Zogaj e quan tragjike varësinë politike nga vota e Duda Baljes/ Ja çka paralajmëron nëse arrihet marrëveshja Kurti- Limaj

Politika

Zogaj e quan tragjike varësinë politike nga vota e Duda Baljes/ Ja çka paralajmëron nëse arrihet marrëveshja Kurti- Limaj

Nga: N.E Më: 24 korrik 2025 Në ora: 16:10
Albin Kurti- Fatmir Limaj

Të shtunën skadon afati i Gjykatës Kushtetuese e cila ka urdhëruar deputetët që të konstituojnë kuvendin.

Gjersa, afati po afron tashmë ka raportime për bisedime më “intensive” kjo në mes partisë fituese, Lëvizje Vetëvendosje, Nisma-s si dhe komuniteteve jo serbe.

Të mërkurën, deputetja nga radhët e Nisma-s, Xhevahire Izmaku, ka ndarë detaje nga takimi i fundit mes Fatmri Limajt dhe Albin Kurtit në lagjen Pejton të Prishtinës.

Izmaku ka treguar se ky takim ishte bërë me ftesë të Limajt dhe kishte zgjatur rreth dy orë.

Ajo ka thënë se me tri votat e NISMA-s lehtësohet zgjidhja e bllokadës politike.

“Takimi ka zgjatë dy orë. Ftesa ishte e Limajt. Tri votat tona e afrojnë zgjidhjen e këtij problemi”, ka thënë ajo.

Derisa kur bëhet fjalë edhe për një ose dy votat e tjera për arritjen e 61-shit, ajo përmend deputeten Duda Balje dhe Veton Berishën, si dy deputetë që ende s’kanë treguar pozicionin e tyre final.

“Nuk e dimë a është një apo dy. S’ka deklarata përfundimtare as të Vetonit as të Dudës për pozicionimin”, ka thënë tutje ajo.

Në anën tjetër, deputetja boshnjake, Duda Balje, ka thënë se kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, e ka kontaktuar atë për të biseduar dhe tha se e ka pyetur nëse ajo dëshiron ndonjë pozitë.

Balje tha se me Vetëvendosjen s’ka biseduar përveçse me Limajn.

“Me Fatmirin kemi biseduar, por me Vetëvendosjen jo. Jam e sigurt që Vetëvendosje e di vendimin të cilin e kam marrë. Me Fatmirin kemi biseduar, por mendoj se ai e ka kuptuar arsyetimin tem dhe vendimin që e kom marrë”, tha ajo për median.

“Cila ka qenë kërkesa e Fatmir Limajt?”, ishte pyetja për Baljen.

“Jo kurgjo veç ka thënë a ka mundësi me bisedu, a do naj pozitë a najsen. Unë s’du pozitë as kurgjo, kërkesa ka qenë për boshnjakë”.

Balje thotë se ia ka shpjeguar qëndrimin e saj se për vete s’dëshiron asgjë përveç kërkesës për komunë boshnjake.

“Unë nuk du as pare as poste, nuk du me qenë as ministreshë. Send nuk du për veti, as për partinë nuk du kurgjo, është kërkesa nacionale (për komunë boshnjake). Unë nuk du me bashkëpunu me Albin Kurtin sepse nuk kam besim. S’mundësh me punu me dikan që s’ki besim. As Albini s’ka besim tek unë”, ka shtuar Balje.

Në anën tjetër, deputeti nga Nisma, Fatmir Limaj, ka thënë se me Baljen nuk ka pasur takim të veçantë, por vetëm diskutime të zakonshme siç bëjnë rëndom deputetë ndërmjet vete.

‘’Nuk është puna e imje me i ofru diçka. Takohemi çdo ditë, ashtu siç takohen e bisedojnë deputetët mes vete. Deputetja Balje i ka paraqitur arsyet e vet pse nuk do me votu dhe jemi në rregull’’, ka thënë Limaj.

Rreth kësaj situate, votës së Baljes dhe kërkesës së saj, ka folur analisti politik Skënder Zogaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Zogaj thotë se fati i shumicës është i varur, i kushtëzuar nga pakicat dhe kjo e kushtëzon rrjedhën historike.

Sipas tij, minoritetet kanë të drejta më të larta se që kanë vendet me demokraci më të avansuar.

“Bllokimi i Kuvendit është faqja e zezë e Kosovës, që po i bëhet nga bijtë dhe bijat e saja! Dhe fatkeqësia është se bijtë dhe bijat janë të zgjedhurit e popullit shqiptar në shtetin e tyre dhe në sistemin demokratik ku vota është e lirë dhe e vullnetit personal të çdo votuesi! E gjithë kjo mundësi është dhurata që, po keqpërdoret brutalisht, prandaj na ka ardhur puna që të jemi të varur nga "mëshira" e minoritarëve, të cilëve në Kosovë u janë dhënë të drejtat më të larta, që nuk i kanë as në vendet me demokraci më të avansuar! Prandaj, praktika po tregon se, diçka nuk është në rregull sepse, siç po shihet, në Kosovën sot, fati i shumicës është i varur i kushtëzuar, nga pakicat, që e kushtëzon rrjedhën historike!”, deklaron Zogaj.

Image
Skënder Zogaj

Ai e konsideron tragjedi të llojit të vet, kërkesën e Balajt, gjersa shton se nëse Limaj arrinë marrëveshje me Kurtin, atëherë vota e saj është e garantuar.

“Shembulli i Duda Balajt është argumenti konkret që na del të jetë çelësi i zhbllokimit të ngërçit! Kjo është një tragjedi e llojit të vet, kur kemi parasysh që heroi i luftës Fatmir Limaj ta lyp votën e Duda Balajt, për të cilën më e rëndësishme se Kosova është një post sa më i lartë si mundësi për zhvatje sa më të madhe! Ky është interesi i Duda Balajt, që nuk ka asgjë të sinqertë e parimore! Bile bile, sa është bë e njohur Duda, nuk çan kokën fare as për komunitetin që e përfaqëson, sepse, janë të njohur shumë emra nga komuniteti i saj, që janë figura të denja morale e profesionale që do të duhej të ishin zgjedhur para Dudës, qëndrimi publik i së cilës, jo vetëm ndaj Albin Kurtit, por ndaj të gjithëve ka qenë dhe është i "rrëshqitshëm" sipas rrethanave, që Duda, deri tash i ka shfrytëzuar mirë. Nëse Fatmir Limaj arrinë marrëveshje me Albin Kurtin, vota e Duda Balajt është e garantuar...”, shton analisti.

Kujtojmë se nesër do të mbahet përpjekja e 52-të për konstituimin e kuvendit, ndërsa nesër pritet të marrin pjesë edhe ambasadorët e shteteve mike.

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë njofton se duke pasur parasysh se nesër është mundësia e fundit për të konstituuar Kuvendin para afatit të Gjykatës Kushtetuese, Ambasadori Rohde, së bashku me kolegë të tjerë ndërkombëtarë, planifikon të marrë pjesë në seancën në parlament.

“Duke pasur parasysh se nesër është mundësia e fundit për të konstituuar Kuvendin para afatit të Gjykatës Kushtetuese, Ambasadori Rohde, së bashku me kolegë të tjerë ndërkombëtarë, planifikon të marrë pjesë në seancën në parlament”, thuhet në njoftim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat