Vjosa Osmani i drejtohet Kushtetueses – Reagojnë njohësit e drejtësisë: Ja çfarë kërkojnë

Politika

Vjosa Osmani i drejtohet Kushtetueses – Reagojnë njohësit e drejtësisë: Ja çfarë kërkojnë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 23 korrik 2025 Në ora: 20:01
Vjosa Osmani

Kanë kaluar disa muaj që nga zgjedhjet parlamentare në Kosovë, por vendi vazhdon të jetë pa institucionet e reja.

Deputetët e rinj nuk po arrijnë të konstituojnë kuvendin e Kosovës pavarësisht përpjekjeve që tashmë janë bërë në numër dy shifror.

Në anën tjetër, Gjykata Kushtetuese ka dhënë verdiktin e saj që Kuvendi të konstituohet deri më 26 korrik dhe duke u afruar ky afat nuk po afrohet zgjidhja.

Për një zgjidhje edhe pas 26 korrikut, presidentja Vjosa Osmani ka dorëzuar të martën (22 korrik), në Gjykatë Kushtetuese kërkesë për qartësi se çfarë ndodhë pas 30 ditëshit të përcaktuar me aktgjykimin e fundit për konstituimin e Kuvendit.

“Dua të iu njoftoj që sot në përmbushje të përgjegjësisë sime kushtetuese për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve të vendit kam paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të shqyrtuar konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuar nga mungesa e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kjo është një kërkesë që paraqitet pas një situate të paprecedentë në jetën institucionale të vendit tonë, ku pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka paraqitur afatin kushtetues të detyrueshëm kanë mbetur vetëm pak ditë”, ka thënë Osmani.

Por, e para e shtetit ka shtuar se nuk shihen në horizont as kompromisi as konsensusi brenda këtij afati kushtetues.

“Duke qenë se çdo afat i detyrueshëm kushtetues e çdo moszbatim i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese duhet të ketë edhe pasoja juridike, por ato nuk janë sqaruar në aktgjykimin paraprak, kërkesa jonë është kërkesë për qartësimin e pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit 30 ditësh. Kjo kërkesë ka karakter preventiv, është kërkesë që bëhet për shkak të parandalimit të pasojave të pariparueshme dhe është në përputhje të plotë me Kushtetutën e praktikat e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh ajo.

Sipas saj, nëse ka ndonjë sukses në konstituimin e Kuvendit brenda 4 ditësh ata mund ta tërheqin kërkesën.

“Edhe pse qartësitë për çështjet që i kemi ngritur në këtë kërkesë ne besojmë që janë esenciale jo vetëm për këtë legjislaturë, por edhe në të ardhshmet”, ka theksuar presidentja.

Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani ka shtuar se bashkë me kërkesën për interpretim, kanë paraqitur kërkesën për masë të përkohshme për pezullim të rrjedhjes së afatit prej 30 ditësh.

“Kërkesa për masë të përkohshme është mundësi që të shmanget futja e institucioneve në një bllokadë pafund dhe hyrja në një situatë ku institucionet do të mund të krijoheshin në mënyrë kundërkushtetuese e do të ishin të pasafatshme. Kërkesa është që të parandalohet dëmi i pariparueshëm e të mbrohet interesi publik, dy kritere që duhet të plotësohen për masë të përkohshme. Përkundër përpjekjeve të mija të vazhdueshme për të lehtësuar komunikimin e bashkëpunimin mes subjekteve politike, Kuvendi ende nuk është konstituuar”, ka shtuar Osmani para gazetarëve.

Njohësit e drejtësisë kanë folur rreth kërkesës së presidentes Osmani, duke thënë se është e rëndësishme të sqarohet kjo çështje, por pezullimi e degradon kushtetutën.

Rëndësia dhe nevoja për qartësim nga ana e Gjykatës Kushtetueses

Avokati Ardian Bajraktari, ka thënë se Gjykata që nga viti 2018 nuk është marrë me shqyrtimin e kërkesave në formë pyetje.

Ai ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të jetë më e qartë.

“Sa i përket kërkesës së Presidentes në adresë të Gjykatës Kushtetuese, fillimisht duhet parë nëse Gjykata do ta shqyrton këtë çështje, ngas nga viti 2018 e këndej nuk është marrë me shqyrtimin e kërkesave të adresuara në formë të pyetjeve, megjithatë mbetet të shihet se si do të veprohet në rastin konkret. Sikur Gjykata Kushtetuese në rastin e akgjykimit të parë të ishte më e qartë veçmas tek pjesa e dispozitivit, nuk do të kishte nevojë për një kërkesë të tillë”, ka deklaruar Bajraktari.

Image
Avokati Ardian Bajraktari

Tutje, ai ka thënë se është e rëndësishme të sqarohet kjo çështje.

“Po ashtu është e rëndësishme në drejtim të sqarimit të kësaj çështje e veçmas veprimet e kryesuesit të seancës pas publikimit të aktgjykimit, sipas kërkesave të adresuara në Gjykate nga ana e dy subjekteve politike PDK dhe LDK”, ka shtuar avokati.

Ish- opozita e ka konsideruar të vonuar kërkesën e presidentes Vjosa Osmani drejtuar Gjykatës Kushtetuese, për sqarim lidhur me atë se çfarë do të ndodhë pas datës 26 korrik, në rast se deri atëherë nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës.

Sipas tyre, situata nuk është e mirë, gjersa kërkojnë që gjë nuk është mirë që Kushtetuesja të mos vonojë me vendimet e saj.

Blerje kohe dhe nevoja për shpalljen e zgjedhjeve të reja

Ndërsa, juristi Blerim Burjani, thotë se është e drejtë e Presidentes që të kërkojë këtë masë, por ajo mund të sjellë pasoja për shtetin.

Sipas tij, nuk është aspak pozitive kjo që po ndodh.

“Gjykata përgjigjet në afat prej 72 orëve në rastet urgjente, por masa e përkohshme e propozuar është në kundërshtim me aktgjykimin. Është e drejtë e Presidentes të kërkojë këtë masë, por kjo mund të sjellë pasoja për shtetin. Pezullimi e degradon më tutje Kushtetutën dhe e prish funksionalitetin e domosdoshëm të shtetit. Askush nuk ka të drejtë të luajë politikisht dhe me të drejta për ta fundosur vendin. Andaj, nuk është aspak pozitive që ndodh kjo. Nuk tolerohet më shkelja e Kushtetutës që nga 9 shkurti. Humbja e kohës së vlefshme dhe mosshërbimi për qytetarët është i papranueshëm për shkak të interesave partiake”, ka deklaruar Burjani.

Image
Blerim Burjani

Ai ka kërkuar që presidentja të shpallë zgjedhje të reja, duke shtuar se vendimi i Gjykatës 30 ditor nuk mund të pezullohet në asnjë masë.

“Presidentja nuk mund t’i mbrojë mandatet e deputetëve, sepse edhe vetë bëhet pjesë e shkeljes. Ajo duhet të kryejë obligimet e saj dhe të shpallë zgjedhjet javën tjetër. Javën tjetër ajo duhet të shpallë zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve të ardhshme. Vendimi i prerë i Gjykatës, 30-ditor, nuk mund të pezullohet me asnjë masë. Nëse e bën këtë, kjo Gjykatë e ka shkelur vendimin e vet dhe Kushtetutën”, ka shtuar Burjani.

Të mërkurën, ka dështuar përpjekja e 51-të për konstituimin e Kuvendit, ky dështim nuk ka ardhur për shkak të votave, por për shkak të përplasjes verbale të kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit dhe deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat