Tani, pasi është mbyllur afati 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, deputetët nuk do të mund të marrin asnjë veprim apo vendim drejt konstituimit të Kuvendit deri më 8 gusht, sipas vendimit të 24 korrikut të Gjykatës Kushtetuese.
Në ditët në vijim, Gjykata Kushtetuese pritet të sqarojë se cilat do të jenë pasojat juridike për deputetët e zgjedhur në shkurt të këtij viti dhe çfarë duhet të ndodhë tutje.
E në lidhje me këtë temë, avokati Gazmend Halilaj në një prononcim për “Bota sot”.
Si fillim, tha se deri me 8 gusht do jetë e pezulluar.
“Pas përfundimit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, situata juridike mbetet e pezulluar deri më 8 gusht, sipas vendimit të 24 korrikut. Gjatë kësaj periudhe, asnjë veprim nuk mund të ndërmerret nga deputetët në drejtim të konstituimit të Kuvendit”.
Krahas kësaj, avokati foli edhe për atë se çka mund të ndodhë pas datës së caktuar.
Ai tha se zhvillimet do varen nga vlerësimi i Kushteteseses dhe situatës së krijuar.
“Në mungesë të ndonjë zhvillimi të brendshëm politik apo marrëveshjeje që do të mundësonte zhbllokimin e procesit, mbetet të shihet nëse Gjykata Kushtetuese do të ndërhyjë me një vendim të ri. Kjo do të varet nga vlerësimi i saj lidhur me respektimin e afateve kushtetuese, situatën e krijuar, dhe nëse ekziston ndonjë iniciativë zyrtare që kërkon interpretim shtesë”, shpjegoi avokati.
Ndër të tjera, nuk përjashtoi mundësinë të ketë një vendim të ri të Kushtetueses, derisa beson se çdo vendim i ri do ketë ndikim të madh në funksionimin institucional.
“Nuk përjashtohet mundësia që Gjykata të japë udhëzime shtesë ose të marrë vendime që mund të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në fatin e Kuvendit dhe në rrjedhën e mëtejme të zhvillimeve politike në vend. Çdo vendim i ri do të ketë ndikim të madh në funksionimin institucional dhe në stabilitetin politik”, përfundoi Gazmend Halilaj për “Bota sot”.