“Rasti në Kroaci sinjal serioz për Kosovën dhe misionet ndërkombëtare”

Politika

“Rasti në Kroaci sinjal serioz për Kosovën dhe misionet ndërkombëtare”

Nga: H.O. Më: 29 gusht 2025 Në ora: 19:59
Ilustrim

Eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj, ka komentuar rastin e raportuar në mediat kroate, ku dyshohet se një pilot i KFOR-it ka ndarë informacione të ndjeshme me një person me lidhje politike dhe etnike në Kosovë.

Gecaj thekson se ky zhvillim duhet të merret shumë seriozisht nga institucionet vendore dhe misionet ndërkombëtare të sigurisë.

“Ky rast nuk është thjesht një incident personal, por një shembull i qartë i metodave të infiltrimit që përdoren përmes lidhjeve intime, sociale dhe personale. Ai tregon se Kosova mbetet e ekspozuar ndaj luftës hibride dhe operacioneve të inteligjencës”, deklaron Gecaj.

Image
Hysen Gecaj

Sipas tij, rasti ka disa dimensione. Në planin e sigurisë së brendshme, rreziku është i madh.

“Nëse një pjesëtar i KFOR-it ka ndarë të dhëna të ndjeshme mbi lëvizjet dhe operacionet e trupave, atëherë informacioni i klasifikuar ka rrjedhur. Kjo jo vetëm që rrezikon operacionet e KFOR-it, por edhe stabilitetin e brendshëm në Kosovë”, u shpreh eksperti i sigurisë.

Ai shton se në këtë kontekst, nuk mund të injorohet roli i agjenturave të huaja.

“Rasti konfirmon se shërbimet e inteligjencës së huaja, sidomos ato të Serbisë, por jo vetëm, vazhdojnë të kenë shtrirje në Kosovë. Serbia e përdor Listën Serbe jo vetëm si instrument politik, por edhe si shërbim inteligjent në terren, duke e lidhur me rrjetet e BIA-së”, theksoi Gecaj.

Në anën tjetër, ai vlerëson se institucionet e Kosovës kanë bërë përparim, por kapaciteti i tyre ende është i kufizuar.

“Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Policia, Forca e Sigurisë dhe Prokuroria Speciale janë të angazhuara, por shumë nga cenimet ndodhin jashtë fushës së tyre direkte, pasi përfshijnë edhe misionet ndërkombëtare. Sfida kryesore mbetet koordinimi i inteligjencës mes institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë”, tha eksperti.

Në fund, Gecaj paralajmëron se institucionet e Kosovës duhet të nxjerrin mësime nga ky rast.

 “Kosova duhet të forcojë kapacitetet e kundërzbulimit, të intensifikojë bashkëpunimin me shërbimet partnere perëndimore dhe të monitorojë ndikimin politik të Listës Serbe dhe strukturave të saj. Vetëm përmes koordinimit të plotë ndërkombëtar mund të mbyllen boshllëqet që agjenturat e huaja po i shfrytëzojnë”, përfundoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat