Analisti politik Agron Hoti ka paralajmëruar se bllokimi i vendimmarrjes në Gjykatën Kushtetuese mund të çojë drejt dështimit të shtetit të Kosovës dhe përkeqësimit të gjendjes së përgjithshme në vend.
“Përpjekjet e vazhdueshme dhe tashmë edhe intensive për ta paralizuar vendimmarrjen në Gjykatën Kushtetuese çojnë pashmangshëm në dështimin e shtetit të Kosovës. Nëse kjo ndodh, gjendja mund të përshkallëzohet në mënyrë të rrezikshme,” tha Hoti.
Ai shtoi se fundviti mund të sjellë një skenar të zymtë për vendin.
“Fundviti që po vjen mund të jetë ‘Dimri i vetmisë së madhe’. Një shteti nën sanksione perëndimore dhe të dështuar do t’i mbyllen të gjitha dyert. Nuk përjashtohet mundësia që Kosova të përballet me trazira të ngjashme me ato të vitit ‘97 në Shqipëri. Uroj që jo,” u shpreh Hoti.
Sipas tij, aty ku rrënohet rendi ligjor, kushtetues dhe ekonomik, i hapet rrugë anarkisë dhe kaosit.
“Kjo përmbush ëndrrën dhe investimin mbi 26-vjeçar të Serbisë dhe Rusisë për zhbërjen e shtetit të Kosovës, të cilin ato ende e shohin si projekt amerikan,” theksoi ai.
Hoti vuri në dukje se rimarrja e raporteve me SHBA është e vetmja rrugë për të shmangur një krizë të thellë.
“Shpëtimi i vetëm i Kosovës nga dimri i nxehtë që po vjen është riparimi sa më i shpejtë i marrëdhënieve me SHBA. Çfarëdo rruge tjetër do të çojë ujë vetëm në Serbi dhe Rusi,” përfundoi ai.