Moscertifikimi i Listës Serbe: Vendim legjitim për mbrojtjen e rendit kushtetues

Politika

Moscertifikimi i Listës Serbe: Vendim legjitim për mbrojtjen e rendit kushtetues

Arife Morina - Mulaku Nga Arife Morina - Mulaku Më 24 gusht 2025 Në ora: 08:00
Foto ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës nuk e ka certifikuar Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve të Kosovës – për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke nxitur reagim nga Serbia, e cila e dënoi vendimin.

Rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit, i mori vetëm 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime gjatë një mbledhjeje të KQZ-së të enjten pasdite, përkundër paralajmërimeve nga Ambasada amerikane në Prishtinë.

PZAP e kishte rrëzuar një vendim të ngjashëm të KQZ-së muaj me parë për zgjedhjet parlamentare, duke ia mundësuar Listës Serbe pjesëmarrjen në votime.

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ishin zëshëm kundër certifikimin të kësaj partie dhe ishin të vetmit që votuan kundër.

Duke folur në mbledhje, Kurteshi tha se mbi “90 për qind të personave që janë në listat e kandidatëve të Listës Serbe janë të anëtarësuar në institucione paralele serbe në Kosovë”.

Kurteshi e kundërshtoi kandidaturën e Sasha Millosheviqit nga Lista Serbe për kryetar të Novobërdës, duke thënë se ai ishte emëruar nga Qeveria serbe për kryetar të komunës së Gjilanit, komunë kjo paralele serbe.

"Ky luan rol dyfish", tha Kurteshi. "Ky punon në institucione të një shteti që ka synime agresive edhe ushtarake ndaj Republikës së Kosovës".

Vendimi për moscertifikim u përshendet nga ministrja në detyrë e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, e cila tha se Lista Serbe “në mënyrë të përsëritur ka vepruar kundër parimeve kushtetuese dhe ka cenuar rendin demokratik të Republikës së Kosovës".

Serbia e dënoi fuqishëm vendimin, duke e cilësuar si “shembull flagrant i inxhinierisë politike që synon përjashtimin e popullit serb nga jeta demokratike”.

E në lidhje me këtë vendim dhe efektet që mund të ketë në mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale, folën njohësit politikë.

Mekuli: Moscertifikimi i Listës Serbe është një fitore për demokracinë, një garanci për sigurinë e qytetarëve pa dallim etnie

Së pari, për këtë temë në një prononcim për “Bota sot” foli Gëzim Mekuli.

Ai vendimin për moscertifikim të partisë më të madhe serbe në Kosovë e cilëoi si hap të rëndësishëm në forcim të demokracisë.

“Vendimi larghedhës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos e certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet lokale të tetorit është një hap fort i rëndësishëm për forcimin e demokracisë dhe për integritetin e procesit zgjedhor në Kosovë. Ky vendim nuk është thjesht teknik e as popullist, (si mundohen ta paraqesin mediat e korruptuara të Prishtinës dhe të Tiranës) por mbart peshë politike dhe institucionale të madhe”.

Image
Gëzim Mekuli

Krahas kësaj, Mekuli përmendi edhe faktin se LS është dorë e zgjatur e Serbisë dhe në vahdimësi ka punuar kundër Kosovës dhe ka marrë direktiva nga Vuçiqi.

“Lista Serbe, në vazhdimësi, nuk e ka njohur Republikën e Kosovës si shtet sovran dhe kushtetuesisht të pavarur, por e konsideron ende pjesë të Serbisë. Ajo nuk ka funksionuar kurrë si një subjekt politik i qytetarëve serbë të Kosovës, por si instrument i kontrolluar nga Beogradi dhe i lidhur drejtpërdrejt me presidentin nacionalist Aleksandar Vuçiq. Vetë veprimtaria e saj politike, përfshirë deklaratat e udhëheqësve dhe aktet e terroriste të strukturave të lidhura me këtë parti diverzante, e dëshmojnë këtë”, shpjegoi ai.

Gjithashtu, nuk harroi ta përmend edhe kryerkiminelin Radoiçiq, e që tha se de-facto ky i fundit është kryetari i kësaj liste.

Duke u bazuar në këtë, ai vlerëson se moscertifikimi i Listës Serbe është legjitim dhe në përputhje me parimet kushtetuese të Republikës së Kosovës.

“Kujtojmë se kryetari de facto i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, ishte organizatori i sulmit terrorist brenda Republikës së Kosovës, një akt terrorist që tronditi jo vetëm Kosovën, por edhe gjithë rajonin. Ky fakt mjafton për të treguar se Lista Serbe nuk është një parti normale politike, por një strukturë me lidhje kriminale dhe terroriste. Thënia e sotshme e Sami Kurteshit (VV) se “Lista Serbe ka të kaluar dhe të tashme terroriste” është e saktë dhe aktuale. Po ashtu, siç e ka thënë edhe Alban Krasniqi (VV), kjo listë nuk mbron interesat e qytetarëve serbë në Kosovë, por është thjesht dorë e zgjatur e Vuçiqit/Beogradit.

Në këtë kuptim, moscertifikimi i saj është një vendim i drejtë, legjitim dhe në përputhje të plotë me parimet kushtetuese të Republikës së Kosovës. Ky vendim garanton që zgjedhjet do të jenë proces i lirë dhe i drejtë, pa ndërhyrje nga struktura kriminale apo ndikime nga Serbia e Ivo Andriqit dhe Millosheviqit. Nëse do të lejohej pjesëmarrja e saj, procesi zgjedhor do të rrezikohej seriozisht nga presionet, kërcënimet dhe manipulimet e orkestruara nga Beogradi”.

Ndër të tjera, Mekuli kritikoi edhe partitë shqiptare të cilat nuk votuan kundër Listës Serbe, por vetëm absetuan.

“Më në fund, duhet thënë qartë: vendimet politike në Kosovë nuk mund të merren duke toleruar organizma terroriste që punojnë hapur kundër Republikës. Është paradoksale dhe e turpshme që partitë politike të mëdha shqiptare, si PDK, LDK apo AAK, në momente kyçe historike përsëri abstenuan për ta bllokuar Listën Serbe, ndërkohë që bllokojnë Kuvendin e Kosovës duke votuar kundër emra shqiptarësh e figura politike të angazhuara për pavarësinë e Kosovës, sikurse Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla. E kuptoni tash kush po e pengon Kosovën? Ky marifet është kapitullim moral, politik dhe njerëzor.

Prandaj, moscertifikimi i Listës Serbe është një fitore për demokracinë, një garanci për sigurinë e qytetarëve pa dallim etnie, religjioni, gjinie a statusi social; është një hap i domosdoshëm për ndërtimin e një sistemi politik ku zgjedhjet reflektojnë vullnetin e lirë të popullit dhe jo projektet destabilizuese të Beogradit të moçëm të shekullit XIX”, përfundoi Gëzim Mekuli për “Bota sot”.

Kelmendi: Lista Serbe është organizatë nacional-shoviniste, kriminale dhe antikushtetuese

Kurse, edhe njohësi i çështjeve kushtetueses, Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot” e mirëpriti vendimin e KQZ për moscertifikimin e Listës Serbe.

Ai përmendi veprat kriminale dhe penale që kjo listë ka bërë në Kosovë.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për të mos e certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet lokale në Kosovë. Ky vendim është i drejtë dhe në përputhje me normat ligjore në fuqi.

Image
Muhamet Kelmendi

Lista Serbe është një parti nacional-shoviniste. Si e tillë, ajo ka kryer shumë vepra penale dhe krime të ndryshme në territorin e Kosovës. Kjo parti nuk e ka pranuar shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Për më tepër, ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme dhe ka kryer akte të shumta penale”.

Në këtë pikë, Kelmendi radhiti disa nga veprat më të rënda penale, siç janë sulmet ndaj gazetarëve, strukturat paralele, nderimi i terroristëve, sulmi terrorist në Banjskë…, etj.

“Më poshtë po përmend disa nga veprimet ku Lista Serbe është e përfshirë, madje edhe si organizatore dhe udhëheqëse e veprave të rënda penale dhe antishtetërore:

Destabilizimi i veriut të Kosovës – Lista Serbe mban përgjegjësi për bllokadat dyjavore në rrugët e veriut, të cilat cenonin rendin dhe sigurinë publike.

Organizimi i protestave të dhunshme – Udhëheqësit e Listës Serbe organizuan protestat e dhunshme në veri, ku mbetën të lënduar rëndë rreth 80 ushtarë të KFOR-it. Disa prej tyre humbën edhe gjymtyrët nga plagët e marra.

Sulmet ndaj gazetarëve – Kjo parti është përgjegjëse edhe për krime të kryera kundër gazetarëve në veri, ku pati të lënduar dhe dëme të konsiderueshme materiale.

Funksionimi i strukturave paralele – Përmes këtij subjekti janë organizuar strukturat paralele serbe në Kosovë, përfshirë komunat ilegale, objektet e BIA-s serbe dhe përfshirjen e policëve lokalë në shërbim të Serbisë, me qëllim ndarjen e veriut dhe bashkimin e tij me Serbinë.

Sulmi i armatosur në Banjskë – Veprimet terroriste të ndodhura në Banjskë janë organizuar nga pjesëtarë të Listës Serbe në bashkëpunim me organet e shtetit serb.

Nderimi i terroristëve – Lista Serbe mbajti tri ditë zie për terroristët e vrarë gjatë sulmit në Banjskë, duke treguar mbështetje të qartë për veprimet kriminale.

Mosdistancimi nga veprimet kriminale – Asnjëherë kjo parti nuk është distancuar nga veprimet e anëtarëve të saj kundër shtetit të Kosovës”, shpejgoi ai.

Në fund, profesori shtoi se Lista Serbe nuk ka asnjë dispozitë ligjore që nuk e ka shkelur.

Madje, kërkoi që kësaj parti t’i ndërpritet çdo aktivitet politik në territorin e Kosovës.

“Duke u bazuar në këto veprime, është e qartë se Lista Serbe është një subjekt kriminal dhe antikushtetues, i cili duhet patjetër të ndalohet dhe t’i ndërpritet çdo aktivitet politik në territorin e Kosovës.

Lista Serbe ka rënë në kundërshtim të hapur edhe me dispozitat e Kodit Penal të Kosovës. Aktiviteti i saj bie ndesh me nenet 110–121 të KPK-së, për të cilat parashikohen dënime deri në burgim të përjetshëm.

Nuk ka pothuajse asnjë dispozitë ligjore që kjo parti nuk e ka shkelur.

Vendimi i KQZ-së është i drejtë”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat