Pavarësisht se, ende nuk kanë përfunduar të gjithë hapat e domosdoshëm pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit – nisur nga konstituimi i Kuvendit – Kosova i ka nisur përgatitjet për një palë zgjedhje të reja, ato lokale, që do të mbahen më 12 tetor.
Të gjitha partitë politike, tani veçse kanë filluar me fsuhatat e tyre parazgjedhore, publikimin e listave kandiduese e zyrtarizimin e kandidatëve për kryetarë të komunave.
I tërë ky proces po zhvillohet në një kohë kur vendi është në një bllokadë totale, pa Kuvend dhe institucione të reja, e megjithatë kjo nuk duket se po iu bën shumë përshtypje liderëve politik, që po refuzojnë apo thënë më saktë nuk po dëshirojnë një marrëveshje politike.
Për këtë, disa herë janë mbajtur edhe protesta simbolike para Kuvendit, si pasojë e pakënaqësive ndaj qasjes së deputetëve.
Kështu që, natyrshëm kjo pritet të ndikojë në procesin e zgjedhjeve lokale, ku parashihet mundësi që të ketë dalje më të ulët të qytetarëve në votime.
Përveç kësaj, njohësit folën për këtë proces, derisa dhanë analizat e tyre për “Bota sot”.
Hebibi: Kosova ka nevojë për një qasje të re, për unitet dhe për vizion.
Së pari, foli PhD. Dashnim Hebibi, President i Institutit Shkencor Helvetik me qendër në Cyrih, derisa tha se padyshim që do ndikojë atmosfera e tanishme politike në zgjedhje lokale.
Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” tha se qytetarët janë zhgënjyer me të zgjedhurit e tyre, derisa bllokada e Kuvendit ka krijuar një klimë të pasigurt.
“Po, padyshim që situata aktuale në Kuvendin e Kosovës ka ndikim të drejtpërdrejtë në atmosferën politike dhe shoqërore në vend, përfshirë edhe në përgatitjet për zgjedhjet lokale. Qytetarët po përballen me një lodhje të thellë psikologjike dhe institucionale. Ata që votuan me shpresën për një ndryshim konkret, sot përballen me një realitet të zhgënjyeshëm dhe me ndjesinë se zëri i tyre është injoruar.
Paraliza e punës së Kuvendit – me seanca të përsëritura, pa rezultate të prekshme dhe me deklarata politike të njëjta nga të gjitha anët – ka krijuar një klimë të pasigurt jo vetëm brenda vendit, por ka dëmtuar edhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Mungesa e stabilitetit institucional nuk është thjesht një çështje e brendshme, por ndikon edhe në perceptimin e Kosovës si partnere serioze në proceset integruese dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare”, u shpreh ai.
Krahas kësaj, Hebibi tha se ky zhgënjim shndërrohet në një mosbesim të thellë ndaj sistemit dhe përfaqësuesve të tij dhe kështu që krijon lodhje te qytetarët.
“Pas zgjedhjeve parlamentare, qytetarët janë ndjerë jashtëzakonisht të zhgënjyer. Ata kanë ndjekur me vëmendje thuajse çdo seancë parlamentare, duke shpresuar për zgjidhje konkrete dhe formimin e institucioneve, por në vend të kësaj janë përballur me bllokada të vazhdueshme, deklarata të përsëritura dhe mungesë të vullnetit politik për kompromis. Ky zhgënjim ka kaluar përtej emocioneve – ai po shndërrohet në një mosbesim të thellë ndaj sistemit dhe përfaqësuesve të tij, duke rrezikuar të dobësojë më tej pjesëmarrjen qytetare në proceset demokratike që po afrojnë.
Nuk ka rëndësi më se kujt i takon faji, sepse populli e ka kuptuar me kohë se faji është jetim – por ajo që po ndodh është se Kosova po humb. Retorika boshe dhe paraqitjet publike të politikanëve, ku më shumë rëndësi i jepet pamjes se sa përmbajtjes së fjalës, janë bërë një zhgënjim i përditshëm për qytetarin. Fjala publike ka peshë dhe përgjegjësi – e kur ajo zbrazet nga sinqeriteti dhe përkushtimi, e gjithë struktura e besimit bie.
Populli është i lodhur. Nuk kërkon më premtime të mëdha, as kostume e kravatë. Kërkon qeverisje të ndershme, veprim konkret dhe mbi të gjitha – unitet. Sepse Kosova ka nevojë për përparim, jo për stagnim. Dhe ky ndryshim nuk fillon me arsyetime – por me përgjegjësi”.
Më tej, ai foli edhe për faktin se cila parti mund ta pësojë elekotralisht më shumë shkaku i situatës së krijuar.
Në këtë pikë, u shpreh se të gjitha partitë do përballen me pasoja, ku përveç kësaj paralajmëroi edhe dalje më të ulët në zgjedhje lokale.
“Është e vështirë të përcaktohet me saktësi se cila parti politike do të pësojë më shumë në vota si rezultat i kësaj situate. Por është evidente se të gjitha partitë, në një masë apo tjetrën, do të përballen me pasoja. Skena politike është fragmentuar edhe më shumë, sidomos tani në prag të zgjedhjeve lokale, me daljen në skenë të subjekteve të reja politike dhe lëvizjeve qytetare.
Ka gjasa të mëdha që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë më e ulët. Zhgënjimi me mosfunksionimin e institucioneve ka bërë që qytetari të ndihet i anashkaluar. Në shumë raste, votuesi nuk e ndjen më obligimin qytetar si një akt që prodhon ndryshim. Edhe diaspora, e cila ishte e angazhuar fuqishëm në zgjedhjet e fundit parlamentare, duket më e rezervuar pas asaj që ka ndodhur me procesin paszgjedhor”.
Geci: Në zgjedhjet e ardhshme pritet një dalje më e ulët e qytetarëve në votim
Kurse, edhe Halil Geci në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh se bllokada do i penalizojë të gjitha partitë.
Megjithatë, sipas tij rreziku më i maj i kanoset LVV-së, kjo për shkak të çmimit të energjisë, jo të diçkaje tjetër.
“Në zgjedhjet e ardhshme pritet një dalje më e ulët e qytetarëve në votime, ndërsa bllokadat aktuale politike ka gjasë të penalizojnë të gjitha partitë.
Megjithatë, rreziku më i madh për Vetëvendosjen mund të vijë nga ulja e mbështetjes si pasojë e propagandës që lidhet me trefishimin e çmimit të energjisë elektrike — së paku kështu e shoh unë situatën”, deklaroi Halil Geci për “Bota sot”.
“Zgjedhjet lokale janë një mundësi për të reflektuar”
Më tej, Dashnim Hebibi tha se si pozita, si opizta duhet të marrinë përgjegjësi dhe bashkarisht të zgjedhin këtë ngërç institucional.
“Në këtë realitet, vota mund të mos jetë më aq e lidhur me bindjen politike, por me interesin personal ose lokal. Shumë qytetarë mund të zgjedhin të votojnë individë që i njohin personalisht, duke e vlerësuar integritetin dhe punën konkrete, më shumë sesa përkatësinë partiake.
Përgjegjësia për këtë situatë nuk i takon vetëm njërës anë politike. Si pozita, ashtu edhe opozita, duhet të reflektojnë dhe të marrin përgjegjësinë për degradimin e diskursit dhe për bllokadën institucionale. Në vend të dialogut dhe zgjidhjeve, jemi përballë me një diskurs të tensionuar që shpesh i mungon maturia dhe përkushtimi ndaj interesit të përgjithshëm”.
Gjithashtu, përmendi edhe rininë e Kosovës, e që sipas tij te kjo pjesë e shoqërisë ka një zhgënjim më të madh, ku vërehet edhe me emigrimet masive që po bëhen.
“Zhgënjimi është i thellë, veçanërisht te gjeneratat e reja, të cilat po e shprehin dëshpërimin e tyre përmes emigrimit masiv. Kjo është një thirrje e qartë për veprim. Një shoqëri pa të rinj është një shoqëri me perspektivë të zbehur.
Përkundër sfidave, zgjedhjet lokale mbeten një mundësi për t’i dhënë zë qytetarëve në nivelin ku vendimet ndikojnë drejtpërdrejt jetën e tyre të përditshme. Prandaj është detyrë qytetare që të gjithë të marrin pjesë në votime. Në zgjedhjet lokale, kandidati është më afër qytetarit, dhe ky i fundit ka më shumë mundësi të vlerësojë punën konkrete të secilit pretendent për poste publike”, nënvizoi Hebibi.
Në fund, publicisti përcolli një mesazh, ku ndër të tjera tha se vendi ka nevojë për unitet dhe vision, prandaj partitë duhet të të vënë interesin e qytetarëve përpara interesave të ngushta politike.
“Fushata do të jetë një test për të gjitha partitë dhe kandidatët. Ata do të duhet të përqendrohen më shumë në program dhe në kontakte të drejtpërdrejta me qytetarët, duke shmangur retorikën e zbrazët dhe konfliktet verbale që e kanë karakterizuar skenën politike së fundmi.
Kosova ka nevojë për një qasje të re, për unitet dhe për vizion. Është koha që partitë të tregojnë pjekuri politike dhe të vënë interesin e qytetarëve përpara interesave të ngushta politike. Mërgata, si gjithmonë, mbetet një shtyllë e rëndësishme për zhvillimin e vendit dhe meriton më shumë hapësirë dhe përfaqësim të dinjitetshëm.
Zgjedhjet lokale janë një mundësi për të reflektuar, për të ndrequr, dhe për të dhënë një sinjal të qartë – se qytetari nuk është vetëm spektator i politikës, por aktor i saj qendror. Vota është instrumenti më i fuqishëm në demokraci. Përdorimi i saj me vetëdije është përgjigjja më e mirë ndaj çdo krize politike”, përmbylli Dashnim Hebibi për “Bota sot”.