Politika në kaos, shteti në pritje - Zgjedhjet e jashtëzakonshme “shpëtimi i vetëm”

Politika

Politika në kaos, shteti në pritje - Zgjedhjet e jashtëzakonshme “shpëtimi i vetëm”

Arife Morina Mulaku Nga Arife Morina Mulaku Më 1 gusht 2025 Në ora: 18:05
Kuvendi i Kosovës

Shteti i Kosovës është në gjendje të jashtëzakonshme të pashpallur, tash e sa muaj.

Kjo për shkak se nga shkurti i këtij viti, atëherë edhe kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare, është bllokuar Kuvendi i Kosovës dhe nuk ka arritur të konstituohet.

Deputetët e kësaj legjislature nuk kanë gjetur zgjedhje për formim të institucioneve të reja, brenda afatit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Tani, pasi është mbyllur afati 30-ditor i vendosur nga Kushtetuesja për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, deputetët nuk do të mund të marrin asnjë veprim apo vendim drejt konstituimit të Kuvendit deri më 8 gusht, sipas vendimit të 24 korrikut të Gjykatës Kushtetuese.

Në ditët në vijim, Gjykata Kushtetuese pritet të sqarojë se cilat do të jenë pasojat juridike për deputetët e zgjedhur në shkurt të këtij viti dhe çfarë duhet të ndodhë tutje.

Mirëpo, për daljen nga kjo gjendje e jashtëzakonshme, a janë zgjidhje, zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme parlamentar?

E për këtë temë, folën analistët, derisa kritikuan ashpër skenën politike ashpër për qasjene tyre.

Halimi: Le të jetë kjo legjislatura e fundit e këtij niveli të politikanëve

Sa i përket kësaj çështje, analisti politik, Jeton Halimi vlerëson se vendi është në një gjendje të jashtëzakonshme.

Image
Jeton Halimi

Sipas tij, kemi politikanë që e shikojnë vetëm interesin personal, pavarësisht se potencoi që nuk duhet të shkohet në zgjedhje parlamentare, pasi partitë po bëjnë kalkulime politike.

“Kosova vërtet ndodhet në një gjendje më se të jashtëzakonshme, kur kemi politikanë që shikojnë vetëm interesin personal dhe partiak, ndërsa po dëmtohet shteti i Kosovës, si në arenën ndërkombëtare ashtu edhe brenda vendit. Jemi bërë gazi i botës, për të keq.

Nuk duhet menduar për shkuarjen përsëri në zgjedhje parlamentare, kur dihet shumë qartë se liderët e partive politike po bëjnë kalkulime të qëllimshme politike, dhe jo në të mirë të popullit që i ka votuar. Të gjithë jemi në këtë situatë, dhe dihet qartë për fajin e kujt kemi ardhur deri këtu.

Zgjedhjet komunale janë më 12 tetor, ndërsa pas një kohe të shkurtër i përfundon mandati edhe znj. Osmani, dhe sipas Kushtetutës së Kosovës, kompetencat kalojnë tek Kryetari/ja i Kuvendit”.

Megjithatë, në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot”, Halimi shpreson që Kushtetuesja të ofrojë një zgjidhje dhe të dilet nga bllokada e krijuar.

“Shpresojmë shumë që Gjykata Kushtetuese të japë epilog për dy kërkesat e partive politike, PDK-së dhe LDK-së, si dhe për kërkesën e znj. Osmani lidhur me ngërçin politik në vendin tonë. Po të kishin menduar më gjatë dhe më thellë, këta njerëz të mjerë nuk do ta kishin sjellë vendin në këtë gjendje. Politikanë pa fije turpi po përpiqen të arsyetojnë të këqijat që po i sjellin sovranit që ua ka mundësuar të jenë atje ku janë. Për tre minuta marrin paga të larta që nuk i meritojnë, kanë marrë asistentë kinezë për t’u kryer punët, e të tjera si këto. Të gjitha janë një maskë që vetëm fytyrën e tyre po e rëndon”.

Ndër të tjera, shtoi se skena politike nuk ka interesa për shtetin, derisa shpreson që kjo të jetë legjislatura e fundit e këtij niveli të politikanëve.

“Kjo tregon se skena politike është shumë e mjerë. Këta njerëz, thjesht, nuk e duan atdheun – Kosovën, për të cilën është derdhur shumë gjak. Fytyrat e tyre po zbulohen çdo ditë.

“Dita e mirë shihet në mëngjes”, thotë populli. Le të jetë kjo legjislatura e fundit e këtij niveli të politikanëve – pa dallim partie”, përmbylli Jeton Halimi.

Zogaj: Skena politike e Kosovës ka degjeneruar shumë

Image
Skënder Zogaj.

Kurse, për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli edhe publicisti Skënder Zogaj.

Fillimisht, ai u shpreh se nuk ka shpresë që të dilet nga kjo krizë e rrezikshme, derisa tha se zgjedhjet e jashtëzakonshme është alterantiva e vetme.

“Kur nuk funksionon shteti, asgjë nuk është e pamundshme, pra, gjithçka është e mundshme! Sipas asaj që kemi pa në Kuvendin e Kosovës, për pesë muaj rresht, nga kjo garniturë e deputetëve të Kosovës, nuk ka shprese që me këta të dilet nga kjo krizë e turpshme dhe e rrezikshme, sepse, historia është sikurse cunami, për një çast rgjithçka e bën rrafsh me tokë. Prandaj, kjo legjislaturë që e solli vendin në këtë gjendje të mjerë, do të duhej të hidhet në koshin e mbeturinave të historisë sonë dhe, sa më parë të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme sepse, asnjë alternativë tjetër nuk nuk vlenë”.

Krahas kësaj, Zogaj tha se këto zgjedhje duhet të mbahen menjëherë, pasi politizimi ekstrem po eskalon çdo ditë.

“Zgjedhjet duhet të mbahen menjëherë, në afatin më të ngushtë të mundshëm kushtetues, sepse bllokada në të cilën jemi është tepër serioze, çdo ditë që kalon i shumëzon pasojat. Pos tjerash, mos qoftë e thënë, politizimi ekstrem i popullatës po eskalon përditë me urrejtje ndërpartiake duke i acaruar edhe raportet ndër-njerëzore e, kjo, është parashenjë e keqe, që e sjellë "breshërin".  Duke i ndjekur deklarimet nëpër media e nëpër ndeja, urrejtja është rritur shumë dhe një fije shkrepse e bën kërdinë”, nënvizoi ai.

Po ashtu, publicisti vlerëson se skena politike në Kosovë ka degjeneruar në masë të madhe me qasjet e akterëve të partive politike.

“Ta themi hapur, rreth 30 përqind e qytetarëve janë raste sociale, sidomos pensionistër dhe rinia, që kanë nevoja të veçanta.  Prandaj, nuk ka pse hamendemi- Zgjedhjet e Jashtëzakonshme të mbahen menjëherë dhe të shpresojmë se, do të vijnë në shprehje resurse njerëzore të reja kualitative profesionale dhe atdhetare. 

Skena politike e Kosovës ka degjeneruar shumë, prandaj vetëdija qytetare duhet të kthjellet e mos ia shes shpirtin mateapazëve, që për fat të keq janë sedimentuar në të gjitha partitë politike”, përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat