Vendimi i Kosovës për SHBA-në, eksperti austriak me thirrje të fortë: Hiqeni tarifën edhe për këto shtete, kurse Serbisë vendosni…!

Politika

Vendimi i Kosovës për SHBA-në, eksperti austriak me thirrje të fortë: Hiqeni tarifën edhe për këto shtete, kurse Serbisë vendosni…!

Nga: A.M. Më: 3 gusht 2025 Në ora: 08:05
Foto ilustrim

Eksperti austriak, Gunther Fehlinger ka mbështetur vendimin e Kosovës për heqjen e tarifave ndaj mallrave amerikane.

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” e cilësoi këtë gjë su hap pozitiv, derisa tha se tarifat e vendosura më parë dëmtonin vetëm Kosovën.

Madje, eksperti austriak potencoi faktin se edhe në të kaluarën u kishte kërkuar ish-ministrave të financave ta largonin këtë taksë, por që të njëjtin nuk e kishin dëgjuar.

Image
Eksperti austriak, Gunther Fehlinger

“Vendimi për të anuluar tarifën 10% për importet nga SHBA është një hap i shkëlqyer. Urime Kosovë.

Tarifat e vendosura nga Kosova dëmtojnë vetëm konsumatorët kosovarë dhe e bëjnë prodhimin vendas më të shtrenjtë, duke qenë pengesa kryesore për zhvillimin e prodhimit dhe industrisë në Kosovë. Një shtet që ka një sistem funksional të TVSH-së me fiskalizim të plotë nuk ka nevojë për tarifa, dhe Kosova ka arritur të vendosë një sistem të TVSH-së sipas standardeve të BE-së, ndaj tarifat janë të dëmshme për Kosovën.

Kam tentuar ta shpjegoj këtë për disa nga Ministrat e Tregtisë dhe Ekonomisë të Kosovës, por edhe kur arrija t’i bindja ata, Ministria e Financave e Kosovës gjithmonë fitonte, duke i mbajtur tarifat për të siguruar financimin e shtetit përmes pikave doganore – mënyra më primitive dhe më e dëmshme e gjenerimit të të ardhurave nga një shtet”, nënvizoi ai.

Krahas kësaj, Fehlinger potencoi se tani është koha për të hequr tarifat për të gjithë aleatët e NATO-s dhe BE-së, derisa për shtetet tjera të mbahet tarifa.

Ai propozoi që për shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, të vendoset tarifa e njëjtë që ka SHBA ndaj tyre, në këtë rast shembull mori Serbinë.

“Kosova tani ka një mundësi të shkëlqyer për të zhvilluar vendin përmes heqjes së të gjitha tarifave për të gjithë aleatët e NATO-s dhe BE-së.

Heqja e tarifave vetëm për SHBA-në është një diskriminim i qartë ndaj BE-së dhe aleatëve evropianë të NATO-s, dhe kjo nuk mund të vazhdojë. Zgjidhja është e thjeshtë: hiqni tarifën 10% për të gjithë aleatët e NATO-s dhe BE-së që e kanë njohur Kosovën.

Mbajeni tarifën 10% për të gjitha shtetet e tjera që e kanë njohur Kosovën, por nuk janë pjesë e NATO-s/BE-së.

Vendosni të njëjtën tarifë që vendos SHBA për të gjithë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën.

SHBA vendosi tarifë 35% për Serbinë – edhe Kosova mund ta kopjojë këtë dhe të vendosë tarifë 35% për Serbinë, siç bëri SHBA”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, eksperti austriak i dërgoi mesazh Kosovës që heqja e tarifave për shtetet aleatë është është vendimi më i arsyeshëm ekonomikisht dhe mesazhi i duhur politik.

“Kopjimi i tarifave të Trump për të gjithë ata që refuzojnë ta njohin Kosovën duhet të jetë një politikë e mirë për Kosovën.

Heqja e tarifave për aleatët e BE-së dhe NATO-s do të thotë edhe heqje tarifash për tregtinë me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut – dhe kjo do ta çojë Kosovën në një nivel tjetër të mirëqenies.

Kjo është një mundësi për të përmirësuar sistemin ekonomik të Kosovës dhe do të ishte gabim i madh të lihet pas dore.

Heqja e të gjitha tarifave për të gjithë aleatët është vendimi më i arsyeshëm ekonomikisht dhe mesazhi i duhur politik për aleatët evropianë, duke treguar që Kosova nuk diskriminon evropianët në krahasim me amerikanët – dhe meqë BE është donatori kryesor, kjo është një politikë e drejtë dhe e mençur”, përfundoi Gunther Fehlinger për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat