Nga NISMA kundërshtojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme, flasin për takimet Limaj-Kurti – ja thirrja për partitë politike

Politika

Nga NISMA kundërshtojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme, flasin për takimet Limaj-Kurti – ja thirrja për partitë politike

Nga: A.M. Më: 9 gusht 2025 Në ora: 10:06
Fatmir Limaj dhe Albin Kurti

Kosova tash e sa muaj është në një ngërç politik, pasi partitë nuk po arrijnë të formojnë institucionet e reja qeverisëse.

Në lidhje me zhvillimet e fundit, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli Artan Nimani nga NISMA Socialdemokrate.

Së pari, ai tha se qytetarët më së shumti i bartin pasojat e kësaj bllokade, derisa përmendi edhe fushat në të cilat shfaqen problemet më të mëdha.

Image
Artan Nimani nga NISMA Socialdemokrate.

“Qytetarët janë ata që e bartin barrën më të madhe të kësaj krize. Pa Kuvend funksional nuk ka ligje të reja, nuk ka kontroll parlamentar ndaj qeverisë, nuk ka llogaridhënie, nuk ka politika të reja sociale, e aq më pak reforma strukturore. Pasojat ndihen në secilën fushë – në shëndetësi, arsim, ekonomi dhe drejtësi. Bllokada politike prodhon ngecje në shërbime dhe rritje të zhgënjimit qytetar ndaj sistemit demokratik”.

Krahas kësaj, Nimani e theksoi faktin se NISMA ka qenë e hapur për bashkëpunime me të gjithë, kësisoj kërkoi edhe nga partitë e tjera të lënë anash inatet dhe të bëhen të gjitha bashkë, për arritjen e një marrëveshje, e cila eventualisht do ta zhbllokonte Kuvendin.

Madje, ai tha se NISMA nuk është e interesuar për zgjedhje, pasi do e dëmtonin vendin.

“Duhet të mbizotërojë përgjegjësia shtetërore, jo kalkulimi elektoral. Partitë duhet të dalin nga logjika e përjashtimit dhe të hyjnë në një marrëveshje për funksionalizimin e Kuvendit dhe kthimin e jetës institucionale në normalitet. Nisma Socialdemokrate ka qenë e qartë që nga fillimi – ne nuk jemi për zgjedhje të jashtëzakonshme në kohë krizash, sepse ato thellojnë destabilitetin. Për këtë arsye kemi ofruar një zgjidhje konkrete: jemi të gatshëm të udhëheqim Kuvendin e Kosovës për të garantuar stabilitet institucional dhe rifunksionalizim të jetës parlamentare”, shpjegoi ai.

Ndër tjera, dha edhe detaje nga takimet Kurti-Limaj, si dhe ofertën që NISMA ia ka bërë partisë në pushtet.

“Qëndrimi i Nismës ka qenë i qartë dhe parimor: tejkalimi i krizës përmes marrëveshjes politike, jo përmes imponimeve. Z. Limaj ka zhvilluar disa takime me Kryeministrin Kurti, por për fat të keq, nuk ka pasur vullnet real nga ana tjetër për të pranuar as kompromis institucional, as zgjidhje afatshkurtër. Oferta jonë për të marrë drejtimin e Kuvendit dhe për të kontribuar në rifunksionalizimin e institucioneve është refuzuar pa arsye të qarta, duke dëshmuar se për Qeverinë më me rëndësi është mbajtja e kontrollit sesa zhbllokimi i krizës”, përmbylli Artan Nimani për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat