“Ҫështja e dialogut ishte e planifikuar qysh gjatë luftës”, Zeqiraj zbulon planet e Serbisë për dialogun me Kosovën

Politika

“Ҫështja e dialogut ishte e planifikuar qysh gjatë luftës”, Zeqiraj zbulon planet e Serbisë për dialogun me Kosovën

Nga: H.O. Më: 6 gusht 2025 Në ora: 23:06
Ilustrim

Publicisti dhe analisti politik Idriz Zeqiraj thotë se Serbia e ka përgatitur qysh moti planin për të shndërruar dialogun me Kosovën nga teknik në politik, duke e ndërtuar mbi shantazhe dhe dosje komprometuese të disa prej ish-komandantëve të UÇK-së. Sipas tij, këto dosje janë mbledhur me bashkëpunimin e shërbimeve sekrete të aleatëve të Serbisë dhe janë përdorur për të ndikuar në proceset politike në Kosovë.

“Serbia e kishte projektuar dialogun politik me Kosovën qysh gjatë luftës. Ajo është koordinuar me shërbimet informative të aleatëve të saj dhe me argatët e saj të vjetër e të rinj, për të përcjellë ‘të bëmat’ e disa ‘biçim komandantëve’. Këto janë shfrytëzuar për shantazh politik dhe penal”, deklaron Zeqiraj.

Ai thotë se në saje të këtyre dosjeve, Serbia arriti që dialogun teknik ta kthejë në një proces politik, fillimisht të fshehtë e pastaj të hapur, me tema që, sipas tij, janë të dëmshme për Kosovën.

Zeqiraj i cilëson mbrojtësit e këtyre figurave si “lehës në hënë” dhe thotë se protestat e paralajmëruara nga OVL e UÇK-së dhe të tjerët janë të pakuptimta dhe të turpshme.

Image
Idriz Zeqiraj

“Ata që po i bëjnë tellall krimit dhe po mbrojnë kriminelët janë të dalë boje. Protesta që po paralajmërojnë është aq e turpshme sa edhe vetë organizatorët e saj. Askush nuk i merr më seriozisht”, shton ai.

Zeqiraj thekson se ish-pushtetarët e shantazhuar kanë kontribuar drejtpërdrejt që sot Serbia të vendosë për vazhdimin e dialogut. Ai përmend miratimin e një draft-statuti, që e quan “ilegal dhe fatal për Kosovën”.

“Ata e miratuan një draft-statuti të dëmshëm në Kuvendin e Kosovës. Kur mungon motivi i vërtetë dhe ka përpjekje për fshehje të krimit, dështimi është i pashmangshëm”, shprehet Zeqiraj.

Ai vlerëson se kërkesa aktuale e Serbisë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një hap drejt themelimit të një “Republika Srpska” të dytë në Ballkan.

“Kjo është një kërkesë absurde me pasoja të rënda për Kosovën. Përmes këtij Asociacioni, Serbia po synon ndarjen e Kosovës dhe bashkimin e pjesëve me shumicë serbe me territorin e saj”, paralajmëron Zeqiraj.

Ai e krahason këtë situatë me rastin e Krimesë, që sipas tij fillimisht kishte një lloj autonomie, të cilën Rusia e shfrytëzoi për ta pushtuar më pas me dhunë.

Zeqiraj e quan të papranueshme edhe mbështetjen që disa zëra ndërkombëtarë i japin kësaj ideje, përfshirë profesorin amerikan Alon Ben-Meir, i cili ka thënë se “Kosova duhet ta krijojë Asociacionin nëse nuk dëshiron shkëmbime territoresh”.

“Ky është shantazh klasik ndaj Kosovës. Duhet të sqarohet se kujt po i shërben ky profesor. A është ndoshta i tipit Grenell, lobues me pagesë për Serbinë?”, pyet ai.

Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të kërkojnë sqarime nga këta zyrtarë e analistë dhe t’u tregojnë me fakte se Kosova nuk mund të pranojë as ndarjen, as shkëmbimin e territoreve.

Ai shpreh habi pse Kosova ende nuk i referohet doktrinës ndërkombëtare ligjore “Rebus Sic Stantibus”, e cila mundëson anulimin e marrëveshjeve të nënshkruara në rrethana shantazhuese.

“Është e habitshme që kjo doktrinë nuk po përmendet fare nga institucionet tona. Ajo është praktikuar edhe më 1973 në një marrëveshje mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Islandës. Duhet të veprohet menjëherë”, thotë Zeqiraj.

Ai thekson se marrëveshja për Asociacionin është bërë në mënyrë konspirative dhe pa konsultim me institucionet dhe subjektet politike të Kosovës.

“Kjo marrëveshje është nënshkruar në rrethana të shantazhit, prandaj mund dhe duhet të anulohet. Ka argumente të forta që flasin në favor të Kosovës”, përfundon analisti politik Idriz Zeqiraj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat