Rritja e çmimit të biletave, Isufi: Vendim i operatorëve privatë, jo i stacionit

Politika

Rritja e çmimit të biletave, Isufi: Vendim i operatorëve privatë, jo i stacionit

Nga: A.M. Më: 2 gusht 2025 Në ora: 22:07
Burhan Isufi

Qytetarët që udhëtojnë nga Gjilani në Prishtinë do të përballen me një rritje të çmimit të biletave nga kjo e premte. Ndryshe nga 2.50 euro që kanë paguar më herët, tani bileta do të kushtojë 3 euro.

Kurse për studentët, çmimi do të rritet nga 2 euro në 2.50 euro.

Lidhur me këtë, kryeshefi Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Lokale “Stacioni i Autobusëve” Sh.A – Gjilan,  Burhan Isufi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se rritja e fundit e çmimeve të biletave në linjën Gjilan–Prishtinë dhe anasjelltas nuk është ndërmarrë nga kjo ndërmarrje publike dhe se ajo nuk ka asnjë lidhje me këtë vendim.

Po ashtu, ai ka theksuar se "shumë qytetarë janë drejtuar te ne, duke menduar se ne jemi shkaku i rritjes së çmimeve".

“NPL ‘Stacioni i Autobusëve’ nuk ka ndërhyrë dhe nuk ka ndikuar në vendimin për rritjen e çmimeve të biletave. Ky është një vendim i pavarur i operatorëve ekonomikë që operojnë në këtë linjë, bazuar në politikat, analizat dhe vlerësimet e tyre të brendshme”, ka thënë ai.

Gjithashtu, ai ka shtuar se çmimorja e peronizimeve nuk ka pësuar asnjë ndryshim nga ana e stacionit dhe se ajo mbetet ndër më të ulëtat në nivel vendi.

“Pavarësisht sfidave të mëdha financiare me të cilat përballemi, të shkaktuara kryesisht nga neglizhenca e vazhdueshme institucionale nga Komuna e Gjilanit, ne nuk kemi ndaluar së funksionuari. Operojmë me përkushtim dhe përpiqemi çdo ditë të ofrojmë shërbime sa më të mira, brenda mundësive tona vetanake”, ka theksuar Isufi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat