Ligjëruesi flet për ngërçin e 53-të/ Përmend hapat urgjentë e të guximshëm: Strukturat e fshehta po tentojnë të zhbëjnë themelet e Republikës!

Politika

Ligjëruesi flet për ngërçin e 53-të/ Përmend hapat urgjentë e të guximshëm: Strukturat e fshehta po tentojnë të zhbëjnë themelet e Republikës!

Nga: M.H. Më: 26 korrik 2025 Në ora: 20:49
Kuvendi i Kosovës

Gjatë ditës së sotme deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës dështuan sërish në tentimin e 53-të për konstituimin e Kuvendit, përpara se të mbyllet afati 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, tha se seanca do të vazhdojë sërish sot në orën 22:00, për një tentativë të fundit, të 54-t.

Në vendimin e saj më 26 qershor, Kushtetuesja urdhëroi që brenda afatit prej 30 ditësh të përfundojë procesi i konstituimit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendi. Ky afat përfundon sot në mesnatë.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur ligjëruesi në Universitetin e Hamburgit si dhe doktori i shkencave në gjeopolitikë dhe marrdhënie ndërkombëtare, Mirsad Voca.

Ligjëruesi dëshiron të theksojë se kriza politike në Kosovë nuk është vetëm një mosmarrëveshje procedurale, por pasqyron një përplasje të thellë midis institucioneve demokratike dhe një "shteti të fshehtë" të trashëguar, i cili vazhdon të ushtrojë ndikim të fshehtë e të rrezikshëm në jetën politike e shtetërore.

Image
Mirsad Voca

“Në rrjedhën e zhvillimeve me të fundit politike në Kosovë, shumëkush po e përjeton krizën rreth konstituimit të Kuvendit si një ndeshje procedurale mes shumicës dhe opozitës. Por një shikim më i thellë na çon përtej sipërfaqes së konfliktit formal dhe na nxit të reflektojmë mbi mekanizma më të fshehur, më të përhershëm dhe më te rrezikshëm për jetën demokratike të shtetit.

Po ndodh një përplasje midis shtetit të ligjit të zgjedhur nga qytetarët dhe një deep state të trashëguar nga dekadat e mëparshme të qeverisjes, i cili nuk është çmontuar as në këto pesë vite të qeverisjes së tanishme. Ky aparat paralel i pushtetit, i përbërë nga struktura të mbijetuara ne drejtësi, ekonomi, polici dhe media, duket se vazhdon të kete ndikim të padukshëm, por të qëndrueshëm, në drejtimin e shtetit”, u shpreh ai.

Voca tutje argumenton se sulmet ndaj kryeministrit Kurti dhe krizat aktuale janë pjesë e një strategjie të mirëorganizuar nga forca të vjetra të pushtetit që përpiqen të rikthehen në skenë jo përmes votës, por përmes destabilizimit institucional dhe manipulimit mediatik, duke shmangur llogaridhënien për korrupsionin e së kaluarës.

“Sot, në vend të një reflektimi të thellë për të dalë nga ngërçi institucional, po shohim një eufori publike dhe mediatike për të goditur më shumë kryeministrin Kurti sesa për të ndihmuar një zgjidhje reale demokratike. Kjo eufori nuk është as spontane, as naive. Ajo është pjesë e një strategjie më të rafinuar për restaurimin e një rendi të vjetër, që ndjen se po i rrëshqet toka nën këmbë. Intervistat nga burgu të figurave të ish regjimit nuk janë të rastësishme por që ato janë pjese e një simbolike politike që synon të rikthejë fuqinë e dikurshme, jo përmes votës, por përmes destabilizimit institucional.

Është politikisht e pandershme të barazohet korrupsioni i së kaluarës me sfidat e sotme. Më shumë se 2,000 dosje të korrupsionit të pandëshkuar janë një aktakuzë e heshtur ndaj sistemit gjyqësor dhe klasës politike që e ka toleruar atë për vite. Rasti Bechtel Enka është vetëm maja e ajsbergut. Nuk mund të flasim për drejtësi pa zbardhur këtë kapitull të errët”, shpjegon tutje ai.

Nga ana tjetër doktori për çështje ndërkombëtare thekson se në vend të reformave të thella po përdoret një strategji për të bllokuar institucionet dhe krijuar krizë, me qëllim rikthimin e elitave të vjetra në pushtet.

Ai apelon për një mobilizim qytetar dhe ngritje të elitave të reja të pakapura, që do të ndërtojnë një shtet të drejtë dhe sovran në thelb, jo vetëm në formë.

“Në vend të një reformimi të thellë institucional, po shohim një bllokim sistematik të Kuvendit, refuzim të votimit të fshehtë dhe instrumentalizim të mediave për të krijuar krizë të qëllimshme. Kjo është një strategji për ta lënë Kosovën pa institucione funksionale, me shpresën që kjo gjendje do të hapë rrugën për zgjedhje të reja dhe rikthimin e elitave të komprometuara.

Por historia nuk kthehet pas. Kosova ka nevojë për një ringjallje të mendimit të pastër politik, përtej emocionit tribal dhe ndarjeve klanore. Kjo ringjallje nuk mund të vijë vetëm nga një lider apo një parti por ajo duhet të buron nga një mobilizim qytetar dhe një angazhim i ri i elitave intelektuale dhe profesionale, që nuk janë të kapura nga sistemi dhe që duan një shtet të drejtë, të lirë dhe vërtet të pavarur, jo vetëm në kufij, por në ndërgjegje.

Nëse nuk ndalet përpjekja për ta trajtuar Kosovën si një plaçkë pushteti dhe nuk ndërtohen institucione që qëndrojnë mbi partinë, liderin apo klanin, atëherë edhe sovraniteti i Kosovës mbetet i brishtë, si në raport me jashtë, ashtu edhe me vetveten. Serbia pret që dobësitë e brendshme të shndërrohen në argument për ndërhyrje ndërkombëtare dhe për minimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”, shton Voca.

Ndër të tjera, ligjëruesi bën thirrje për një mobilizim të gjerë qytetar dhe institucional për të reformuar shtetin nga themelet, duke u shkëputur nga strukturat e vjetra të pushtetit dhe duke ndërtuar institucione të drejta, transparente dhe përfaqësuese.

Ai thekson se shpëtimi nuk vjen nga liderë të vetëm, por nga një përpjekje kolektive për një revolucion demokratik të ndërgjegjes kombëtare.

“Për të dalë nga kjo situatë, duhen ndërmarrë disa hapa urgjentë dhe të guximshëm:

1.            Krijimi i një pakti qytetar për reformë institucionale, përtej partive ekzistuese, që përfshin juristë, profesorë, studentë, biznesmenë dhe profesionistë të rinj, pra një energji e re që sfidon rendin e vjetër dhe e sheh shtetin si projekt të përbashkët.

2.            Hapja e një cikli të ri politik, ku partitë e reja dhe alternativat politike të kenë hapësirë reale për t’u dëgjuar dhe konkurruar, pa u mbytur nga kontrolli i oligarkisë së vjetër mediatike dhe financiare.

3.            Pastrim i aparatit shtetëror nga elementët e kapur nga interesat klanore dhe klienteliste, përmes vettingut të thellë dhe krijimit të një sistemi meritokratik dhe transparent.

4.            Riformulimi i marrëdhënieve me qytetarin, duke e kthyer pjesëmarrjen në jetën publike jo në një akt simbolik, por në një detyrë aktive të çdo qytetari që beson në demokraci.

5.            Reformimi i thellë i sistemit të drejtësisë dhe medias, për të siguruar që asnjë qeveri e së ardhmes të mos mund të kapë shtetin për interesa të ngushta.

Kosova nuk ka nevojë për shpëtimtarë, por për shtet të drejtë. Jo për pushtet të përjetshëm, por për institucione që garantojnë rotacion demokratik dhe barazi para ligjit. Jo për retorikë boshe nacionaliste, por për veprim konkret për sovranitet institucional, ekonomik dhe shoqëror.

Nëse nuk reflektojmë sot, do të paguajmë çmim të lartë nesër, jo vetëm me krizë politike, por me krizë identitare dhe qytetare. Kjo është koha për guxim, për ndershmëri intelektuale dhe për një revolucion demokratik të ndërgjegjes kombëtare”, përfundoi Voca për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat