“Larg duart nga FSK-ja!”- Tahiraj: Tragjedia në Ujman nuk duhet të përdoret për përfitime politike

Politika

 “Larg duart nga FSK-ja!”- Tahiraj: Tragjedia në Ujman nuk duhet të përdoret për përfitime politike

Nga: M.L. Më: 30 korrik 2025 Në ora: 15:58
FSK në liqenin e Ujmanit

Ish-bashkëluftëtari i heroit Sali Çekaj, Saim Tahiraj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj mënyrës se si u përdor tragjedia e ndodhur në Liqenin e Ujmanit, ku humbi jetën një 33-vjeçar shqiptar.

Tahiraj ka theksuar se lajmi tragjik i mbytjes së të riut preku zemrat e çdo shqiptari, ndërsa ndërhyrja e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në bashkëpunim me KFOR-in, ishte vendimtare dhe profesionale. Ai vlerësoi lartë angazhimin e FSK-së, duke rikujtuar se kjo nuk është hera e parë që kjo forcë ka treguar përkushtim në operacione të kërkim-shpëtimit, brenda dhe jashtë vendit.

“Lajmi tragjik që një 33 vjeçar u mbyt në Liqenin e Ujmanit, ishte i rëndë dhe preku zemrat e çdo shqiptari me dhembje. Intervenimi i FSK-së në kordinim me KFOR-in ishte i domosdoshëm dhe dha rezultatet e pritura duke e nxjerra kufomën e të ndjerit. Nuk është hera e parë që FSK-ja me profesionalizmin e sajë ka reaguar në kërkim-shpëtim dhe raste të ngjashme, brenda dhe jasht vendit duke na bërë krenarë”, është shprehur Tahiraj.

Megjithatë, Tahiraj ka dënuar ashpër përpjekjet për ta politizuar këtë ngjarje të dhimbshme.

“Por ndodhi çudia, në vend që të krenohemi me veprimin e saj profesional u shfrytëzua pa fije turpi për poena politike.

Nuk i preku në shpirt as tragjedia që një shqiptar humbi jetën, sa jo njerëzore kur edhe tragjeditë shfrytëzohen për përfitime politike. FSK-ja është ushtria e Kosovës që i takon mbarë popullit të sajë dhe jo e asnjë individi çfarëdo pozite udhëheqëse që ka, e asnjë partie politike, qoftë në pozitë dhe opozitë. Ajo nuk guxon të politizohet dhe të përdoret për përfitime politike të asnjë individi, grupacioni apo partie politike”, potencoi ai.

Image
Saim Tahiraj

Ai kritikoi Ministrin e Mbrojtjes për siç u shpreh postimin e fotografive të seleksionuara, duke e paraqitur operacionin si sukses të njëanshëm, dhe duke lënë jashtë bashkëpunimin me KFOR-in.

Tahiraj nuk kurseu as opozitën, duke theksuar se edhe pse reagimet e tyre për demantimin e deklaratave qeveritare ishin të drejta, mënyra dhe momenti nuk ishin të duhur. Sipas tij, tragjeditë nuk duhet të bëhen fushëbetejë për luftë politike.

“Reagimi e Ministrit të Mbrojtje me fotografi të seleksionuara duke larguar KFOR-in dhe duke paraqitur me pompozitet suksesin në veri, ishte e papranueshëm dhe shembulli më i keq. Gjithashtu edhe përfaqësues të VV-s me pompozitet propaganduan si sukses të madh të FSK-s  si rasti i parë që shkon në Mitrovicën V., gjë e cila nuk është e vërtet. Reagimet e shumë personaliteteve nga opozita edhe pse shumica ishin të drejta s’e demantuan lajmin bombastik të VV-së i cili nuk ishte i saktë, nuk ishin më të duhurat. E them këtë sepse nuk duhej politizuar çështje deri në at shkallë pasi ishte një tragjedi, kishte forma tjera më të matura”, ka nënvizuar Tahiraj për “Bota sot”.

Ai ka potencuar se FSK-ja, Policia e Kosovës dhe AKI janë shtyllat kryesore të sigurisë të cilat mbrojnë sovranitetin e shtetit dhe sigurinë, andaj nuk guxon askush t’i politizojë dhe t’i përdor për interesa partiake.

“Të gjitha partit politike dhe institucionet e shtetit duhet të kontribuojnë dhe t’i mbështesin në të gjitha format, t’i fuqizojmë dhe profesionalizim sa më shumë. FSK,PK, AKI janë krenaria e shtetit dhe popullit të Kosovës, larg duart nga politizimi i tyre”, ka përfunduar ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat