A ka shpresa që deri më 8 gusht partitë të arrijnë ndonjë marrëveshje? – Flasin analistët

Politika

A ka shpresa që deri më 8 gusht partitë të arrijnë ndonjë marrëveshje? – Flasin analistët

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 29 korrik 2025 Në ora: 10:10
Foto ilustrim

Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar as më 26 korrik, duke shënuar dështimin për të respektuar afatin 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Përkundër pritjeve dhe thirrjeve për përgjegjësi institucionale, forcat politike nuk arritën marrëveshje.

Gjykata Kushtetuese tani pritet të ndërhyjë sërish, ndërsa skenarët që përfliten përfshijnë mundësinë që e drejta për konstituim t’i kalojë partive të tjera, ose që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të reja në shtator apo tetor 2025.

Sadiku: Kërkohet reflektim më i madh politik

Analisti politik Arbnor Sadiku ka paralajmëruar se nëse liderët politikë në Kosovë nuk reflektojnë urgjentisht, vendi mund të përfundojë në një krizë të thellë politike që do ta çojë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare në shtator apo tetor 2025.

Image
Arbnor Sadiku

Ai shton se vendimi i Gjykatës Kushtetuese më 8 gusht 2025 mund të jetë vendimtar, sidomos nëse ajo vendos që të japë të drejtën për konstituimin e Kuvendit fillimisht Lëvizjes Vetëvendosje, por më pas edhe partive të tjera nëse kjo dështon.

“Nëse, sot nuk reflektojnë liderët e të gjitha partive politike në Kosovë, që së paku të kemi një Qeveri (6) gjashtë mujore.

Vendi mund të futet në një qorrsokak politik dhe do të jemi më afër zgjedhjeve të reja parlamentare, sesa, që do të kemi zhbllokim të ngërçit politik, në Kosovë.

Ndonëse, Gjykata Kushtetuese mund të na befasojë me tetë gusht 2025, nëse, vendos ti merr të drejtën për konstituim të Kuvendit të Kosovës partisë LVV, dhe si në rastin e Qeverisë, kjo drejtë ti kaloj radhën partive tjera politike.

Qëndrimet aktuale janë: LVV vazhdon me bllokadë, dhe thotë se jemi më afër zgjedhjeve të reja parlamentare, në shtator apo tetor 2025 së bashku me ato lokale, kurse, opozita synon që radha për konstituim të Kuvendit të Kosovës, të ju takoj atyre deri më 8 gusht 2025, pasi LVV dështoi.

Prandaj, kërkohet sot më parë se kurrë reflektim më i madh politik, së pari nga kryeministri ynë z. Kurti, si zot shtëpie, dhe shef i koalicionit më të madh partiak në Kosovë LVV-Guxo-Alternativa, dhe Opozitës në anën tjetër”, shpjegon ai.

Drenori: Skena politike me mendësi bllokuese

Analisti politik Xhavit Drenori ka thënë për gazetën “Bota sot” se dështimi i Kuvendit të Kosovës për t’u konstituuar brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, wshtw shenjë të qartë e mendësisë bllokuese që dominon skenën politike.

Image
Xhavit Drenori

“Është shqetësuese që skena jonë politike nuk arriti të bëjë kuvendin në afatin e caktuar prej 30 ditësh dhe kjo tregon mendësinë bllokuese të kësaj skene politike, pra që kompromisin në pluralizëm nuk e shfrytëzuan ndërsa sa i përket rrugëdaljes nuk besoj që ka më hapësirë që skena politike të gjejnë një zgjidhje, e para deri më 8 gusht duhet të pritet aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe nuk besoj më që ka mbet në dorën e subjekteve politike për me gjet një zgjidhje, por, besoj se do të jetë shumë e logjikshme që Gjykata Kushtetuese nuk do të provojë më ti jep mundësi kësaj legjistlature që të ecë përpara por e quan si të dështuar dhe si të tillë e detyron vendin të shkojë në zgjedhje”, thotë ai.

Sipas tij, situata ka hyrë në një fazë ku zgjidhja nuk mund të vijë më nga vetë subjektet politike, por tashmë Gjykata Kushtetuese ka rolin vendimtar, me aktvendimin që pritet të merret më 8 gusht 2025.

“Gjykimi i Kushtetuese i delegohet presidentes edhe presidentja brenda kompetencave të saj t’i shpallë zgjedhjet parlamentare.

Me pak, fjalë mendoj që nuk ka alternativë tjetër përveç zgjedhjeve të jashtëzakonshme, në situatën të cilën kemi rënë e që kjo është fatkeqësi për vendin tonë”, përfundon ai për “Bota sot”

Kujtojmë, se Lëvizja Vetëvendosje – fituese e zgjedhjeve – e ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kandidatit për kryeparlamentar, por e zgjedhura e kësaj partie, Albulena Haxhiu, konsiderohet e papranueshme për disa grupe politike.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e shohin atë si figurë përçarëse, teksa Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se s’ka votë për asnjë kandidat të LVV-së.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat