Në kohën kur u mendua se Kosova ndodhej në javën vendimtare përsa i përket vendimit të Gjyaktës Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit, gjërat si duket po marrin kthesë tjetër.
Pas kërkesës së presidentes Vjosa Osmani dhe partive politike LDK, PDK e AAK, Gjykata Kushtetuese ua kishte ndaluar deputetëve çdo vendim dhe veprim pas kalimit të afatit 30-ditor që e pati përcaktuar në aktgjykimin e parë (pas kërkesës së AAK-së).
Kjo ndalesë vlen nga 27 korriku deri më 8 gusht. Ndërsa kanë mbetur vetëm edhe dy ditë deri në përfundimin e afatit të ndalesës, presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar të martën se e ka tërhequr kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese në lidhje me moskonstituimin e Kuvendit deri më 26 korrik.
Kjo tërheqje erdhi pasi gjyqtari serb në Gjykatën Kushtetuese, Radomir Llaban, ishte caktuar si raportues për këtë rast.
“Këtë vendim e kam marrë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës tashmë të konfirmuar se gjyqtari raportues në këtë rast është Radomir Llaban, për të cilin institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione zyrtare lidhur me veprimtarinë e tij të rrezikshme në vitet 2018, 2021 dhe 2024,” deklaroi Osmani.
Në lidhje me këtë çështje për gazetën “Bota sot” ka folur publicisti Gani Qarri, i cili e konsideron të drejtë vendimin e presidentes Osmani për tërheqje të kërkesës.
Ai ka kujtuar faktin se Llaban u dekretua si gjyqtar i Kushtetueses edhe përkundër se ishte shpallur fajtor për marrje ryshfeti në Serbi.
“Mjerisht, për Gjykatën Kushtetuese duket se nuk mjaftoi vendimi asnjanës i saj, me të cilin ajo u bë palë duke vepruar edhe vet si parti e jo si gjykatë dhe dalë në krah, bllokuesve të Kuvendit, madje për aq më keq, sikur mos të kishte fare asnjë gjyqtar tjetër në Gjykatën Kushtetuese, ajo në provokimin e radhës, ka caktuar si gjyqtar raportues në këtë rast, hiq më pak se Radomir Llabanin i cili ka qenë i përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues të vendit dhe konsiderohet se përbën edhe aktualisht, rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës.
Radimir Llaban përkundër faktit se në vitin 2011, ishte shpallur fajtor për veprën penale të marrjes së ryshfetit dhe dënuar me gjashtë vjet burgim në Serbi, në Kosovë ai u propozua nga Lista Serbe, për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, kurse përkundër dënimit me burg dhe veprave penale që rëndonin mbi te, në muajin gusht të vitit 2018, u ai emërua nga Hashim Thaqi gjykatës i Kushtetueses me mandat 9 vjeçar dhe votua nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Prandaj duke qenë se në përbërje të Kushtetueses, që nga periudha e Thaçit kemi edhe gjyqtar si Radomir Llabani, çuditërisht i caktuar nga Gjykata habitore Kushtetuese, së fundi të merret edhe me çështjet jetike të shtetit të Kosovës të ngritur nga Presidentja e vendit, Dr. Vjosa Osmani, me të drejtë ka tërhequr kërkesën e saj dhe kërkon vëmendje të shtuar ndaj integritetit të institucioneve kushtetuese dhe atyre të sigurisë së shtetit të Kosovës.
Gjykata Kushtetuese do duhej ta dinte e para, se për Radomir Llabanin qysh në vitet 2018, 2021 dhe 2024, organet tona kanë dorëzuar informacione të qarta dhe argumente zyrtare mbi veprimtarinë e rrezikshme të tij, madje për shkak të rrezikut që ai paraqet për institucionet tona dhe sigurinë shtetërore, vet Presidentja Osmani edhe në vitin 2024, kishte kërkuar nga Kushtetuesja largimin e Radomir llabanit, kurse Gjykata Kushtetuese jo vetëm që nuk kishte ndërmarrë asgjë në atë drejtim, por ajo e ka caktuar pikërisht Radomir Llabanin gjyqtar raportues në çështjen e ngritur nga presidentja e shtetit, për konstituimin e Kuvendit të Kosovës!”, ka thënë Qarri
Sipas tij, caktimi nga Kushtetuesja i një gjyqtari të penalizuar si Radomir Llabani, në çështje të një rëndësie të veçantë kushtetuese, vërtetë është thellësisht shqetësues dhe akt që mund të krijojë edhe pasoja serioze për institucionet tona shtetërore.
