Shaip Kamberi sfidon Qeverinë e Serbisë

Politika

Shaip Kamberi sfidon Qeverinë e Serbisë

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 26 gusht 2025 Në ora: 08:01
Shaip Kamberi

Ditë më parë, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka inciuar te Qeveria serbe krijimin e “Fondit të veçantë për zhvillimin e komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”.

Kamberi, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka folur për propagandën e zyrtarëve serbë, duke zbuluar arsyet pse ka inicuar krijimin e një fondi të tillë.

“Për vite me radhë zyrtarë të Qeverisë së Serbisë, propagojnë “angazhim për zhvillim ekonomik” të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.

Ndërkohë, Bujanoci, Presheva e Medvegja mbeten komunat më të pazhvilluara në nivel të republikës.

Lugina Preshevës nuk ka nevojë për mbështetje deklarative. Zhvillimit të sajë i nevojiten investitorë, investime konkrete, përkrahje finansiare dhe lehtësime plotësuese për investitorët.

Me qëllim të ndërprerjes së trendit të ikjes së të rinjëve, krijimit të një të ardhme me perspektivë, hapjen e vendeve të reja të punës dhe krijimin e një ambienti që tërheq investimet e huaja, kam iniciaur sot, te Qeveria e Serbisë formimin e “Fondit të veçantë për zhvillimin e komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”.

Propozimi është që Fondi të ketë vlerën vjetore prej 10 milion eurove, ndërsa menaxhimi i tij të bëhet nga Trupi Koordinues, duke u mundësuar transparencë maksimale në menaxhim”, ka thënë Kamberi.

Gjiithashtu, Kamberi ka treguar se cilat do të jenë qëllimet e fondit.

“Shfrytëzuesit e Fondit do të ishin komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, shoqëria civile, mediat, organizatat sportive, bizneset e vogla e të mesme e këtyre komunave.

Fondi i veçantë për të stimuluar zhvillimin ekonomik, ka për qëllim:

1. Financimin e projekteve infrastrukturore të rëndësishëm për biznesin lokal dhe jetën e qytetarëve

2. Mbështetjen e hapjes së vendeve të reja të punës nëpërmjet subvencioneve dhe trajnimeve;

3. Stimulimin e investitorëve të huaj dhe vendor nëpërmjet lehtësimeve tatimore dhe përkrahjes infrastrukturore;

4. Zhvillimin e kapaciteteve arsimore dhe profesionale në përputhje me nevojat e tregut të punës.

5. Krijimin e një linje të veçant për subvencionimin e bujqësisë.

6. Krijimin e lehtësirave të veçanta për të gjitha bizneset e vogla dhe të mesme, organizatat e shoqërisë civilie, medias, klubeve sportive, përgjatë aplikimit të tyre në konkurset e të gjitha ministrive”, ka njoftuar Kamberi përmes një postimi në Facebook.

Hyseni: Politika serbe ndaj shqiptarëve, një realitet makabër që duhet zbardhur

Image
Nehat Hyseni

Lidhur me këtë çështje, analist politik nga Presheva, Nehat Hyseni, në një prononcim për “Bota sot”, ka e komentuar iniciativën e Kamberit, duke përmendur edhe disa nëpër të cilët kanë kaluar shqiptarët në të kaluarën.

“Inicimi i "Fondit të veçantë për zhvillimin e komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë", nga deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin prej 250 deputetësh të Serbisë, realisht paraqet edhe një përpjekje të radhës për të demaskuar publikisht politikën antishqiptare që tradicionalisht ka ndjekur ish Jugosllavia dhe Serbia, që nga viti 1912 e këndej.

Me rënien e Perandorisë Osmane, pas 467 vitesh sundimi në këto troje, pasoi qeverisja edhe më errët, fillimisht nga Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene (SKS), pastaj nga Mbretëria e Jugosllavisë deri në vitin 1945 dhe Jugosllavia socialiste e Titos (1945-1990). Të gjithë këta regjime ishin shtypës dhe antishqiptarë, por as periudha e pluralizmit politik pas vitit 1990 nuk solli asgjë shpresëdhënëse dhe progresive ndaj Shqiptarve të kësaj treve, si dhe Shqiptarve në përgjithësi.

Ndërkaq, meqë zullimi u trashë edhe më shumë në regjimin e Millosheviqit, pasoi lufta e armatosur e Shqiptarve dhe bombardimet 78-të ditëshe të NATO-s dhe Kosova më në fund u çlirua nga zgjedha e rëndë e regjimit antishqiptar të Serbisë, kurse Lugina e Preshevës: Presheva, Bujanoci dhe Medvegja mbetën nën Serbi nën regjimin edhe më të egër e më të tërbuar antishqiptar e antidemokratik të Serbisë fashiste.

E zgjata pak si shumë ndoshta sqarimin e historisë fatkeqe të Shqiptarve në përgjithësi dhe të Luginës së Preshevës në veçanti nën diktaturën dhe regjimeve anticivizuese të Serbisë mbi shqiptarët, duke u shtuar gjithënjë e më tepër terrori dhe zullumi mbi ata”, ka shpjeguar ai.

Tutje, Hyseni ka deklaruar se deputeti Kamberi po synon të zbardhë gjendjen e rëndë ekonomike të Luginës së Preshevës.

Ky veprim, sipas Hysenit, është një denoncim publik për hipokrizinë e Serbisë në raport me të drejtat e minoriteteve.

“Prandaj, deputeti Shaip Kamberi, që është realisht i vetmi zë i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë, me anë të nismës për themelimin e këtij Fondi për komunat shqiptare në Serbi synon që të zbardhë realitetin aktual të katandisjes ekonomike të Luginës së Preshevës nën Serbi dhe duke ia bërë të ditur opinionit europian dhe serbë, por dhe të tjerëve faktin dhe realitetin makabër dhe të papranushëm të GDP-së për kokë banori të rajonit të Luginës së Preshevës (per capita) gati dhjetë herë më të ulët se mesatarja e Serbisë!

Ky konstatim publik i diskriminimit ekonomik, kombëtar dhe njerëzor të regjimeve antishqiptare serbe, realisht paraqet denoncim të tyre para botës demokratike dhe të dyfytyrësisë së Serbisë në tentavat e saja këmbëngulëse për sigurimin e të drejtave të serbëve në Kosovë mbi çdo standard të Bashkimit Europian dhe praktikës së botës demokratike për minoritet”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Hyseni e ka vlerësuar Kamberin për veprimet e tij të guximshme, si shpalosja e flamurit kombëtar dhe përdorimi i gjuhës shqipe në Kuvendin e Serbisë – për herë të parë që nga viti 1912.

“Dyfytyrësia ose pafytyrësia e polikës së Serbisë ndaj Kosovës dhe serbëve atje dhe Shqiptarve në Serbi, me anë të nismës së deputetit Shaip Kamberi ka për objektiv që këtë realitet makabër të politikës aktuale të Serbisë së autokratit e diktatorit fashist e antishqiptar, Presidentit Aleksandër Vuçiq ta diskreditoj edhe më shumë në opinionin e botës demokratike ndërkombëtare dhe asaj shqiptare, ngjajshëm me veprimet e tij të guximëshme dhe këmbëngulëse duke shpalosur flamurin tonë kombëtar dhe duke diskutuar në gjuhën shqipe në Kuvendin e Serbisë, për herë të parë në histori, që nga 1912-ta e deri më sot!”, ka vlerësuar Hyseni.

Hasani: Pa presion ndërkombëtar, Serbia nuk do ta miratojë fondin për Luginën

Image
Refik Hasani

Kurse, veprimtari nga Bujanoci, Refik Hasani ka deklaruar se fondi i propozuar është 10 milionë euro në vit, një shumë modeste duke marrë parasysh mungesën e investimeve për më shumë se 25 vjet dhe statusin ende të pazgjidhur politik të kësaj Krahine shqiptare.

Sipas tij, përveç autoriteteve serbe, kërkesa duhet të drejtohet edhe ndaj BE-së dhe OKB-së, duke përfshirë ndihmën përmes fondeve IPA I dhe II.

“Iniciativa nga deputeti në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, me sa kuptova, është adresuar me një shkresë zyrtare instancave të Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit të Republikës së Serbisë, për ngritjen, përkatësisht formimin e një fondi të veçantë për zhvillimin e komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Fondi i kërkuar, në vlerë të shprehur në valutën euro si vjetor prej 10 milionë eurosh, nuk është vlerë e madhe, pasi për çerek shekulli nuk është investuar në këtë rajon. Kjo krahinë nuk e ka të zgjidhur statusin politik dhe kërkon zgjidhje; do të duhej të ngrihet, të shtrohet dhe të debatohet edhe nga BE-ja dhe OKB-ja, sepse ende nuk është zgjidhur statusi i saj përfundimtar.

Kjo është një iniciativë parlamentare tepër e qëlluar dhe shumë domethënëse, sepse kjo krahinë shqiptare është rajoni më i pazhvilluar, jo vetëm në Serbi e Ballkan, por edhe në gjithë Evropën. Ky adresim nuk do të duhej të drejtohej vetëm krerëve më të lartë të Serbisë për krijimin e një fondi, por gjithashtu do të duhej të parashtrohej si kërkesë që kjo krahinë të ndihmohet edhe nga fondet e ndryshme të BE-së, duke përfshirë programet dhe grantet e IPA I dhe IPA II, si dhe fonde të tjera.

