“Nëse Kushtetuesja vendos për zgjedhje të reja, shumica e deputetëve nuk do të rizgjidhen”

Politika

“Nëse Kushtetuesja vendos për zgjedhje të reja, shumica e deputetëve nuk do të rizgjidhen”

Nga: H.O. Më: 4 gusht 2025 Në ora: 22:03
Kuvendi i Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë në pritje të një përgjigjeje nga Gjykata Kushtetuese, për të vazhduar tutje në përpjekje të konstituimit të kuvendit.

Më datën 8 gusht është data kur kjo gjykatë do të dalë me një verdikt të ri. Vendimi i fundit që mori Kushtetuesja nuk prodhoi rezultat. Kosova tash e gjashtë muaj ka mbetur pa institucione të reja, që nga mbajtja e zgjedhjeve më 9 shkurt.

Nuk është hera e parë që deputetët i janë drejtuar Kushtetueses për t’ua zgjidhur mosmarrëveshjet politike. E kësaj radhe, pozitë e opozitë nuk arritën të sigurojnë votat e përbashkëta për të vazhduar tutje me formimin e institucioneve.

A mund të llogaritet kjo si një ‘paaftësi’ e deputetëve të zgjedhur? Analisti politik, Skender Zogaj thotë se, kjo legjislaturë e deputetëtve të Kuvendit të Kosovës, që nga koha e fushatës parazgjedhore e patën nisur punën mbrapsh.

Image
Skender Zogaj

“Për mua ka qenë ka qenë e pritshme që edhe rezultatin ta kishte të mbrapshtë! Listat zgjedhore të të gjitha partive politike kanë qenë aspak dinjitoze, madje të lyera me dhjam thiu, sepse, kandidaturat nuk e kanë pas kriter vlerën e kandidatëve ndaj shtetit, por e kanë pasë ndaj "shefqetit" që i ka saju listat. Prandaj një numër i madh i fituesve të votave janë bërë deputetë pa qenë të merituar për të hy në Kuvend”, thotë Zogaj.

Analisti Zogaj thotë se, kjo u vërtetu për 5 muaj radhazi kur deputetët e luajtën rolin e karaxhozllëkut duke e degraduar në ekstrem lirinë dhe pavarësinë demokratike të njerëzve të Republikës së Kosovës.

“Por, më të poshtëruarit janë vet deputetët që u vet diskualifikuan dhe tash po mrizojnë duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese që t'ua tregoj ku e kanë vendin! Gjykata e shkretë e sikletosur nga sulmet politike dhe gjendja anarkike e vendit, e ka shumë vështirë të gjej zgjidhje ligjore problemeve politike që subjektet partiake i kanë krijuar jo paqëllim, por sepse janë në hall me vetveten, sepse e kanë humbur besimin e votuesve dhe nuk kanë i fije vizioni për vendin dhe popullin. Se çfarë do të jetë vendimi i Gjykatës kushtetuese nuk mund të paragjykoj, por e kam thënë dhe e them me bindje të thellë, duhet të hapet udha e zgjedhjeve të reja, sepse çdo lloj improvizimi i kalkuluar, e thellon krizën dhe e çon vendin kah kriza edhe më e thellë”, thekson ai.

 Zogaj thotë se në zgjedhjet e reja, nëse mbahen, shumica e deputetëve të zgjedhur do ta kenë të pamundur të rizgjedhjen.

“Zgjedhjet e reja nuk është se kanë për të prodhuar ndonjë "çelës magjik" por të paktën do të jetë rast i testimit të rezultatit të elektoratit, që duke qenë i mirënjohur me shfaqjen komiko tragjike të luajtur në Kuvendin e Kosovës, them bindshëm, shumicës së deputetëve nuk do t'ua mundësojë që të vazhdojnë të ulen në Kuvend! Pa ndodh kjo, nuk ka ecje përpara”, thotë ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat