Gjykata Kushtetuese ishte shpresa e fundit për deputetët që mund të ju ndihmojë të zgjidhin situatën të cilën e kanë shkaktuar.
Mirëpo, ndonëse po hymë në muajin e shtatë pas mbajtjes së zgjedhjeve të fundit parlamentare, Kosova vazhdon të jetë në ngërҫ politik.
A mundet kjo gjykatë të zgjidhë këtë situatë dhe cilat janë përvojat e mëparshme të saj me probleme politike?
Juristi Blerim Burjani ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese e Kosovës shpesh e tejkalon rolin e saj dhe krijon kriza politike në vend.
“Kjo Gjykatë vepron në pajtim me rendin kushtetues dhe konsiderohet si gardiane e shtetit. Por, në praktikë, ajo shpesh shfaqet si ‘legjislator negativ’, kur shfuqizon ligje, ose si ‘legjislator pozitiv’, kur krijon norma të reja. Në Kosovë i luan të dyja rolet dhe kjo krijon asimetri me rregullativat kushtetuese,” ka thënë Burjani.
Ai ka përmendur raste kur gjyqtarët e Gjykatave Kushtetuese në vende të tjera janë shkarkuar pikërisht për tejkalimin e kompetencave.
“Edhe në Poloni, Hungari apo Rumani ka pasur raste të ndërhyrjeve politike ndaj gjyqtarëve, kur këto gjykata kanë prishur stabilitetin politik. Në Kosovë, fatkeqësisht, gjykata nuk ofron zgjidhje, por vetëm lehtëson afate për zgjidhje politike, të cilat mbeten në duart e partive dhe institucioneve,” ka shtuar ai.
Sipas Burjanit, problemi kryesor është cilësia e gjyqtarëve të emëruar.
“Shumica e gjyqtarëve tanë janë të emëruar politikisht nga Kuvendi, jo mbi bazë merite. Disa prej tyre kanë punuar në sportele ambasadash ose në prokurim, pa ndonjë përvojë si shkencëtarë, juristë apo gjyqtarë. Ky është një dëm i madh për sistemin,” ka deklaruar juristi.
Ai ka theksuar se Gjykata Kushtetuese shpesh ka marrë vendime kontradiktore në varësi të rrethanave politike.
“Në vitin 2014 mori vendim kundër VLAN-it, ndërsa sot vendos kundër VV-së. Në raste kyçe, si Asociacioni i Komunave Serbe apo Manastiri i Deçanit, rolin kryesor e kanë pasur gjyqtarët ndërkombëtarë, sepse vendorët kanë treguar probleme serioze në interpretim,” ka theksuar Burjani.