As pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, deputetët nuk e konstituuan Kuvendin e Kosovës.
Në vazhdimin e seancës, më 20 gusht, dy kandidatet e propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla, nuk i morën 61 votat e nevojshme.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ngulmojnë se nuk votojnë kandidatë të LVV-së që kanë qenë pjesë e qeverisë në legjislaturën e kaluar.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vazhdon t’i qëndrojë besnike qëndrimit që nuk ka votë për asnjë kandidat të LVV-së, përderisa të mos ketë marrëveshje për një qeveri të unitetit.
Nisma Socialdemokrate thotë se do të abstenojë, derisa të arrihet një marrëveshje politike.
E kësisojë në këtë situatë të krijuar, partitë ish-opozitare duket se kanë vendosur të bllokojnë propozimet e LVV-së, derisa edhe për propozimin që ia bën Gërvallës kishin kritika të mëdha dhe akuza të njëpasnjëshme.
Në lidhje me shkaqet e refuzimit të votimit të Gërvallës dhe pse u pengon ajo partive të tjera, folën njohësit e çështjeve politike.
Halilaj: Refuzimi i Albulena Haxhiut dhe Donika Gërvallës, tregon qartë se problemet nuk lidhen vetëm me emrat
E për këtë çështje foli edhe anëtari i Guxo, avokati Gazmend Halilaj në një prononcim për “Bota sot”.
Së pari, tha se me refuzimin e Gërvallës, u kuptua se kjo çështje nuk lidhet vetëm me emrat, por edhe me kalkulimet politike e partive politike.
“Refuzimi i dy kandidateve të Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiut dhe Donika Gërvallës, tregon qartë se problemet nuk lidhen vetëm me emrat, por me kalkulimet politike të partive të tjera. Donika Gërvalla është një figurë me përvojë ndërkombëtare dhe integritet të lartë, por pikërisht këto cilësi shpesh e bëjnë atë të papërshtatshme për ata që synojnë kompromise të brendshme dhe marrëveshje të fshehta”.
Krahas kësaj, avokati potencoi se mosvotimi i Gërvallës, lidhet më shumë me strategjinë për ta bllokaur LVV-në.
“Kundërshtimi ndaj saj është më shumë strategji për të bllokuar LVV-në, sesa një vlerësim real mbi personalitetin e saj. Për qytetarët, përkrahja e Gërvallës nënkupton mbështetje për një zë të fortë, të pakompromis dhe dinjitoz në institucionet e Kosovës”, përfundoi Gazmend Halilaj për “Bota sot”.
Qarri: Për opozitën e shantazhuar nuk mjaftoi as ndryshimi i emrave
Kurse, analisti politik, Gani Qarri u tregua kritik ndaj partive opozitare, derisa u konfirmua se nuk e kanë problem emrin e Haxhiut, pasi as Gërvallën nuk e votuan.
Sipas tij, qëllimi kyç është bllokada dhe moslejimi i formimit të qeverisë Kurti 3.
“Opozitë aq destruktive, e cila me gjithë premtimet se me ndryshimin e emrit të kandidatit për kryetar të Kuvendit, do të votojë pro, madje AAK deklaronte se kushdo që të propozohet nga partia fituese ne do ta votojmë, megjithatë as pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, deputetët e opozitës në seancën e 20 gushtit, sërish nuk votuan për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke u bërë një me "listën serbe" për të pamundësuar arritjen e 61 votave të nevojshme.
Dhe siç u pa faktikisht, për opozitën e shantazhuar nuk mjaftoi as ndryshimi i emrave dhe paraqitja e dy kandidateve të ndryshëm nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu e Donika Gërvalla, gjë që krijon dyshime të forta, se opozita aktuale, vërtetë është aq fort e shantazhur nga Vuçiqi dhe Millan Radojçiqi, e cila mund të ketë detyrime të pashlyera edhe para të ashtuquajturës "listë serbe", sa që po detyrohet të veprojë hapur kundër shtetit të Kosovës dhe interesave të qytetarëve të saj”.
Po ashtu, Qarri në prononcimin e tij me “Bota sot” u shpreh se opozita po vazhdon me lojërat e saj politike, me qëllim të vetëm që ta largojë Kurtin nga pushteti.
Prandaj, sipas tij po mbahet edhe peng Kuvendi i bllokuar.
“E duke pasur parasysh obstruksionet në kohën sa zgjatën 54 seancat e dështuara mbi tremujore, si dhe ngjashmërinë e sjelljes së opozitës edhe në seancën e 20 gushtit argument që vërteton se shkaku as arsyet nuk janë Albulena Haxhiu as Donika Gërvalla e cila është edhe e bija e një prej heronjve më të vlerësuar të Kosovës, Jusuf Gërvallës i vrarë bashkë me të vëllain Bardhoshin dhe Kadri Zekën nga UBD-serbe në Gjermani.
Dhe rrjedhimisht as që qëndron problemi te emri i propozuar për kryeparlamentar nga Lëvizja Vetvendosje, por tundimi i vërtetë i partive të inkriminuara opozitare, mbetet obstruksioni i vazhdueshëm politik i trashëguar nga Thaçi & C0, si vegël për rrëzimin e Albin Kurtit, në mënyrë që pas dështimit në zgjedhje të lira e demokratike, ta grabisin me obstruksione politike pushtetin në tavolinë, ndaj dhe tash e mbi 4 muaj po vazhdojnë të luajnë të njëjtën lojë meskine të bllokadës së krijimit të institucioneve shtetërore duke lënë Kosovën edhe 6 muaj pas zgjedhjeve pa institucione”.
Më tej, analisti politik, vazhdoi me kritikat e tij derisa përmendi edhe dëmet që ka pësuar vendi nga qeverisjet e kaluara, sidomos në pjesën e veriut.
Sipas tij, me inskenime të tilla të cilat po i bllokojnë institucionet, po e turpërojnë vendin edhe para faktorit ndërkombëtar.
“Kështu që me parti të tilla të shantazhuara nga Vuçiqi e Millan Radojçiqi, ndoshta për hesape të pashlyera në veri, si dhe detyrimeve të patejkalueshme ndaj të ashtuquajturës "listë serbe" , nuk besojë se me parti që vendosin forcat e jashtme për veprimet e tyre, mund të arrihet marrëveshje politike, madje ndoshta po nga shkaqet e lartpërmendura ato që nga fillimi kanë dëshmuar se nuk guxojnë, se jo që nuk janë “të interesuara” për asnjë koalicion parimor, i cili do të qonte në zgjidhjen e ngërçit dhe nxjerrjen e Kosovës nga kaosi aktual ku ato, me qëllim apo diktate nga jashtë edhe e kanë zhytur Kosovën.
Kështu që pasi partitë e shantazhuara politike, e sollën Kosovën në këtë gjendje të "pa-rrugëdalje", qëllimi i të cilave mbetet rrëzimi i Kurtit nga pushteti, me inskenime të tilla të cilat po e turpërojnë vendin edhe para faktorit ndërkombëtar, nuk mund të vazhdohet më për asnjë ditë më tepër dhe megjithëse vendimi i fundit i kushtetueses, ka pamundësuar të mbahen zgjedhjet lokale dhe ato nacionale të njëjtën datë, lojërave të tilla meskine të opozitës, duhet tu jepet fund urgjentisht dhe vendi të shkojë sa më parë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, me ç‘rast shpresojë shumë se qytetarët e Kosovës kanë marrë mësim të madh nga bllokada mbi 4 mujore opozitare e shtetit të Kosovës dhe do të dinë si dhe kënd ta zgjedhin”, shtjelloi ai.
Ndër të tjera, Qarri potencoi se Kosova ka nevojë të qeveriset nga njerëz që e çliruan pjesën veriore dhe të cilët shtrinë sovranitetin në çdo cep të vendit.
“Kosova pa asnjë dyshim, ka nevojë të udhëhiqet nga njerëzit që çliruan veriun, hapin rrugë e ndërtojnë Ura për bashkimin e Qytetit të Minatorëve dhe bënë integrimin e plotë shtetëror të të gjithë territorit ë Kosovës, duke ndaluar organizatat terroriste serbe të cilat ishin pengesa kryesore e shtrirjes së sovranitetit shtetëror të Kosovës dhe dëbuan të gjithë terroristët serb të sponsorizuar nga Serbia e Aleksandër Vuçiqi në Serbi, pa lënë vend për kuptime të dyfishta, në jug as veri ndaj dhe qytetarët do të reflektojnë fort e me vetëdije aq të lartë shtetërore, sa të votojnë me shumicë absolute, për këta që njëmend i dhanë kuptim të vërtetë edhe Pavarësisë së shtetit të Kosovës duke e çliruar përfundimisht edhe veriun e saj, pjesën më jetike të vendit tonë dhe vendosur sovranitetin e plotë shtetëror në gjithë hapësirën kushtetuese të Republikës së Kosovës, në mënyrë që vota e qytetarëve të dinjitetshëm të Kosovës, të mos prodhojë më kurrë dhe asnjëherë tjetër, gjendje të njëjtë as të tilla si kjo e pas-zgjedhjeve të 9 shkurtit”.
Në fund, shtoi se të gjitha vendimet që u morën në të kaluarën dhe dëmtuan shtetin tonë, do të bëhen objekt i trajtimit ligjor të drejtësisë dhe personat e përfshirë do dënohen.
“Njerëz që ndaluan dhe dëbuan ata të cilët krijonin probleme të vazhdueshme në veri, duke rivendosur përfundimisht rendin e ligjin edhe në këtë pjesë jetike të vendit tonë, ku sot njëjtë si në të gjithë Kosovën edhe në veri, frymohet e jetohet lirshëm e pa barrikada, pa alarme e zhurma tmerruese dhe pengesa tjera meskine të bandave kriminale serbe, të lejuara mjerisht edhe nga opozita e inkriminuar e cila derisa ishte në pushtet, i priste edhe prijësit e bandave serbe në zyrat e shtetit në Prishtinë, duke lënë mbi 17 % të territorit të Kosovës nën sundimin e tyre dhe futur thellë për më tepër se një dekadë, në veprime kolaboracioniste e histori të tradhtisë, të përfolura edhe për punë të përbashkëta me bandat kriminale serbe në veri, për përfitimet konspirative e skajshmërisht të dyshimta të partive të dështuara moralisht, politikisht dhe kombëtarisht, jo vetëm për kalkulime monetare, por edhe shumë më tepër-veprime obskurantiste, që një ditë duhet-dhe me patjetër, do të bëhen objekt i trajtimit ligjor të drejtësisë”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.