Fatura politike për PDK-në pas votës pro Dimal Bashës – Ekspertët flasin: Ja çfarë parashikojnë

Politika

Fatura politike për PDK-në pas votës pro Dimal Bashës – Ekspertët flasin: Ja çfarë parashikojnë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 26 gusht 2025 Në ora: 18:55
Dimal Basha

Kuvendi i Kosovës nga dita e martë është me kryetar, duke i hapur rrugë kështu formimit të qeverisë së re pas një ngërçi të gjatë politik, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Dimal Basha është zgjedhur kryetar i Kuvendit, me 73 vota për, 30 kundër dhe tetë deputetë që abstenuan.

Basha u zgjodh në përpjekjen e dytë, pas propozimit të emrit të tij të dielën dhe kjo falë votës së një pjesë të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe një pjese të pakicave.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lista Serbe votuan kundër.

Basha pasi u zgjodh iu drejtua deputetëve me fjalim, duke iu bërë thirrje për bashkëpunim.

“Derisa ndiej nderin dhe mirënjohjen për votën tuaj, ndiej edhe përgjegjësinë e madhe që më është besuar. Kuvendi është zemra e demokracisë sonë, vendi ku përfaqësohen zërat e të gjithë qytetarëve”, ka thënë Basha.

Ai pos tjerash shtoi se mbrojtja e Kosovës duhet të jetë detyrë e të gjithëve, pushtetit dhe opozitës.

“Ju bëj thirrje për bashkëpunim. Është koha të dëshmojmë se pavarësisht dallimeve politike, ne e kemi guximin dhe mençurinë për të punuar së bashku për interesin më të lartë për vendin tonë”, ka theksuar ai.

Partia Demokratike e Kosovës e cila edhe ia dha votën Bashës thanë se votuan për ta zhbllokuar ngërçin në Kuvend dhe t’i hapin rrugë konstituimit të legjislaturës së nëntë.

Memli Krasniqi, kryetar i kësaj partie pas zgjedhjes së tij, ka thënë se në një situatë normale dhe botë paralele asnjëherë nuk do të votonin dikë si Dimali.

“Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje konsiderojnë se qytetarët e Kosovës më së miri i përfaqëson Dimal Basha. Në një situatë normale dhe botë paralele, asnjëherë nuk do të votonim dikë si Dimali në krye të Kuvendit. Por ne sot kemi votuar siç kemi thënë për të zhbllokuar situatën, për të carë bllokadën e Albin Kurtit dhe qëndruar besnik fjalës së dhënë publike. Për PDK-në dhe mua kjo është e rëndësishme. Disa vlera morale që në politikën e Kosovës janë zbehur, veçanërisht nga Albin Kurti, ne të tjerët duhet t’i kthejmë dhe fjalën që kemi dhënë e mbajtëm sot. A jemi të lumtur që është zgjedhur Dimal Basha kryetar, nuk besoj se janë të lumtur as deputetët e LVV-së. Ju i patë me fytyra të varura, por megjithatë sot kemi kryetar të Kuvendit. Shpresoj shumë që të kemi edhe nënkryetar dhe sot të konstituojmë Kuvendit dhe të hyjmë në afate kushtetuese për të dalë nga ky ngërç i tej zgjatur që është imponuar prej LVV-së”, ka thënë ai.

Humbi apo fitoi pikë PDK-ja me votimin e Dimal Bashës dhe çfarë fature do të paguajë pas kësaj, për këtë kanë folur për “Bota sot”, analistët politikë të cilët thonë se ajo ka ndikuar në zhbllokim të situatës për çka mund të jetë sinjal koalicioni LVV- PDK. Por, sipas tyre, gjithçka do të varet nga gatishmëria për kompromise "të dhimbshme" të VV-së.

Vështirësia për dalje nga kriza

Analisti politik, Skënder Zogaj, thotë se llogaritja kush fitoi dhe kush humbi në këtë gjendje është banale.

Sipas tij, më në fund u ngrit perdja dhe shpresohet për një kthesë të re edhe pse vështirë.

“Fakti që në Kosovë problemi kryesor që i preokupon partitë politike të Kosovës, është llogaritja e pikëve kush i humb e kush i fiton, është gjendje banale, sepse kjo pyetje ka të bëjë me interesin e partive politike që llogaritë i bëjnë në kurrizin e popullit dhe në dëmin e vendit të vet! Kjo është giotinë që qëndron mbi qafën e hollë të shtetit të brishtë të Kosovës, që i vjen nga njerëzit e vet - nga deputetët që, në 6 muajt e kaluar e kanë hedhur vallen e turpit! Por më në fund u ngrit perdja dhe të shpresojmë për një kthesë të re, edhe pse, është shumë e vështirë dalja nga kriza!”, shprehet Zogaj.

Image
Skënder Zogaj

Nuk ka vlerë fatura që do të paguajë PDK, thotë Zogaj, gjersa shton se zgjedhja e Dimal Bashës në postin e kryeparlamentarit është vetëm maja e ajsbergut.

“ Ju po më pyesni cila do të jetë fatura e PDK-së për votë, por unë them se, fatura e PDK-së dhe e të gjitha partive, çfarëdo qoftë, nuk ka kurrfarë vlere, kur kihet parasysh fatura që është duke paguar populli i Kosovës nga qeverisjet e papërgjegjshme të garniturave qeveritare! Zgjedhja e Dimal Bashës në postin e kryeparlamentarit është vetëm maja e ajsbergut, sepse, tash fillon pjesa e dytë e lojës e cila do të jetë njësoj e vështirë e me shumë të papritura! Koalicionet janë të mundshme, por vlerat e koalicioneve do të jenë të brishta dhe krejtësisht të paqëndrueshme! Në fakt, gjithçka do të varet nga gatishmëria për kompromise "të dhimbshme" e VV-së me partitë simotra, të cilat sa mund të vërej unë, nuk janë të gatshme për koalicione serioze në dobi të qeverisjes që ka nevojë Kosova!”, shton analisti.

Pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, deputetët kanë zgjedhur edhe tre nënkryetarë nga partitë shqiptare: Albulena Haxhiun, Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën.

Emilija Rexhepi u zgjodh nënkryetare nga pakicat joserbe, ndërsa konstituimi ngeci te votimi i kandidatit për nënkryetar nga pakica serbe.

Ndarja e votimit për nënkryetar të komunitetit serb dhe komuniteteve tjera jo pakicë, përbën shkelje të kushtetutës sipas KDI-së, ndërsa PDK nuk ka nguruar ta kritikojë këtë veprim.

“Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës me vetëdije zgjedhë të shkelë Kushtetutën e Kosovës që në ditën e parë të tij.
I njejti, që edhe kur nuk ishte Kryetar ka shkelur Kushtetutën, sot (keq) përdorë pikërisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ta bërë shkeljen e radhës duke e shkelur edhe rregulloren e Kuvendit për mënyrës se si zgjedhen nënkryetarët e komuniteteve jo shumicë. Çfarë marrëzie. Çfarë mendësie”,
ka shkruar deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha.

Shtimi i mundësive për koalicion LVV- PDK

Kurse, analisti Faton Mehmeti qëndrimin e PDK-së për të votuar Dimal Bashën, e konsideron me dy medalje.

Sipas tij, vendimi i tyre ka ndikuar në zhbllokim të situatës.

“Ky qëndrim i PDK nga disa shihet si lëshim, pra thyerje të parimeve dhe nga disa të tjerë si pragmatizëm. Kështu që është një vendim që ka të dyja anët e medaljes, në këtë kuptim PDK nga disa do të gjykohet dhe nga disa do të lavdërohet. Gjithsesi ka ndikuar në zhbllokim të situatës”, deklaron Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Nëse PDK merr postin e presidentit, sipas Mehmetit, mund të ketë koalicion PDK-LVV.

“Me votimin për zhbllokim të situatës jepet sinjal të flas VV për mundësinë e një koalicioni të tyre. Kjo gjë nuk përjashtohet nëse PDK e merr postin e presidentit të vendit çka edhe e bën më të mundshëm një koalicion të tillë. Pra, me këtë veprim janë shtuar mundësitë për koalicion VV-PDK”, përfundon analisti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat