Dështimi për konstituimin e Kuvendit dhe bllokadat e përsëritura politike kanë penguar krijimin e institucioneve të reja qeverisëse, duke krijuar kështu një krizë funksionaliteti që rrezikon stabilitetin e shtetit.
Për më tepër, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 24 korrik, është vendosur një ndalim i përkohshëm që deputetët të mos ndërmarrin asnjë veprim apo të marrin vendime që synojnë konstituimin e Kuvendit deri më 8 gusht.
Ndërsa, opinionisti Albert Ramadani e ka komentuar situatën në të cilën gjendet vendi pas dështimit të seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Sa i përket situatës politike pas dështimit të seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, apo ngërçit politik, ku Gjykata Kushtetuese u dha një mundësi lehtësimi për të gjetur një zgjidhje si formë konsensusi për krijimin e institucioneve, partitë politike nga ish-pozita dhe ish-opozita u rreshtuan në anën bllokuese. Ky bllokim u krijua që në fillim, por për zhbllokimin e këtij ngërçi, koalicioni fitues LVV-Lista Guxo-Alternativa, thuajse si koalicion, e veçanërisht vetë si parti LVV-ja, nuk ishte shumë e interesuar të qeveriste me parti të tjera ish-opozitare, meqë ato nuk morën vota për të qeverisur vetë. U përpoqën kinse ta ftonin një parti ish-opozitare vetëm sa për sy e faqe, ndërkohë që ky ngërç ishte disi mirë i planifikuar, duke luajtur lojën e bllokuesit me qëllimin që vendi të shkonte sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Kjo zvarritje ishte e planifikuar, duke luajtur edhe rolin e viktimës para votuesve, në mënyrë që partia të dilte e pastër në lidhje me krijimin e institucioneve. Qëllimi ishte të bëheshin dy palë zgjedhje – lokale dhe qendrore – pasi dihet se më 12 tetor mbahen zgjedhjet lokale, në të cilat (partia) nuk del e suksesshme. Prandaj, duke i bashkangjitur edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, synimi ishte të merreshin më shumë vota, me qëllim arritjen e 51.01%, për t’u ndier më pas komod në qeverisje”, ka thënë ai.
Gjithashtu, ai e ka përmendur edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke treguar se çfarë mund të presin partitë politike.
“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 24 korrik, me të cilin u pezulluan veprimet drejt konstituimit të Kuvendit deri më 8 gusht, deputetët nuk mund të ndërmarrin asnjë hap në këtë drejtim. Megjithatë, kurdo që Gjykata Kushtetuese ta japë vendimin përfundimtar, ka gjasa që partia fituese, në këtë rast LVV-ja, ta sfidojë atë vendim dhe të mos i përmbahet.
Ndërkohë, partitë e ish-opozitës po e presin këtë vendim me shpresën se do të dilet nga kjo situatë pa rrugëdalje, edhe pse aktualisht nuk shihet asnjë zhvillim pozitiv.
Çfarë do të ndodhë pas vendimit? Është e mundshme që LVV-ja të mos jetë e kënaqur dhe, me shumë gjasë, të mos i përmbahet fare vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka theksuar ai.
Tutje, Ramadani ka theksuar se pezullimi i funksionalitetit institucional përkeqëson funksionimin e shtetit në të gjitha fushat. Ai ka paralajmëruar se mungesa e institucioneve të zgjedhura mund ta çojë Kosovën drejt një kollapsi total, ndryshe nga vendet e zhvilluara si Austria apo Belgjika, të cilat kanë përballuar ngërçe të gjata pa pasoja serioze.
“Pezullimi i funksionalitetit institucional nënkupton një përkeqësim të funksionimit të shtetit në të gjitha fushat. Në mungesë të institucioneve të zgjedhura, vendi nuk mund të funksionojë normalisht.
