Derisa, vendi është në bllokdë institucionale, data e zgjedhjeve lokale po afrohet.
Kanë mbetur edhe pak muaj deri kur qytetarët do vendosin për udhëheqësit e komunave të tyre, më saktë ky proces do zhvillohet me 12 tetor.
Megjithatë, është diskutuar dhe paralajmëruar se ngërçi në nivel qëndror, do të ndikojë në zgjedhjet në nivel lokal.
E për këtë temë, për “Bota sot” foli opinionisti Gani Mehmeti.
Së pari, ai tha se natyrshëm që bllokada do ndikojë ndjeshëm tek votuesit e të gjitha partive politike.
Në këtë pikë, ai parashikoi edhe numër më të vogël të pjesëmarrësve në zgjedhjet e tetorit.
“Bllokada në formimin e Kuvendit të Kosovës ka ndikuar ndjeshëm tek votuesit, si në zgjedhjet lokale, ashtu edhe në ato parlamentare, kurdo që të mbahen. Mendoj se kjo ka ndikuar tek votuesit e të gjitha partive politike, pasi të gjitha partitë janë pjesëmarrëse në këtë bllokadë.
Sido që të jetë, mbetet për t’u parë se si do të zhvillohen punët rreth formimit të Kuvendit të Kosovës, pasi zgjedhjet lokale do të mbahen vetëm pas dy muajsh. Prandaj, pritet që kjo situatë të ndikojë në uljen e pjesëmarrjes së zgjedhësve”.
Megjithatë, Mehmeti nuk e kishte një emër specifik se cila parti do dëmtohet më shumë, pasi sipas tij shumica ndihen të zhgënjyer, si nga liderët partiakë, ashtu edhe nga deputetët.
“Pritet të ketë rënie të pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhje. Tani, se cila parti do të dëmtohet më shumë, mbetet një pikëpyetje. Çdo votues, në një mënyrë apo tjetër, e arsyeton partinë që e përkrah, por megjithatë, shumica ndihen të zhgënjyer – si nga liderët partiakë, ashtu edhe nga deputetët, të cilët janë treguar më të përkushtuar ndaj partisë sesa ndaj shtetit, shpesh deri në servilizëm”, shpjegoi ai.
Ndër të tjera, opinionisti shtoi se është në rrezik mandate i deputetëve, kjo për shkak të qasjes së tyre ndaj interesae personale, dhe anashkalimit të interesave shtetërore.
“Këta deputetë kanë rrezikuar edhe me djegien e mandateve të tyre, duke kontribuar në ngërçin institucional dhe duke treguar se janë më të përkushtuar ndaj interesave të ngushta partiake sesa ndaj interesit shtetëror. Një sjellje e tillë nuk u ka hije deputetëve. Në fakt, këta deputetë nuk do duhej të lejoheshin të kandidojnë sërish në zgjedhje. Ndoshta një vendim i tillë do të duhej të vinte nga Gjykata Kushtetuese, pasi nuk dihet nëse organet e tjera janë kompetente për një gjë të tillë”, përmbylli Gani Mehmeti për “Bota sot”.