Asnjë nga deputetët e Listës serbe, por as deputeti tjetër nga ky komunitet, Nenad Rashiq për dy seanca me radhë nuk po arrijnë që t’i marrin votat për t’u zgjedhur në postin e nënkryetarit të pestë të Kuvendit të Kosovës.
Kur dukej se ngërçi politik u zgjidh me zgjedhjen e Dimal Bashës kryetar Kuvendi, procesi i konstituimit të Kuvendit ka ngecur sërish, ndërsa ngërçi aktual po pritet të jetë edhe më i thellë sesa ai paraprak.
Juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka deklaruar se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës ka efekt juridik edhe për nënkryetarët dhe anëtarët e Kryesisë së Kuvendit.
Sipas Kelmendit, edhe pse Kushtetuta e Kosovës nuk parashikon afate të përcaktuara për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit, nënkuptohet se këto pozita duhet të plotësohen në përputhje me zhvillimet parlamentare dhe formimin e Qeverisë", ka theksuar Kelmendi.
Ai shtoi se procesi i votimit për nënkryetarë dhe anëtarë të Kryesisë duhet të ndjekë rregullin kushtetues: çdo kandidat të dalë në votim deri në tri herë, dhe nëse nuk merr votat e nevojshme, të zëvendësohet me kandidat tjetër deri në plotësimin e pozicioneve.
“Besohet se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit duhet të vlejë edhe për nënkryetarët dhe anëtarët e Kryesisë. Çdo kandidat duhet të dalë në votim deri në tre herë, dhe nëse nuk merr votat e nevojshme, duhet të zëvendësohet me një kandidat tjetër, derisa të zgjidhen nënkryetarët dhe anëtarët e Kryesisë”, ka shtuar ai.
Moszbatimi i kësaj rregulle, përkatësisht moszgjedhja e nënkryetarëve dhe anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, sipas juristit çon në krizë institucionale dhe në nevojën për zgjedhje të jashtëzakonshme. “Zgjidhje tjetër nuk ka”, ka përfunduar ai..