“Prandaj dhe nuk duhet ti lejohet as Kushtetueses që çështje, kaq të ndjeshme të trajtohen nga individë për të cilët ekzistojnë dyshime të thella për rrezikshmëri ndaj rendit kushtetues dhe institucioneve të shtetit të Kosovës.
Presidentja e vendosur kaq pabesisht nga Kushtetuesja, para një akti të tillë të paprecedent, në shenjë reagimi ndaj caktimit të gjyqtarit Radomir Llaban si raportues i kësaj lënde, zonja Dr. Vjosa Osmani, është detyruar që ta tërheq tërësisht kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, për të cilin ajo flet me fakte se është figurë problematike për sigurinë e shtetit dhe institucionet tona të sigurisë”, ka potencuar ai.
Me këtë vendim çudibërës, Qarri thotë se "Kushtetuesja" përsëri ua ka lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të lojës, edhe deputetëve të nënshtruar politikisht nga partitë e inkriminuara.
“Kjo, ani pse, për gati 6 muaj, nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ata kanë zhgënjyer aq keq qytetarët me sjelljet e tyre të paprecedent, duke bllokuar për më tepër se tre muaj me radhë, konstituimin e Kuvendit, sa që asnjë njeri në Kosovë, nuk do të dëshironte më, që legjislativi i vendit të përbëhej, përsëri nga të njëjtit deputetë të dështuar.
Kosova sado që është një ndër shtetet më të vogla në rajon, megjithatë është shtet, nuk është fshat i asnjë partie, as provincë e Kushtetueses apo oborr i Radomir Llabanit, por shtet i pavarur me të gjitha entet dhe institucionet përkatës, nga ato juridike, kushtetuese, ligjore, deri te akademia e shkencave dhe posedimi i institucionit policor e ushtarak të shtetit, ndaj dhe serioziteti në sjellje e qëndrime, veçanërisht sa i takon Kushtetueses, lidhur me vendimet për legjislativin, duhet të jenë në nivelin e shteteve analoge në fqinjësi, rajon dhe Evropë”, shton Qarri.
Publicisti më tej ka komentuar sjelljet e deputetëve, disa prej të cilëve sipas tij nuk e meritojnë një mandat të radhës për shkak se kanë krijuar bllokadë të qëllimshme disa muajshe.
“Pas bllokadës së qëllimshme mbi tre mujore për moskonstituimin e Kuvendit dhe pengimin e krijimit të institucioneve legjitime shtetërore, të dala nga votimet e 9 shkurtit, për dallim nga deputetët të cilët kanë marrë pjesë në seanca dhe kanë votuar për konstituimin e Kuvendit, ata që në 54 seancat e mbajtura kanë shkelur kushtetutën, duke mos votuar asnjëherë dhe në asnjërën nga format e votimit; për, kundër, apo abstenuar me ngritjen formale të dorës, akt që dëshmon se deputeti përkatës po angazhohet, kryen obligimin kushtetues që i takon si përfaqësues i qytetarëve e me këtë është në nivel të detyrës dhe po respekton Kushtetutën, duhet të lirohen urgjentisht nga mandatet.
Përndryshe përfaqësimi i qytetarëve dhe përbërja e organit më të lartë legjislativ të shtetit, si Kuvendi i Kosovës, nga të njëjtit deputet, vërtetë do të ishte përbuzja më e rëndë e inteligjencës së popullit të Kosovës dhe turpi më i madh që mund të ndodhte edhe para faktorëve ndërkombëtar për shtetin e Kosovës”, thotë ai.
Qarri ka rikujtuar edhe vendimin paraprak të Kushtetueses rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit dhe votimit të fshehtë, duke thënë se i njëjti ka sjellë paqartësi të shumta.
“Është shumë interesant se si gjatë bllokadës mbi tremujore të Kuvendit, partitë opozitare duke pasur në krah edhe Gjykatën Kushtetuese e cila, krijohet përshtypja se po drejtohet nga vet Radomir Llabani, u shndërruan në digë të patejkalueshme edhe kundër krijimit të institucioneve shtetërore, parti që me inskenime e insinuata të vazhdueshme, përpiqeshin të ngrinin edhe tensionet politike, derisa deputetëve pa uni, të kësaj legjislature, që treguan botërisht se janë të papjekur dhe akoma të pa rritur për funksione me kaq shumë përgjegjësi, në ndihmë për bllokimin e Kuvendit, u erdhi edhe vet Gjykata Kushtetuese, e cila në vend se të jepte një përgjigje të qartë, nxori një vendim asnjanës dhe në vend të udhëzimeve, për dalje nga gjendja e krijuar, shkaktoi kaos të plotë e u bë palë për vazhdimin e ngërçit politik në vend.
Ndryshe kushtetuesja po të dëshironte edhe në vendimin paraprak kishte mundësi të shpjegonte qartë obligimet kushtetuese të deputetëve, duke nxjerrë vendime të prera me akte detyruese ligjore dhe udhëzime konkrete se si duhej vepruar ata në rrethanat tipike, për nxjerrjen e vendit nga kriza dhe mënjanuar kaosin e krijuar që po zgjat nga 15 qershori kur dhe u mbajt seanca e parë konstituive e Kuvendit”, ka nënvizuar ai.
Kurse me caktimin e Vlladimir Llabanit si gjyqtar raportues të kësaj lënde, sipas Qarrit Gjykata Kushtetuese po dëshmon se nuk është pjesë e zgjidhjes, por është maja e problemit dhe as që ka interesim për nxjerrjen e një vendimi të prerë e me qartësi të plotë kushtetuese për konstituimin e Kuvendit dhe daljen nga ngërçi i krijuar.
“Duke qenë se deputetët e të gjitha partive, përfshi edhe ata të opozitës, e kanë obligim kushtetues votimin dhe kontributin ligjor për krijimin e institucioneve shtetërore, bllokuesit e Kuvendit, që përkundër 54 seancave të mbajtura radhazi tejkaluan pa u brengosur fare edhe afatin 30 ditor, të caktuar në "mirëbesim" nga Kushtetuesja", të cilët duke mos marrë pjesë as formalisht në votim, e lanë vendin pa institucione dhe me veprimet e tyre po çojnë ujë, direkt në mullirin e Serbisë hegjemoniste, bllokada mbi tre mujore për moskonstituimin e Kuvendit dhe pengimi i qëllimshëm i krijimit të institucioneve legjitime shtetërore, ka dëshmuar se deputetë të tillë nuk janë në nivel të detyrës, mbeten të kapur nga partitë politike, janë të paaftë ta kryejnë obligimin kushtetues dhe nuk e kanë më vendin, në Kuvend.
Madje edhe koha e kaluar prej gati 6 muajsh, ka dëshmuar katërçipërisht se as që ka vullnet nga ana e tyre, për zgjidhjen e ngërçit apo arritjen e ndonjë marrëveshje politike, në anën tjetër përfaqësimi i qytetarëve dhe përbërja e organit më të lartë legjislativ të shtetit, nga të njëjtit deputet, vërtetë do të ishte turpi më i madh dhe përbuzja më e rëndë, që mund ti bëhej inteligjencës së popullit të Kosovës dhe dëmtohej rëndë imazhi i Kuvendit të shtetit tonë, i cili përsëri do të mbetej institucion i ngarkuar me pikëpyetje të mëdha, për funksionimin normal dhe do të injorohej tërësisht nga miqtë tanë e nuk do merrej më seriozisht as nga qytetarët dhe faktori ndërkombëtar, gjë që do ta dëmtonte rëndë edhe shtetin e Kosovës”, potencon Qarri.
Ai thotë se Gjykata Kushtetuese do të duhej që më 8 gusht t’ua merrte mandatet dhe t’ua ndalonte deputetëve bojkotues që të rikandidojnë sërish.
“Kështu që Gjykata Kushtetuese, përfundimisht duhet ta çlirojë njëherë e mirë, legjislativin nga njerëz me ngarkesa partiake dhe përfaqësues të robëruar nga partitë politike, e cila si organi më i lartë vendimmarrës juridiko-ligjor, që me 8 gusht do duhej ti shuaj mandatet e legjislaturës së 9-t, t`ua ndalojë ri-kandidimin deputetëve aktual të cilët kanë shkelur Kushtetutën dhe ta autorizoi presidenten e vendit, për shpalljen e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme për krijimin e legjislativit të radhës, me deputet të rinj, të panjollosur në bllokada e afera politike.
Deputet që paraprakisht do të garantonin me nënshkrimet personale se pavarësisht nga qëndrimet e segmenteve që u takojnë, interesat e shtetit do ti vendosin para atyre të partive politike dhe do ta respektojnë në plotëni obligimin kushtetues dhe të votojnë, në njërën nga format e parapara ligjore të votimit, që nga mbledhja e parë konstituive, në mënyrë që të ndërpritet kjo bllokadë institucionale, të zgjidhjet ngërçi politik dhe tejkalohet gjendja e krijuar kaotike, tash e gati 6 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të 9 shkurtit, të konstituohet Kuvendi me deputet të rinj dhe të krijohen përfundimisht institucionet e reja legjitime të shtetit të Kosovës”, ka përfunduar Qarri.