Shaip Kamberi, në mandatin e tij në Parlamentin e Serbisë, po vazhdon të jetë shumë aktiv dhe efektiv, duke e konsumuar mandatin me efikasitet. Iniciativa parlamentare dhe çështjet e shtruara janë propozime të matshme dhe konkrete, të adresuara konkretisht për realizimin e të drejtave themelore të njeriut dhe të drejtave kolektive. Ai po i parashtroi me fakte, dëshmi dhe prova, duke demaskuar politikat sistematike diskriminuese të Serbisë dhe duke e internacionalizuar çështjen e tri komunave. Me iniciativat e tij po paraqet reagime, deklarime dhe denoncime”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, Hasani ka theksuar se iniciativa për krijimin e një fondi zhvillimor për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë do të ndihmonte në ndaljen e ikjes së të rinjve, hapjen e vendeve të punës dhe krijimin e një ambienti të përshtatshëm për investime.

Sipas Hasanit, zhvillimi duhet të bazohet në tri shtylla.

“Kjo do të ndihmonte, sado pak, në arritjen e qëllimit për ndërprerjen e trendit të ikjes së të rinjve, krijimin e një të ardhmeje me perspektivë, hapjen e vendeve të reja të punës dhe krijimin e një ambienti që tërheq investime të huaja. Zhvillimi përmes projekteve është më se i domosdoshëm, pasi ky rajon ndodhet në vendnumërim dhe në gjendje të pashvilluar që nga koha e luftës së UÇPMB-së dhe arritjes së Marrëveshjes së Konçulit më 20 maj 2001.

Ndërvarësia gjeografike, mjedisore, urbane, rurale dhe ekonomike janë parametra që kërkojnë investime serioze. Duhet të veprohet me projekte konkrete, që kërkojnë hartimin e planeve për thithjen e fondeve për investime, jo vetëm nga Serbia, por edhe nga Këshilli i Evropës dhe mekanizma të tjerë evropianë.

Ky është një parashtrim institucional për zhvillimin ekonomik të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, në kërkim të:

A. Investimeve konkrete,

B. Përkrahjes financiare

C. Lehtësimeve shtesë për investitorët.

Presheva, Medvegja dhe Bujanoci do të duhej të lirohen nga disa taksa e tatime dhe të përfitojnë investime si nga Serbia, ashtu edhe nga BE-ja, pasi janë rajoni më i pazhvilluar në Evropë. Është domosdoshmëri e kohës që të ndihmohen, të paktën për t’u liruar nga barrat tatimore dhe kontributet e tjera.

Borxhet duhet të ngrihen dhe të shlyhen, duke u krijuar mundësi që këto tri komuna të lirohen plotësisht nga disa tatime e taksa të tjera. Që nga viti 1999 deri më 2025, tri komunat duhet të lirohen, duke u marrë parasysh rrethanat specifike, përmes miratimit të një rekomandimi që do t’u drejtohej Parlamentit dhe Qeverisë së Serbisë, si dhe instancave dhe mekanizmave ndërkombëtarë, me kërkesën që të gjitha borxhet e mbetura dhe të papaguara të falen.

Ne, më herët, kemi kërkuar publikisht që për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc të mbahet një Konferencë e Donatorëve, ku së pari do të merrnin pjesë Prishtina, Tirana dhe donatorë të huaj. Kjo Krahinë duhet të shpallet Zonë e Lirë Ekonomike”, ka shtuar ai.

Në fund, Hasani ka shprehur skepticizëm për një përgjigje pozitive nga Qeveria e Serbisë lidhur me krijimin e fondit për zhvillimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Ai ka potencuar se nëse Serbia përballet me presion të fortë politik dhe sanksione nga BE-ja, mund të merret një përgjigje pozitive.

“Jo, nuk mendoj se do të ketë një përgjigje pozitive nga Qeveria e Serbisë, sepse dihet mirëfilli se Serbia është duke shtuar diskriminimin ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Prandaj, themelimi i këtij fondi për investime, nuk besoj se do të miratohet, përveç nëse ka ndonjë trysni të fuqishme politike dhe sanksionuese nga BE-ja.

Kjo krahinë i përket Evropës, dhe rajoni i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk është vetëm një çështje e brendshme e Serbisë. Është e domosdoshme që të ndryshohet diskursi dhe të vijojë internacionalizimi i çështjes në nivelin dhe shkallën më të lartë të mundshme”, ka përfunduar Hasani.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat