Presidenti i Francës, Emmanuel Macron bëri të ditur të dielën se e ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me zhvillimet në rajonin e Ballkanit, duke përmendur në veçanti dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe situatën në Bosnje-Hercegovinë.
“Rikujtova rëndësinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe që dënojmë të gjitha veprimet e njëanshme për ta dëmtuar atë”, shkroi Macron në një postimi në X.
Aktualisht dialogu mes dy vendeve është ngrirë edhe për faktin që Kosova ka Qeveri në detyrë me kompetenca të kufizuara.
Ndërsa, presidenti serb, në anën tjetër, vazhdoi me propaganda e tij, duke i thënë Macronit që Serbia mbetet e përkushtuar ndaj të gjitha proceseve për ruajtje të paqes dhe bashkëpunimit, dhe që mbrojtja e popullit serb është ndër interesat kryesore kombëtare.
“E theksova përkushtimin tonë për dialog dhe respektim të ligjit ndërkombëtar, si dhe gatishmërinë për të kontribuuar në stabilitetin afatgjatë të rajonit”, ka thënë ai përmes një postimi në Facebook, duke përmendur edhe që i ka bërë ftesë presidentit francez për vizitë në Beograd.
Kjo deklaratë e presidentit serb, duket qartë që nuk ka të bëjë aspak me realitetin, ku dihet se Serbia nuk bën asnjë përpjekje për dialog ose pranim të krimeve të luftës.
Kësisoj, kjo mund të shihet si një strategji i qeverisë serbe për të përfituar në arenën ndërkombëtare, përmes shfrytëzimit të bllokadës institucionale në Kosovë.
E për më shumë për këtë bisedë Macro-Vuçiq, dhe qëllimet këtij të fundit, folën njohësit.
Voca: Vuçiq po përpiqet të përfitojë edhe nga kriza aktuale institucionale në Kosovë
Së pari, në lidhje me këtë temë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli doktori i i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca.
Ai u shpreh se deklaratat e Vuçiqi pas bisedës me Macron duhet të trajtohen me kujdes dhe nuk duhet t’i besohet kur thotë se është i gatshëm për dialog.
Sipas tij, presidenti serb është mjeshtër i balancimit të retorikës paqësore për konsum ndërkombëtar dhe praktikave destabilizuese në politikën e jashtme.
“Deklarata e fundit e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas bisedës me Presidentin Macron, ku thotë se është “i përkushtuar për dialogun”, duhet trajtuar me kujdes dhe me një dozë të lartë mosbesimi. Në vend që të përfaqësojë një hap të sinqertë drejt normalizimit, kjo deklaratë duket më tepër si një përpjekje e kalkuluar për të rikonfiguruar narrativen ndërkombëtare të Vuçiqit, në një kohë kur realiteti në terren nuk i shkon më në favor.
Vuçiq është bërë mjeshtër i balancimit mes retorikës paqësore për konsum ndërkombëtar dhe praktikave destabilizuese në politikën e jashtme dhe të brendshme. Ai është i vetëdijshëm se çdo përparim i Kosovës në konsolidimin e shtetësisë së saj përfaqëson një humbje për agjendën e tij. Prandaj, ai e përdor gjuhën diplomatike si mjet për te fituar kohë, duke mos hequr dorë asnjëherë nga synimi për të ruajtur ndikimin e Serbisë mbi Kosovën, veçanërisht përmes pengimit të integrimit euroatlantik të saj”.
Krahas kësaj, tha se president serb po synon ta instrumentalizoj politikisht pjesën e veriut, ndonëse në realitet kjo pjesë e Kosovës sot frymon lirshëm.
“Në të njëjtën kohë, Vuçiq e forcon gjithnjë e më shumë relacionin e tij strategjik me Rusinë dhe Kinën, si një kundërpeshë ndaj ndikimit perëndimor. Rasti i fundit i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me Kinën është një sinjal i qartë i këtij orientimi të dyfishtë të politikës së jashtme serbe. Kjo qasje jo vetëm që bie ndesh me interesat e stabilitetit rajonal, por ngre pikëpyetje serioze për sinqeritetin e Beogradit në raport me procesin e dialogut me Kosovën dhe angazhimin e tij ndaj vlerave euroatlantike.
Në këtë kontekst, Vuçiq po përpiqet të instrumentalizojë politikisht pjesën veriore te Kosovës, jo më përmes strukturave paralele, të cilat janë shpërbërë nga Qeveria e Kosovës por përmes ndërtimit të një diskursi të rremë, ku ai paraqitet si “i gatshëm për stabilitet”, ndërsa tenton ta portretizojë Kosovën si burim të tensioneve. Në realitet, veriu i Kosovës sot frymon lirshëm, pa struktura ilegale të sigurisë dhe pa presion ndaj komunitetit serb, përderisa ata i përmbahen rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Të drejtat e tyre si komunitet jo shumicë janë të garantuara me Kushtetutë dhe të mbrojtura me standarde të avancuara evropiane”.
Po ashtu, Voca zbërtheu strategjinë e Vuçiqit, ku tha se po luan me “dy fronte” dhe se po përpiqet të përfitojë nga kriza institucionale në vendin tonë.
“Strategjia e Vuçiqit është e qartë: pasi ka humbur kontrollin përmes instrumenteve të paligjshme në terren, ai po përpiqet ta bllokojë procesin nga jashtë përmes presioneve diplomatike dhe përpjekjeve për të ndikuar narrativën ndërkombëtare. Ai është duke luajtur në dy fronte: në njërën anë paraqitet si bashkëpunues dhe i moderuar për të ruajtur raportet me Perëndimin, ndërsa në anën tjetër, refuzon zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara dhe vazhdon të mbjellë mosbesim dhe ndasi etnike brenda dhe jashtë kufijve të Serbisë.
Ndërkohë, Vuçiq po përpiqet të përfitojë edhe nga kriza aktuale institucionale në Kosovë, siç është moskonstituimi i Kuvendit, për të paraqitur Prishtinën si të paqëndrueshme dhe të paaftë për dialog. Kjo është pjesë e të njëjtës strategji: të shfrytëzojë çdo vakum politik të brendshëm për të forcuar pozitën e vet në sy të ndërkombëtarëve, ndërkohë që pengon thellimin e shtetësisë së Kosovës”.
Krahas kësaj, ai tha se derisa Vuçiq flet për paqe, kurse në praktikë e minon atë, këto deklarata duhet të konsiderohen si lojë gjeopolitike.
“Për më tepër, Vuçiq e instrumentalizon çdo kanal ndërkombëtar për të vendosur narrativën e tij, atë të “viktimës” që përpiqet për stabilitet, por që “pengohet” nga veprimet e Prishtinës. Në realitet, ai mban peng procesin e dialogut përmes kërkesave joreale dhe refuzimit për të zbatuar marrëveshjet ekzistuese, siç është njohja e shtetësisë së Kosovës apo shpërbërja e strukturave ilegale të sigurisë në veri.
Në fund të fundit, përderisa Vuçiq vazhdon të flasë për paqe, ndërsa e minon atë në praktikë, çdo deklaratë e tij duhet të trajtohet si pjesë e një loje gjeopolitike dhe jo si hap i sinqertë drejt pajtimit”, përfundoi Mirsad Voca për “Bota sot”.
Mehmeti: Vuçiq është mjeshtër i dy gjuhëve: një për opinionin ndërkombëtar dhe një tjetër për opinionin e brendshëm
Ndërsa, edhe analisti politik, Faton Mehmeti e sheh këtë deklaratë të Vuçiqit si pjesë të lojës së tij diplomatike, që për synim ka paraqitjen e Beogradit si viktimë, kurse Prishtinën si fajtore.
“Deklarata e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, pas bisedës me presidentin francez Emmanuel Macron, ku ai shfaqet i “përkushtuar ndaj dialogut”, është një pjesë e lojës së njohur diplomatike që ai zhvillon për t’u paraqitur si faktor paqeje në rajon. Në realitet, kjo është vetëm fasada që përdor për të shmangur presionin ndërkombëtar dhe për të transferuar fajin nga Beogradi në Prishtinë”.
Krahas kësaj, Mehmeti në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” tha se strategjia që po përdor presidenti serb është e qëllimshme, derisa është vazhdimësi e fushatës dezinformuese.
“Vuçiq është mjeshtër i dy gjuhëve: një për opinionin ndërkombëtar dhe një tjetër për opinionin e brendshëm. Para ndërkombëtarëve shfaqet si bashkëpunues, ndërsa brenda vendit dhe përmes strukturave paralele në Kosovë, nxit tensione dhe e përdor bllokadën institucionale për të dëmtuar funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Kjo strategji e paraqitjes si “viktimë” është e qëllimshme: Vuçiq përpiqet t’i bindë aleatët evropianë dhe amerikanë se Prishtina është pala destruktive, ndërkohë që në terren Serbia inkurajon refuzimin e institucioneve legjitime të Kosovës dhe vazhdon me fushatë dezinformimi”, shpjegoi ai.
Në fund, analisti kërkoi nga Kosova koordinim të plotë me ndërkombëtarët dhe të jetë sa më aktive në fushën e diplomacisë.
“Institucionet e Kosovës duhet të mbajnë një qëndrim të palëkundur dhe të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë, duke insistuar në parimet e rendit kushtetues dhe ligjor të vendit. Kosova duhet të jetë aktive në diplomaci, transparente në veprimet e saj dhe e vendosur në integrimin e plotë të veriut në strukturat e saj shtetërore”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.