Vendi drejt zgjedhjeve të reja, analistët tregojnë kush fiton e kush humb në vota

Politika

Vendi drejt zgjedhjeve të reja, analistët tregojnë kush fiton e kush humb në vota

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 26 korrik 2025 Në ora: 08:09
Foto ilustrim

Më 24 korrik, Gjykata Kushtetuese mori vendim për masë të përkohshme, përmes së cilit ua ndalon deputetëve çdo veprim në drejtim të konstituimit të Kuvendit në periudhën 27 korrik – 8 gusht.

E Kuvendi i Republikës së Kosovës dështoi të konstituohet edhe në përpjekjen e radhës, ani pse Gjykata Kushtetuese u kishte dhënë kohë deri më 26 korrik për ta finalizuar procesin e konstituimit të Kuvendit.

Përballë kësaj bllokade politike që është krijuar, disa politikanë nuk e kanë përjashtuar as mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Se vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja, e thonë edhe analistët politikë. Sipas tyre, zgjedhjet e reja shihen si e vetmja zgjidhje për të dalë nga ngërçi politik. 

Por, ata paralajmërojnë bojkot qytetar ndaj partive në rast se vendi shkon edhe një herë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Rënie e partive në pushtet, forcim i opozitës

Analisti Nexhat Haziri thekson se, pavarësisht se shihen si zgjidhje, zgjedhjet e reja mund të kthehen në bumerang për Kosovën në rast se mbahen bashkë me zgjedhjet lokale.

“Zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje për të dalë nga ky ngërç politik e institucional, por që është shumë e rëndësishme se kur do të mbahen këto. E them këtë për arsye se nëse këto zgjedhje mbahen në të njëjtën datë me zgjedhjet lokale, e që për një gjë të tillë po angazhohet LVV-ja, ky proces edhe mund të kthehet në bumerang për Kosovën, pasi në vend se të prodhojë zgjidhje, do të mund ta komplikojë edhe më shumë situatën apo ta thellojë krizën, duke pasur parasysh tendencën e deformimit të procesit zgjedhor të 9 shkurtit të këtij viti, ku procesi zgjedhor u përcoll me shumë probleme, dhe paramendo kur zgjedhjet parlamentare të organizohen në të njëjtën ditë me ato lokale, ku do të kemi tre fletë të votimit – një për deputet me mundësinë e votimit të 10 kandidatëve nga një parti, fleta e votimit për kryetar të komunës dhe ajo për asamblistët e komunave,” shprehet Haziri.

Image
Analisti Nexhat Haziri

Sipas tij, partitë politike duhet të merren vesh për formimin e një qeverie teknike para se të vendosin që ta çojnë vendin në zgjedhje.

“Andaj për të pasur një proces zgjedhor të drejtë, e që prodhon zgjidhje, duhet që paraprakisht të kemi një marrëveshje politike që do të çojë në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e një qeverie teknike që do ta përgatisë vendin për zgjedhjet e parakohshme, të cilat do të mbaheshin diku në muajin prill të vitit të ardhshëm, periudhë kjo në të cilën edhe i përfundon mandati i presidentes së vendit, znj. Osmani,” deklaron Haziri.

Në rast se shkohet në zgjedhje, analisti parashikon rënie në vota të partive në pushtet dhe rritje të partive opozitare.

“Sa i përket asaj se si do të reflektojë ky ngërç politik e institucional, është i pashmangshëm që partia që doli e para nga zgjedhjet e 9 shkurtit ta paguajë koston e mosveprimit apo edhe të pengimit të formimit të institucioneve, sidomos me mosgatishmërinë e saj për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Dhe mbi bazën e kësaj pres rënie të LVV-së dhe rritje të dy subjekteve politike – PDK-së dhe LDK-së – por që gjithashtu kjo rënie e LVV-së mund të shfrytëzohet edhe nga ndonjë parti e re politike, që me shumë gjasa do të jetë ajo e presidentes aktuale, znj. Osmani,” thotë Haziri.

“Po ashtu, rënia e LVV-së nuk do të jetë vetëm si pasojë e ngërçit politik e institucional, por kjo do të jetë gjithashtu edhe pasojë e skandaleve të mëdha të korrupsionit, të cilat po shfaqen çdo ditë e më shumë, duke e nxjerrë LVV-në si një parti qeverisëse e korruptuar si të tjerat që kanë qeverisur më parë – pra njëjtë me PDK dhe AAK – dhe shumë më e korruptuar se sa LDK-ja në qeverisjet e saj,” përfundon analisti Nexhat Haziri për “Bota sot”.

AAK dhe Nisma nuk e kalojnë pragun

Kurse, analisti Faton Mehmeti thotë se, në rast të zgjedhjeve të reja, AAK dhe Nisma mbesin jashtë Kuvendit.

“Duke parë situatën aktuale, së pari besoj se në rast të zgjedhjeve të reja, bojkoti do të jetë më i madh. Qytetarët duken të dëshpëruar me të gjithë, kështu që mundësia për dalje të numrit të vogël të votuesve është shumë e madhe. Sigurt dihet se AAK dhe Nisma mbesin jashtë Kuvendit. LDK do të ketë rënie diku me 2-3%, pra nuk shkon më shumë se 15%, përveç në rast se Vjosa jep dorëheqje dhe bashkohet me LDK (opsion i përfolur),” deklaron Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

“Derisa PDK besoj se do të mbetet aty ku është – nuk shoh premisa për rritje apo rënie, pavarësisht se kë e nominojnë për kryeministër. Derisa VV mund të rritet nëse mobilizon diasporën sikur më 14 shkurt 2021, nëse jo, mund të ketë edhe rënie,” shpjegon Mehmeti.

Për fund, ai thotë se Vetëvendosje po luan me zjarrin, ani pse doli fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Besoj se VV po luan me zjarr. Kurti është mësuar kështu dhe faktikisht deri tani i ka dalë mirë. Mbetet të shihet si e kanë lexuar qytetarët bllokadën, ngërçin dhe kujt ia faturojnë ata më shumë përgjegjësinë,” përfundon analisti Faton Mehmeti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat