Ana Murganiq është shtetase e arrestuar së fundmi në Kroaci, e dyshuar për spiunazh në Mitrovicë. Ajo u kap së bashku me të dashurin e saj, një pilot kroat, ndërsa autoritetet hetuese po vlerësojnë rolin e saj në një rrjet të mundshëm të shpërndarjes së informacionit sekret.
Në lidhje me këtë rast, Në lidhje me këtë rast, Lista Serbe ka mohuar çdo lidhje apo përfshirje me Ana Murganiqin, duke u distancuar nga akuzat dhe duke hedhur poshtë çdo pretendim për lidhje mes saj dhe anëtarëve të partisë.
Megjithatë, këto pohime janë vënë në dyshim pas shfaqjes së fotografive ku deputeti i Listës Serbe, Slavko Simiq, shfaqet në shoqëri me Vladimir Radivojeviqin, i njohur si “Mami”, i cili dyshohet se është personi që ka marrë informacionet nga Murganiq.
Kjo situatë ka shtuar shqetësimet dhe ka ngritur pyetje për thellësinë e lidhjeve të mundshme mes individëve të përfshirë dhe partisë serbe në Kosovë.
Në një prononcim për “Bota sot”, njohësi i sigurisë, Xhevat Meha ka deklaruar se është raportuar për një spiune serbe nga Mitrovica e Veriut dhe bashkëpunimin e saj me Vladimir Radivojeviqin, përfaqësues i institucioneve paralele në veri të Kosovës.
Edhe pse Lista Serbe ka mohuar njohjen e saj, Meha thekson se rasti duhet hetuar dhe të mblidhen të dhëna për përfshirjen e mundshme të anëtarëve të kësaj liste në veprimtari spiunazhi në favor të Serbisë.
“Këto ditë u raportua edhe për një spiune serbe nga Mitrovica e Veriut. Po ashtu, u raportua për bashkëpunimin e saj me Vladimir Radivojeviqin, një nga përfaqësuesit e institucioneve paralele në veri të Kosovës. Lista Serbe ka mohuar se e njeh spiunen serbe. Megjithatë, kjo gjithsesi duhet të hetohet dhe të mblidhen të dhëna për përfshirjen e pjesëtarëve të Listës Serbe në veprimtari të drejtpërdrejta spiunazhi dhe agjenturore në dobi të Serbisë”, ka thënë ai.
Tutje, Meha ka theksuar se veprimet publike të pjesëtarëve të Listës Serbe tregojnë për lidhje të mundshme me shërbimet e fshehta serbe.
Sipas tij, me pak angazhim nga institucionet e Kosovës, mund të mblidhen dëshmi dhe të iniciohen procedura ligjore ndaj të përfshirëve.
“Veprimet publike të pjesëtarëve të Listës Serbe flasin shumë për lidhje potenciale me shërbimet e fshehta të Serbisë. Me pak angazhim nga institucionet e Kosovës, është e lehtë të mblidhen dëshmitë dhe të dërgohen personat e përfshirë para institucioneve të drejtësisë. Hetimi dhe sjellja para drejtësisë është tepër e domosdoshme”, ka deklaruar Meha.