“Republika e Kosovës po sulmohet nga brenda dhe nga jashtë – përmes aleancave të errëta politike dhe propagandës së koordinuar”

Politika

“Republika e Kosovës po sulmohet nga brenda dhe nga jashtë – përmes aleancave të errëta politike dhe propagandës së koordinuar”

Nga: H.O. Më: 28 korrik 2025 Në ora: 22:47
Kuvendi i Kosovës

“Votimi i fshehtë nuk është kundër Kushtetutës. Bllokadat që po inskenohen janë politike, jo juridike. Kemi të bëjmë me një fushatë të organizuar që synon delegjitimimin e institucioneve dhe nxitjen e krizave të qëllimshme.”

Kështu deklaron për gazetën “Bota sot” Dr. Mirsad Voca, ligjërues në Universitetin e Hamburgut dhe doktor i shkencave në gjeopolitikë dhe marrëdhënie ndërkombëtare.

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, Dr. Mirsad Voca, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë, me fokus te votimi i fshehtë në Kuvend dhe pasojat që po prodhon një interpretim formalist i Kushtetutës.

Image
Mirsad Voca

“Kushtetuta e Kosovës nuk e ndalon votimin e fshehtë – askund. Interpretimi që po bëhet sot nuk është juridik, por politik, dhe shërben për të justifikuar bllokadat institucionale,” ka deklaruar Voca.

Ai shpreh shqetësimin se rreth kësaj çështjeje është ndërtuar një diskurs i sinkronizuar nga disa zëra institucionalë, media dhe analistë, që sipas tij po veprojnë në koordinim të hapur për të legjitimuar krizën politike.

“Kjo nuk është më një çështje e interpretimit kushtetues. Është një fushatë e drejtuar mirë, që përpiqet ta paraqesë ngërçin si pasojë të normës juridike, kur në fakt është produkt i interesave politike që nuk pranojnë të dalin nga skena,” shtoi ai.

Voca thekson se përplasja aktuale nuk është mes ligjshmërisë dhe antiligjshmërisë, por mes formalizmit të ngurtë dhe nevojës për funksionalitet institucional, që është thelbi i çdo demokracie funksionale.

Ai është i prerë në qëndrimin e tij, votimi i fshehtë është pjesë e praktikave demokratike dhe, në rrethana të caktuara, mbroj vullnetin e lirë të përfaqësuesve të popullit.

“Votimi i fshehtë përdoret në demokracitë më të zhvilluara për të garantuar vendimmarrje pa presion politik. Ta cilësosh atë si antikushtetues është ose keqkuptim elementar, ose qëllim i pastër politik,” thekson Voca.

Në analizën e tij, ai ndalet edhe te një fenomen tjetër që po shfaqet në mënyrë të përsëritur në diskursin publik: barazimi i qeverisjes aktuale me regjimet e kaluara.

“Është për t’u shqetësuar tentativa që bëhet për të vendosur një shenjë barazimi midis qeverisë aktuale dhe qeverisjeve të mëparshme të kapjes së shtetit. Kjo është propagandë. Është relativizëm që kërkon të zhbëjë çdo reformë dhe çdo ndryshim të vërtetë institucional,” thotë Voca për “Bota sot”.

Sipas tij, prapa këtij relativizimi qëndrojnë struktura të organizuara që operojnë jo vetëm brenda Kosovës, por edhe në koordinim me qarqe rajonale e ndërkombëtare.

“Kemi rrjete propagandistike të ndërlidhura me grupe të interesit në Tiranë e Beograd, që përmes analistëve, mediave të kontrolluara dhe rrjeteve sociale tentojnë të ndikojnë perceptimin publik dhe të drejtojnë krizën kah përfitimet e tyre politike,” deklaron ai.

Ai flet edhe për një “pushtet të katërt” informal, një formë ndikimi që nuk ka asnjë legjitimitet demokratik, por që operon fuqishëm përmes kontrollit të opinionit publik.

“Nuk kemi më vetëm partitë politike e institucionet formale. Kemi një pushtet të padukshëm, por jashtëzakonisht të rrezikshëm, që përmes analistëve të porositur, portaleve të caktuara dhe narrativave të dizajnuara, e orienton agjendën publike. Kjo është mënyra moderne e minimit të demokracisë,” thotë Voca.

Poashtu Voca bën një thirrje për vetëdije qytetare dhe kthjellim politik.

“Kosova nuk mund të ndërtojë institucione funksionale nëse çdo herë që vjen koha për ndryshim, ngrihen krizat artificiale. Kushtetuta nuk është armë për të mbrojtur privilegjet e vjetra – është themeli mbi të cilin duhet të ngrihen institucione të reja, të forta dhe demokratike”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat