“54 herë turp!” – Muçiqi shpërthen ndaj deputetëve: Produkt i një sistemi të dështuar!

Politika

“54 herë turp!” – Muçiqi shpërthen ndaj deputetëve: Produkt i një sistemi të dështuar!

Nga: A.SH Më: 27 korrik 2025 Në ora: 11:58
Deputetët e Kuvendit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar as më 26 korrik në ditën e fundit të afatit 30 ditor të dhënë nga Gjykata Kushtetuese.

Seanca e së shtunës në mesditë nga ora 14:00 dhe në mbrëmje pas moskonstituimit ishte e 54-ta që nga e para e mbajtur më 15 prill ku në rend dite është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.

Nga 27 korriku hynë në fuqi masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese e qe vlen deri më 8 gusht. Gjatë kësaj periudhe deputetët nuk kanë të drejtë të marrin asnjë veprim sa i përket seancës konstituive.

Analisti Ismail Muçiqi ka reaguar ashpër ndaj bllokadës politike në Kuvend, duke e quajtur veprimet e deputetëve "maltretim ndaj popullit të Kosovës".

Sipas tij, 54 tentativat për (mos)konstituimin e Kuvendit kanë qenë një farsë politike për interesa personale dhe jo të vendit.

Ai e cilëson këtë sjellje si simbol të degradimit politik dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale.

“54 herë e maltretuan popullin e Kosovës këta deputetë, të cilët do të mbahen mend për dëmin që i shkaktuan Republikës së Kosovës për interesa të ngushta karrieriste. 54 herë i sollën stres dhe zhgënjim qytetarëve përmes lajmeve sensacionale dhe seancave improvizuese, që më së paku i ngjanin një institucioni serioz të një shteti normal.

Demagogjia përmes mashtrimeve, duke u thirrur në mënyrë të përsëritur tek fraza boshe “Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës”, u bë simboli më i madh i hipokrizisë që është parë ndonjëherë në skenën politike. Kjo plejadë deputetësh tregoi qartë se gjithçka që ndodhi rreth (mos)konstituimit të Kuvendit të Kosovës nuk ishte gjë tjetër veçse një përpjekje personale për të mbetur në pushtet, për të siguruar ndonjë post apo përfitim familjar – dhe aspak për interesin e vendit.

Kjo gjeneratë e të ashtuquajturve “deputetë” dëshmoi se është produkt aksidental i listave të partive të korruptuara dhe të konsumuara, të cilat janë bërë simbol i sherrit dhe neverisë për qytetarët e këtij vendi. 54 herë para syve të opinionit u pa qartë se sa shumë është degraduar politika në Kosovë dhe në çfarë niveli ka rënë vetëdija politike e përfaqësuesve tanë, të cilët e dogjën dhe e keqpërdorën votën e popullit”, shprehet ai.

Çfarë pamë në 54 seancat e Parlamentit?

Muçiqi ka vazhduar kritikat ndaj bllokadës politike në Kuvend, duke i cilësuar deputetët si të padenjë dhe të papërgatitur për përfaqësim institucional.

Sipas tij, asnjë nga 54 seancat e dështuara nuk nisi në kohë apo në mënyrë serioze, ndërsa deputetët “kalkulantë” zbuluan fytyrën e vërtetë – pa integritet profesional, politik e njerëzor.

Muçiqi paralajmëron se Kosova po kalon një krizë të thellë politike dhe shoqërore, që nuk mund të riparohet lehtë. Ai propozon si zgjidhje të vetme shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, me kandidatë të rinj dhe të pastër.

“Pamë se këta deputetë nuk kanë aspak përgjegjësi ndaj institucionit të shtetit. Asnjë nga këto 54 seanca të dështuara nuk e nisi punën në kohë dhe në mënyrë të rregullt. Deputetët kalkulantë, që u rreshtuan pas liderëve të partive, zbuluan fytyrën e vërtetë: janë të padenjë, pa kulturë arsimore, pa përgatitje profesionale, shkencore, politike e njerëzore.

Me një fjalë, këta janë produkt i sistemit të dështuar arsimor pas luftës, që ka shkatërruar pothuajse çdo vlerë njerëzore dhe morale. Shoqëria kosovare përballet sot me një krizë të thellë në formimin dhe zhvillimin e identitetit intelektual, njerëzor dhe politik – krizë që ka filluar menjëherë pas luftës dhe që, përmes institucioneve të dështuara, ka rrënuar vlerat tradicionale e historike të popullit tonë. Po të ekzistonte një gjykim i drejtë dhe i përgjegjshëm për të dalë nga kjo krizë, këta deputetë që dështuan 54 herë radhazi nuk do duhej të ishin më kurrë në listat për zgjedhjet parlamentare.

Ajo që kemi parë për ditë, javë e muaj me radhë nuk mund të riparohet lehtë. Urrejtja dhe ndarjet në skenën politike kanë marrë përmasa shqetësuese dhe patologjike. Më thotë mendja se zgjidhja e vetme për t’i dhënë fund këtij kaosi është shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, me kandidatë të rinj, me integritet dhe përkushtim të vërtetë për ta nxjerrë Kosovën nga kjo krizë e thellë institucionale dhe morale” – përfundon ai për “Bota sot” .

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat