Tali: Vendimtare për Kosovën dhe Ballkanin është takimi Trump-Putin, jo deklaratat e Grenell-it

Politika

Tali: Vendimtare për Kosovën dhe Ballkanin është takimi Trump-Putin, jo deklaratat e Grenell-it

Nga: A.SH Më: 12 gusht 2025 Në ora: 20:01
Donald Trump, Richard Grenell

Richard Grenell, përfaqësues special i presidentit Donald Trump, ka zbuluar planet e administratës amerikane për t’u angazhuar në çështjen e Kosovës.

Ai ka thënë se Shtëpia e Bardhë do të veprojë me kujdes dhe në mënyrë graduale, duke ndjekur një qasje hap pas hapi për të adresuar sfidat dhe çështjet e hapura në këtë rajon.

Grenell theksoi se administrata Trump synon të mbështesë dialogun dhe stabilitetin në Ballkan përmes angazhimit të kujdesshëm dhe strategjik.

“Mendoj se do të shkojmë hap pas hapi. Sigurisht jemi plotësisht të angazhuar në këto çështje, por siç e thashë, po bëjmë zhvillim ekonomik gjithandej botës. Ky është fokusi”, ka thënë Grenell.

Analisti Driton Tali thotë se, edhe pse Richard Grenell nuk është më pjesë aktive e politikës, deklaratat e tij janë të rëndësishme dhe duhet marrë seriozisht.

Megjithatë, ai vlerëson se takimi Trump-Putin në Alaskë është më vendimtar për zhvillimet në Ballkan.

Sipas tij, nëse Trump arrin të imponojë paqen Putinit, kjo do të dobësojë ndikimin rus dhe hegjemonizmin serb në rajon, duke sjellë ndryshime pozitive politike dhe ekonomike në Ballkan.

“Ndonëse, tashmë z Grenell është larg politikbërjes, megjithatë është një qenje politike dhe mirë i informuar sepse sillet (për mos të thënë imponohet) rreth qarqeve afër Presidentit Trump.

Andaj deklaratat e tij duhet marrë seriozisht, për aq sa munden, dhe ja vlen të analizohen, bile edhe atëherë kur ai "flirton" me qarqet jo miqësore të Kosovës.

Sidoqoftë, hëpërhë, sipas mendimit tim, takimi Trump - Putin, i kësaj të premte, në Alaksë, është shumë më i rëndësishëm për zhvillimet në rajonin tonë se sa opinionet e z. Grenell.

Nëse Presidenti Trump ja arrin që t'ia imponojë paqen Putinit, atëherë gjërat do të ndryshojnë pozitivisht në rajon, sepse ajo nënkupton edhe dorëzimin e Putinit, ashtu siç u dorëzua në Siri.

D.m.th., hegjemonizmi serb do ta humbas tutorin e saj, ashtu siç e humbi në vitet 90'ta, kur Rusia e Jelcinit ishte "jashtë loje".

Unë jam i bindur se "kjo Serbi" pa "këtë Rusi" të Putinit, dhe me sfidat ekonomike e politike që i ka brenda saj, do të fillojë të sillet ndryshe, e që me atë "sjelljen ndryshe" të saj do të përfitojmë të gjithë ne në Ballkan, jo vetëm në aspekin politik por edhe në atë ekonomik”, përfundon ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat