Llaban, i “paprekshëm” për drejtësinë? Kelmendi: Sistemi juridik i Kosovës është i mbushur me elementë të rrezikshëm

Politika

Llaban, i “paprekshëm” për drejtësinë? Kelmendi: Sistemi juridik i Kosovës është i mbushur me elementë të rrezikshëm

Nga: M.L. Më: 15 gusht 2025 Në ora: 09:56
Radomir Llaban

Organet e drejtësisë në Kosovë ende nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje nëse janë duke u marrë me hetimin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Radomir Llaban, pas denoncimit publik të presidentes Vjosa Osmani se i njëjti përbën kërcënim për sigurinë kombëtare.

Akuza të ngjashme pati edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila e akuzoi Llabanin për bashkëpunim me Serbinë, BIA-n dhe Radoiçiqin.

Por, pavarësisht këtyre akuzave, drejtësia duket se nuk ka vepruar, ndërsa Llaban vazhdon ta mbajë një nga postet më të rëndësishme të shtetit, atë të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka vënë në pah praninë e elementëve që, sipas tij, punojnë kundër interesave të shtetit.

Sipas Kelmendit, në organet e sistemit juridik dhe politik të vendit ka shumë individë me të kaluar të dyshimtë, të cilët rrjedhin nga ish-sistemi i pushtuesit serbo-jugosllav.

Image
Muhamet Kelmendi

“Kosova sundohet nga elementë destruktivë dhe të rrezikshëm për vendin. Në organet e sistemit juridik dhe politik në Kosovë ka shumë njerëz që janë të dyshimtë për të kaluarën e tyre dhe rrjedhin nga ish-sistemi i pushtuesit serbo-jugosllav. Të tillë i kemi në gjykata, në prokurori, në administratën qendrore dhe lokale, dhe të njëjtit kanë vend shumë të respektuar para shtetit dhe kudo në mjete të informimit, në TV, si ekspertë ose analistë.

Një njeri i tillë, i cili është gjyqtar, u përmend nga presidentja dhe ministrja në detyrë të Drejtësisë. Fjala është për Radomir Llaban, gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, u shpreh Kelmendi.

Ai ka rikujtuar se emërimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve bëhet pas një procedure që analizohet nga Këshilli Prokurorial ose Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

“Mbi këtë analizë bëhet propozimi edhe për gjyqtarë në çdo nivel gjyqësor të Kosovës. Ndërsa gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen nga Kuvendi dhe, pas një nënshkrimi akreditues nga presidenti/ja, vendosen në gjykatë.

Radomir Llaban, sipas asaj që është pasqyruar, është zgjedhur nga Kuvendi me vota në vitin 2018. Presidenti e ka nënshkruar vendimin dhe ai ka filluar punën si gjyqtar.

Në atë kohë nuk dihej nëse kishte fakte që ky njeri përbënte kërcënim për sigurinë kombëtare. Ndoshta ka ndonjë organ që i ka, por zyrtarisht nuk kemi informacione. Tash, presidentja ka dalë dhe e akuzon si person që kërcënon sigurinë kombëtare. Po këtë mendim e ka shprehur edhe ministrja e Drejtësisë në detyrë”, ka thënë Kelmendi.

Prandaj, juristi thotë se duhet shpresuar se deklarimet e tilla vijnë pas të dhënave zyrtare që kanë marrë nga AKI.

“Në këtë rast, jo vetëm që duhet të largohet nga Gjykata Kushtetuese, por i takon Prokurorisë Speciale të hapë hetimet dhe ta akuzojë për veprën penale të kërcënimit të rendit kushtetues”, thotë ai.

Mbi bazën e akuzës, sipas Kelmendit, dënimi shkon nga 5 vjet deri në burg të përjetshëm.

“Kjo sepse vepra për të cilën është akuzuar është kërcënim i rendit kushtetues dhe i sigurisë së shtetit. Sipas Këshillit Prokurorial të Kosovës, dënimi mund të shkojë deri në burgim të përjetshëm. Kryesit e kësaj vepre arrestohen; nuk lihen të lirë dhe në gjykatë vendoset për rastin penal. Po kështu duhet të veprohet edhe ndaj rasteve të tjera”, nënvizon ai.

Kelmendi po ashtu rikujton se në organet juridike e politike kemi mjaft elementë me të kaluar jo të pastër, sepse kanë punuar në organet e ish-regjimit deri në vitin 1999, dhe tash duket se punojnë kundër shtetit të Kosovës.

“Ata jetojnë të lirë në Kosovë. Shumë janë në punë, të tjerët marrin pension nga Kosova pa dhënë asnjë kontribut në sistemin pensional të vendit. Mjafton të kenë 15 vjet stazh pune para vitit 1999 dhe pensioni u shkon deri në 500 euro, varësisht nga kvalifikimi që kanë. Këtu nuk merret fare parasysh e kaluara.

Ndërkohë, shteti ua jep veteranëve nga 204 euro në emër të pensionit. Këta që bënë luftën për liri marrin këtë shumë, ndërsa të mirat e shtetit i marrin elementët e ish-regjimit pushtues”, potencon ai.

Ai shton se në Kosovë ka kohë që Kuvendi, qeveritë e deritashme, organet prokuroriale dhe gjyqësore kanë heshtur, dhe se këtë gjendje e kanë shfrytëzuar elementët e rrezikshëm, madje edhe kriminalë, dhe tash sundojnë.

“Këta kanë pushtetin politik, juridik, të rendit dhe të sigurisë, si dhe pushtetin ekonomik. Ka që kanë bashkëpunuar edhe me shtetin serb, si Llaban, por askush nuk është marrë me ta. Janë lënë të lirë për të vepruar kundër rendit kushtetues.

Shpresohet se tash Prokuroria Speciale e Kosovës do t’i ndjekë dhe t’i sjellë para gjykatës. Kjo është rruga e drejtë”, shprehet ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat