Kosova ende ndodhet në një situatë ku nuk janë formuar ende institucionet e reja edhe gjashtë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.
Poashtu ndodhet në prag të zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në muajin tetor.
Deputetët janë në pritje të një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese, se sit ë veprojnë më tutje, meqë vetë nuk po dalin në një përfundim të përbashkët.
Mirëpo, publicisti dhe njohësi i ҫështjeve politike, Nijazi Halili, në një opinion të tij dërguar ‘Bota sot’, i bën thirrje elitës akamedike të Kosovës të mos rrijnë në heshtje.
Sipas tij, në këtë moment të rëndësishëm për Kosovën, roli i akademikëve duhet të bëhet jetik më shumë se kurrë.
“Në një moment kyç të historisë së Kosovës, kur sfidat e brendshme institucionale dhe presionet ndërkombëtare rrezikojnë sovranitetin dhe stabilitetin e vendit, roli i elitës akademike bëhet më jetik se kurrë më parë. Kosova nuk mund të përparojë si shtet i pavarur dhe demokratik pa një elitë intelektuale të përgjegjshme, që refuzon heshtjen dhe angazhohet për transformimin e jetës publike me dije, guxim dhe integritet”, thekson Halili.
Ai thotë tutje se, elita akademike ka historikisht rolin e udhëheqësit të transformimeve shoqërore dhe politike, duke ofruar kritika të bazuara në dijen shkencore dhe duke kontribuar në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme.
“Për Kosovën, domosdoshmëria e një grupi të tillë është thelbësore për të garantuar qëndrueshmërinë kushtetuese, drejtësinë, integrimin ndërkombëtar dhe zhvillimin arsimor dhe qytetar”, thotë ai.
Sipas publicistit, të mos angazhohesh në këtë moment do të thotë të pranosh degradimin e demokracisë dhe të mbështesësh indirekt kapjen e shtetit nga interesat e ngushta.
“Akademikët duhet të dalin nga heshtja, të krijojnë platforma dialogu, të ushtrojnë ndikim moral dhe intelektual, dhe të propozojnë reforma të thella. Ky zgjim elitës nuk është thjesht një kërkesë morale, por një nevojë strategjike për të ardhmen e Kosovës”, vlerëson Halili.