëndësishme ndërkombëtare, si për thithjen e fondeve apo për çështje sigurie ku përfshihet ndihma e FSK-së.

Nuk kalohet buxheti dhe asgjë vitale.

Me 61 vota, ku gjendet Kosova mbahet si kur të "mbajmë një person të sëmurë me oksigjen", por nëse i’a largojmë vetëm pak – apo vetëm një përqind (1%) – dihet se si përfundon”, ka cilësuar Ramadani.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat