Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta zgjedhë nënkryetarin e vet nga pakica serbe të shtunën, pavarësisht se i hodhi në votim nga tri herë të gjithë 10 deputetët serbë, duke e thelluar konstituimin e legjislaturës së re në një krizë të re.
Dy deputetë e Listës Serbe Miljana Nikolliq dhe Igor Simiq nuk morën asnjë votë në tri runde votimi secili, pasi u hodhën në votim përmes shortit nga kryetari i porsazgjedhur i Kuvendit, Dimal Basha.
Deputeti tjetër nga pakica serbe, Nenad Rashiq, nuk arriti të zgjidhej nënkryetar, pasi i mori 56 vota për, pesë më pak se 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur.
Dështimi për ta zgjedhur njërin nga deputetët e hedhur në votim nënkupton se Kuvendi nuk ka më askënd nga pakica serbe për ta votuar për nënkryetar.
Kjo ka sjellë një krizë të re ne vend dhe paqartësi të mëdha.
E në lidhje me procedurat e mëtejshme për këtë proces dhe mundësinë e ndërhyrjes së Kushtetuese folën njohësit e drejtësisë.
Burjani: Tani kërkohet një interpretim i ri nga Gjykata për t’i dhënë legjitimitet partive dhe hapave të ardhshëm politikë
Së pari, në lidhje me situatën e re të krijuar në Kuvend, për “Bota sot” foli juristi Blerim Burjani.
Së pari, ai vlerësoi si si shtet jemi në një krizë të thellë, derisa kritikoi ashpër skenën politike për qasjen e tyre.
"Ne jemi në një krizë të thellë, në bllokadë dhe pa asnjë shpresë të vetme se do të mund të këndellemi. Kjo skenë politike është absurde dhe qytetarët duhet ta tejkalojnë në të ardhmen. Të gjithë janë të dëmshëm, pa dallim – jo punëtorë, inatçorë dhe të paditur”.
Në këtë rast, Burjani potencoi se sërish duhet të parashtrohet kërkesë në Kushtetuese për të zgjidhur këtë çështje, ndonëse kritikoi këtë gjykatë për afatet dhe sjelljet e saj ligjore.
“Duhet të parashtrohet sërish kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, për të dhënë një legjitimitet lidhur me mosveprimin e duhur dhe krizën artificiale e të pakuptimtë që është krijuar. Gjykata është shndërruar në një lloj jo-gjykate, e cila prodhon situata të paqena dhe jo të qëndrueshme për zgjidhje. Kjo Gjykatë, duket se as vetë nuk e di çfarë bën – shpik afate të reja, krijon sjellje ligjore të reja”, theksoi ai.
Gjithashtu, juristi nënvizoi se duhet afat i ri nga Kushtetuesja për t’i dhënë legjitimitet hapave të ardhshëm politikë
“Prandaj, kjo gjykatë duhet sërish të japë një afat të ri dhe të krijojë një procedurë të re për konstituimin e Kuvendit. Në të kundërtën, Vetëvendosje e ka shpallur të mbyllur këtë proces. Tani kërkohet një interpretim i ri nga Gjykata për t’i dhënë legjitimitet partive dhe hapave të ardhshëm politikë”, përfundoi Blerim Burjani për “Bota sot”.
Bajraktari: Gjykata Kushtetuese, duhet t’i jep rrugë zgjidhje përfundimisht këtij procesi
Kurse, në lidhje me këtë temë, avokati Ardian Bajraktari në prononcimin e tij për “Bota sot” foli mbi procedurën e zgjedhjes së nënkryetarit serb.
Sipas tij, situata është komplikuar edhe më shumë, derisa tani vendi ka hyrë në një krizë të re dhe se zgjidhjen e vetme mund ta ofrojë Gjykata Kushtetuese.
“Synimi për ta bërë anëtar Kryesie të Kuvendit, një person i cili në mesin e 10 deputetëve është i vetëm në raport me 9 të tjerë që i përkasin një grupi tjetër, është kundër rregullave dhe parimeve bazë të demokracisë, pavarësisht se nga kush e si dirigjohen ata 9 deputetë.
Shorti dhe tentativat për ta zgjedhë me çdo kusht anëtar Kryesie, (organi cili sipas Kushtetutës është përgjegjës për funksionimin administrativ të Kuvendit) një person që nuk ishte në gjendje ta konfirmonte as deklerativisht (ndonëse pa ndonje efekt), se do ta njihte pavarësinë e Kosovës, e futë këtë proces në qorrsokak, e ku adresë e vetme për dalje nga ky qorrsokak mbetet Gjykata Kushtetuese”, shpjegoi ai.
Krahas kësaj, Bajraktari tha se Kushtetuesja duhet të sqarojë saktë se a është një pajtim me Kushtetutën procesi i zgjedhjes së nënkrytearëve nga radhët e komuniteteve joshumicë.
“Gjykata Kushtetuese, duhet t'i jep rrugë zgjidhje përfundimisht këtij procesi, duke konstatuar nëse procesi i zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit nga radha e komuniteteve jo shumicë, e veçmas tentimi për zgjedhjen e Nënkryetarit nga radha e komunitetit serb është apo jo në pajtim me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit si dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese”.
Ndër të tjera, avokati shtoi se “pa u zgjedh të gjithë anëtarët e kryesisë së Kuvendit, nuk ka konstituim të Kuvendit, çdo intepretim ndryshe është i paqëndrueshem”.