Kosova, si shtet ende në zhvillim, nuk e ka ende bazën e qëndrueshmërisë si vendet e zhvilluara. Ka pasur raste, si në Austri, ku për më shumë se 150 ditë nuk janë krijuar institucionet qeverisëse. Megjithatë, atje gjithçka ka funksionuar si zakonisht: qytetarët, institucionet vitale, ushtria, policia, shëndetësia, arsimi, sistemi pensional dhe ai social nuk janë prekur aspak nga ngërçi politik.
Nëse në Kosovë vazhdon ky ngërç institucional, shumë shpejt mund të futemi në një kollaps total. Ne nuk duhet të marrim shembull Austrinë, Holandën, Belgjikën, Hungarinë, Izraelin, Bullgarinë apo Rumaninë, sepse jemi një shtet i pazhvilluar, pa rezerva të mjaftueshme ekonomike dhe pa stabilitet të plotë institucional.
Forma të tilla të veprimi politik mund të çojnë në falimentim shtetëror. Për më tepër, nuk kemi as kujt t’i drejtohemi për ndihmë, në një kohë kur vetë i refuzojmë këshillat për të dalë nga kriza – një krizë e krijuar pa asnjë nevojë reale, vetëm për interesa të ngushta politike e partiake”, ka deklaruar ai.
Më tej, Ramadani ka kritikuar partitë politike në Kosovë janë ende të papjekura dhe nuk kanë aftësinë të dalin nga ngërçi artificial që vetë krijojnë.
“Sipas mendimit dhe analizës sime, dhe mënyrës se si i njoh partitë politike në Kosovë, mendoj se ato nuk kanë ende aftësinë për të dalë nga ngërçi artificial që vetë e krijojnë. Mendojnë se dinë të bëjnë politika avansuese, por në fakt janë ende të papjekura – nuk e dinë as orientimin, e as rëndësinë që kanë si parti politike. Partitë janë adresa e qytetarit që ua beson qeverisjen e vendit. Qytetari e kryen me plot përkushtim detyrën duke votuar, por sapo përfundojnë zgjedhjet, partitë politike nuk kanë as ide, as program, as projekte afatgjata për zhvillimin e vendit.
Është interesante se jo vetëm që nuk dinë, por as nuk pyesin. Vetëm kur nuk kanë asnjë alternativë, krijojnë ngërç në formë të planifikuar, me mendimin: ‘Hajt ta bllokojmë, se mos po na del dikush në ndihmë e pastaj ne ta marrim lavdinë, sikur jemi të pjekur për qeverisje’”, ka potencuar ai.
Në fund, Ramadani ka theksuar se ndryshimi real nuk varet nga Gjykata Kushtetuese, por nga partitë politike që duhet të gjejnë zgjidhje për ngërçin aktual.
“Në fund të fundit, nuk pres që Gjykata Kushtetuese të sjellë ndonjë ndryshim real. Janë partitë politike ato që mund dhe duhet të gjejnë zgjidhje.
Pas vendimit të datës 8 gusht, pavarësisht përmbajtjes së tij, partitë politike do të mblidhen dhe do të duhet të gjejnë një mënyrë për të dalë nga kjo bllokadë, duke krijuar institucione kalimtare deri në një datë që të propozohet nga të gjitha partitë si datë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme – që mendohet të jetë nga mesi i prillit 2026.
Deri në atë kohë, do të krijohet një qeveri teknokrate, e cila do të ketë si garanci datën e zgjedhjeve. Me gjasë, kjo qeveri duhet të nisë punën në javën e parë të shtatorit, diku më 8 apo 10 shtator 2025, dhe të përfundojë në fund të prillit 2026.
Më mirë një qeveri teknokrate me një marrëveshje gjithëpërfshirëse sesa që vendi të mbetet i paralizuar pa asnjë infuzion. Kjo qeveri teknokrate do të largonte bllokadën deri në datën e caktuar të zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Por, përpara se të mbahen zgjedhjet, duhet të bëhen kalkulime paraprake, sepse ekziston rreziku që pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të përsëritet e njëjta gjendje e numrave në Kuvend. E çfarë bëjmë atëherë?
Nuk guxojmë që vendi të qeveriset gjatë nga një qeveri teknokrate”, ka përfunduar Ramadani.