Shqipëria ka gjasa reale që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian brenda vitit 2029, nëse qeveria e saj vijon me përkushtim zbatimin e reformave. Kështu është shprehur Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë Forumit Strategjik të Bledit, i mbajtur në Slloveni.
Kos theksoi se rruga e Shqipërisë drejt BE-së është e qartë, por procesi do të varet nga reformat e brendshme, sidomos në sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve demokratike dhe përforcimin e ekonomisë së tregut.
“Kemi çelur dy grup-kapituj të tjerë me Shqipërinë dhe kemi rënë dakord me Edin që do të festojmë, së pari në Bruksel dhe së dyti vitin tjetër me ndeshjen e futbollit mes vendeve anëtarë dhe vendeve kandidate në Tiranë dhe ku kuptohet që Presidenti i UEFA-s do të luajë me ne, e po kështu ca të tjerë. Në 2028-ën mund, të kemi 28 anëtarë. Dhe nëse Edi vazhdon të bëjë atë që po bën në mënyrë të shkëlqyer, atëherë në 2029-n mund të kemi 29 anëtarë. Megjithatë, unë nuk kam shumë kohë, kam vetëm katër vjet, kështu që shpejtoni.
Me Malin e Zi po ecim përpara dhe është e mundur në qoftë se përfundojmë në 2026 në aspektin teknik të bisedimeve, në 2028 mund të kemi 28 anëtarë të BE. Dhe në qoftë se Edi vazhdon të bëjë atë që po bën në mënyrë të shkëlqyer, atëherë në 2029 mund të kemi 29 anëtarë. Kështu që shpejtoni”, ka thënë komisionerja e BE-së, Marta Kos.
Shahu: Nëse Europa heq çdo kufi mundet të anëtarësohet Shqipëria
Publicisti Rexhep Shahu, ka deklaruar se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është i pamundur nëse kërkohen standarde të larta, duke ironizuar se kjo do të ndodhë “kur lisi mbi varrin tim të bëhet 20 metra i lartë”.
Ai akuzoi kryeministrin Rama për fajësim të Evropës sipas stilit të Enver Hoxhës dhe shtoi se me politikën aktuale e miqësinë me Serbinë, Shqipëria po bllokon dhe saboton Kosovën.
“Nëse Evropa heq çdo kufi mundet të anëtarësohet Shqipëria. Ndërsa nëse kërkohen kushte e standarde, Shqipëria anëtarësohet kur lisi mbi varrin tim të bëhet 20 metër i lartë. Kryeministri Rama dhe mbështetësit e tij natyrisht qe gjejnë fajtore Europën sipas stilit te Enver Hoxhës kundër kapitalistorevizionisteve.
Shqipëria me politikën aktuale, me miqësi me Serbinë, me besnikëri po e bllokon dhe po e saboton Kosovën”, deklaron Shahu.
Lama: Klima e ashpër politike ku konflikti është përtej normave demokratike, mund ta ngadalësojë procesin
Ish-ambasadorja, Alma Lama, në një prononcim për gazetën “Bota sot” u shpreh se Shqipëria ka një premtim për anëtarësim nga BE, por realizimi varet nga reformat e brendshme.
Ajo veçoi luftën kundër korrupsionit, përmirësimin e sistemit gjyqësor, sigurinë juridike, si dhe standardet në ekonomi, ambient dhe sektorë të tjerë si sfidat më të mëdha.
Sipas saj, me klimën e ashpër politike dhe konfliktet e brendshme, është e vështirë që Shqipëria t’i përmbushë këto deri më 2029-2030, ndonëse vuri në dukje angazhimin serioz të qeverisë për reformat.
“Shqipëria tashmë ka një premtim për anëtarësim nga ana e BE-së mirëpo topi është në portën e qeverisë, nëse do të arrije të reformojë vendin në fushën e ekonomisë ku kërkohet një standard më i lartë, luftë ndaj informalitetit dhe po ashtu një funksionim më i mirë i sistemit gjyqësor dhe sigurisë juridike.
Lufta ndaj korrupsionit do të jetë sfida kryesore, por edhe standarde të tjera në fushën e ambientit, atri-kulturës, sistemit bankar etj, janë sfida të mëdha strukturore që lidhen me vullnetin politik, e për mendimin tim vështirë se do të plotësohen deri me 2029 apo 2030. Sidoqoftë ka një angazhim serioz të qeverisë shqiptare për procesin e integrimit në bërjen e reformave që duhet vlerësuar. Klima e ashpër politike ku konflikti është përtej normave demokratike, mund ta ngadalësojë procesin” – përfundon Lama për gazetën.